E premte, 25 Shtator, 2026

Sot Fitër Bajrami! Mijëra besimtarë myslimanë në sheshin ‘Skënderbej’ falin namazin! Kreu i KMSH mesazh të rinjve: Mos braktisni vendin

Share

Të gjithë myslimanët, në mbarë botën, festojnë sot Fitër Bajramin. Me rastin e kësaj ditë shumë të rëndësishme në kalendarin fetar mysliman, mijëra besimtarë shqiptarë, kryen faljen e namazit në orën 06:40 në “Sheshin Skënderbej”, Tiranë nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.

Kësaj here, mesazhi i kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, iu dedikua të rinjve që të ardhmen e shohin jashtë vendit.

Motra dhe vëllezër, kujdesuni që Kombi jonë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë. Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë! Familja është bërthama e çdo shoqërie. Ta forcojmë atë ashtu siç e kemi traditën tonë të shkëlqyer.’- u shpreh Spahiu.

Kreu i KMSH-së në fjalën e tij përshëndetëse rikujtoi edhe shënjimin e 100-vjetorit të themelimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

‘Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, por i bukur. Unë personalisht dhe institucioni që drejtoj, jemi krenarë për historinë tonë. Jemi krenarë për paraardhësit tanë në këtë shekull. Ne i kemi dhënë dhe vazhdojmë t’i japim kësaj shoqërie, këtij kombi vlerat më të larta e më të sinqerta.  Falë besimtarëve dhe drejtuesve të besimeve në Shqipëri ne i kemi kontribuar këtij kombi një nga vlerat me të cilat krenohemi të gjithë, kudo, harmoninë dhe dialogun ndër fetar. I tillë do të vazhdojë ky kontribut edhe në të ardhmen me lejen e Zotit. Për të patur vazhdimësi kjo vlerë e komuniteteve fetare, duhet që çdo komponent i shoqërisë tonë të kujdeset për të mbrojtur meritën dhe ta shpërblejë atë kudo që ajo ndodhet.’- tha Spahiu.

Bajrami u festua edhe në qytetet e vendit, ku besimtarët kryen faljen e namazit. Festimet vijojnë më pas me drekën e Bajramit e më pas me vizita mes miqve dhe të afërmve. Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fiter Bajramit pas 30 ditëve të agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Te tjera

Lajme te tjera