Dje u shënuan plot 32 vite nga masakra e 2 prillit e vitit 1991. Muharrem Xhafa, ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, rrëfen ngjarjet e 2 Prillit të vitit 1991, ku gjatë një proteste në qytetin e Shkodrës, mbeti i vrarë Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka. Asokohe zoti Xhafa, me urdhër të ish-presidentit Ramiz Alia, ka shkuar në Shkodër për të qetësuar situatën 2 ditë pas manifestimit të Partisë Demokratike kundër zgjedhjeve të 31 marsit të vitit 1991, që i fitoi Partia e Punës së Shqipërisë. Në një intervistë për gazetën “Sot”, ish-funksionari i lartë i PPSH zbuloi se Sali Berisha me ndihmën e UDB organizoi revoltën e 2 Prillit dhe vrasjen e Arben Brocit dhe të tre të rinjve të tjerë, ndërsa sipas tij, tentoi të shpallte Shkodrën Republikë. Madje zoti Xhafa theksoi se, pasi PD erdhi në pushtet, organizoi gjyqin e 2 Prillit, ku sipas tij, arrestoi shumë të pafajshëm për vrasjet, të cilat i kishte organizuar vetë.
-Çfarë mbani mend nga ngjarja e 2 prillit të vitit 1991 kur ju ende ishit Shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës?
Padyshim, 2 prilli i vitit 1991 në Shkodër ka qenë një ditë e rëndë dhe një ngjarje e padëshiruar për popullin e Shkodrës e të gjithë Shqipërisë. Ngjarja e 2 prillit në Shkodër ndodhi dy ditë pas fitores së zgjedhjeve të para parlamentare, të përgjithshme e pluraliste të 31 marsit 1991, të organizuara e të fituara bujshëm nga Partia e Punës e Shqipërisë dhe të njohura nga gjithë faktori ndërkombëtar. Kjo fitore e merituar e PPSH-së, nuk i vinte për mbarë PD-së me partitë e tjera opozitare, edhe pse kjo në rrethin e Shkodrës “kishin fituar” me kandidatët e saj. Pra, ndonëse faktori ndërkombëtar i kishte njohur zgjedhjet e 31 marsit, PD-ja e forcat e tjera opozitare pretendonin se zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të 31 marsit 1991 nuk kishin qenë të rregullta, ndaj gjatë natës së 1 prillit 1991, PD-ja njoftoi dhe organizoi një manifestim kundër Partisë së Punës, i cili, mund të thuhet se, në përgjithësi, u zhvillua i qetë, po që, dora-dorës, doli nga “shinat” e protestës a demonstratës normale dhe filluan të hidheshin parulla separatiste për ndarjen e Shkodrës nga Shqipëria, si: Shkodra Republikë, etj. Qartazi, kjo ishte dora e armiqve të vjetër veriorë të Shqipërisë, e UDB-së dhe e agjentëve të saj në Shkodër e në gjithë Shqipërinë. Më 2 prill, në ditën e dytë të manifestimit, humbën jetën aktivisti i njohur i PD-së, Arben Broci, dhe tre të rinj shkodranë të tjerë. Kush i vrau? Kush qëlloi mbi turmën? Mitingu i datës 1 prill, duke qenë paqësor nuk mund ta kënaqte PD-në, sepse kjo dhe opozita në përgjithësi, kërkonin një miting jo të qetë, ndaj orientuan të behej dhe organizuan një manifestim të dytë të nesërmen, më 2 prill, i cili duhej të ishte më i egër, më i fortë! Turma e njerëzve kësaj radhe ishte më e acaruar. Frymëzuar nga PD-ja dhe partitë e tjera opozitare, turma e njerëzve iu drejtua godinës së Komitetit të Partisë së Punës të Shkodrës me britma, me sharje e me parulla separatiste, po edhe me gurë e sende të tjera, thyen xhamat e godinës, i vunë flakën asaj etj. Si të mos mjaftonin këto akte vandale, një grup prej protestuesve tentoi të futej me forcë dhe u fut në godinën e Komitetit të Partisë dhe bëri gjithçka mundi të bënte! Ishte në detyrën e organeve të rendit e të ligjit që masa e qytetarëve të Shkodrës të mos liheshin peng i disa personave me ndërgjegje të turbulluar e të pasjellshëm si qytetarë! Gjendur para një situate të tillë kërcënuese e destabilizuese, që u shërbente vetëm armiqve të Shqipërisë, forcat e rendit të Shkodrës reaguan ndaj elementëve turbullues të turmës për ta shpërndarë dhe aspak për të vrarë njerëz. Në rrëmujën e krijuar qëllimshëm nga PD-ja janë hedhur e dëgjuar deri thirrje fashiste e të shtëna me armë, ku u vranë katër të rinj të pafajshëm shkodranë, ndër ta Arben Broci, aktivist e drejtues i njohur i PD-së. PD-ja në qendër, si pjellë e vegël e Ramiz Alisë, së cilës ai i kishte lejuar e krijuar terren të favorshëm për të vepruar, e shfrytëzoi në interes të saj këtë ngjarje të hidhur, mori në mbrojtje dhunuesit e rendit publik, përcaktoi pa asnjë fakt “fajtorët” e ngjarjes, u hodh në sulm kundër Shtetit, Partisë së Punës e Forcave të rendit. Madje “ndërmori” një fushatë të egër kundër Presidentit të atëhershëm të Republikës, Alisë, për të krijuar në popull një opinion të gënjeshtërt dhe për t’ia faturuar përgjegjësinë e ngjarjes së 2 prillit forcës politike fituese të zgjedhjeve – Partisë së Punës të Shqipërisë, e cila nuk ishte aspak e interesuar për të nxitur ngjarje të atilla, sepse PPSH-ja i kishte fituar zgjedhjet kuvendore, të cilat u vlerësuan pozitive, të ndershme, të lira e të drejta nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë. Duke pas fituar dy të tretat e vendeve të Kuvendit, PPSH-ja kërkonte të kishte qetësi dhe stabilitet, jo rrëmujë. Kështu fliste populli i Shkodrës, sepse unë nuk kam qenë në Shkodër as me datën 1 prill, as me datën 2 prill 1991.
-Pasi mori pushtetin më 22 mars 1992, PD-ja zhvilloi gjyqin për ngjarjen e 2 prillit pa i gjetur gjykata autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Brocit dhe të tre të rinjve të tjerë. Pse kështu?
Sepse ajo donte t’ia linte me patjetër dikujt fajin! Po, pavarësisht se çfarë shkruhej e thuhej, më saktë se çfarë gënjehej, për ngjarjen e 2 prillit 1991, koha ka vërtetuar se nuk mund të inkriminoheshin për asgjë organet e pushtetit popullor dhe Partia e Punës. Inati, qëndrimi hakmarrës i egër i PD-së u vërejt qartë kur ajo mori pushtetin dhe organizoi gjyqin farsë në Tiranë, i njohur si gjyqi për ngjarjen e 2 prillit 1991, i cili, pa fakte e prova reale, dënoi disa prej drejtuesve kryesorë të organeve të rendit, të partisë të Shkodrës e të qendrës, përfshirë Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Shkodrës, Xhemal Dymylen. Populli shqiptar, që ka ndjekur në TV dhe në shtyp gjyqin e ngjarjes së 2 prillit 1991 të Shkodrës është i bindur se dënimet gjyqësore, që u bënë ishin politike dhe se synohej të goditej me pa të drejtë Partia e Punës me pushteti popullor, etj. Në gjyq përmendet edhe emri im, por si i dërguar i Qendrës në Shkodër pas ngjarjes së ndodhur të 2 prillit 1991!
– A mund të thoni diçka se përse Ramiz Alia vendosi atëhere t’ju dërgonte ju në Shkodër dhe jo një tjetër?!
Me saktësi, unë nuk mund të them pse Alia më dërgoi atje pikërisht mua e jo një tjetër. Ka pasur zëra se e bëri këtë veprim apo e mori këtë vendim “për të më hequr qafe”, po unë nuk e kam pranuar këtë mundësi! Unë mund t’ju them se, së pari, Alia nuk mund të ishte i qetë që jo një herë në zyrën e tij isha shprehur kundër qëndrimeve të dyzuara e të dyshimta të Alisë si për rastin e tufëzimit etj, etj; së dyti, ai nuk mund të ma falte që hapur u flisja shokëve të mi të sektorit, Leko Makos, Tonin Shtjefnit e të tjerë, se Ramiz Alia, në mos i kishte tradhtuar mësimet e Enver Hoxhës, nuk po ecte në rrugën e Enverit; së treti, për pyetjen tuaj, mund t’ ju them me saktësi se, që kur më thirri për të më dërguar në Shkodër, kanë qarkulluar fjalë e mendime se Alia ka dashur jo vetëm ta largonte, po edhe ta eliminonte Muharrem Xhafën, po unë, siç thashë, nuk kam qenë i këtij mendimi! Në zyrën e tij, Alia më thirri më 4 prill 1991 në mëngjes. Ngjarjen e rëndë të 2 prillit unë e dija, po ai më bëri një paraqitje më të plotë e më të thellë të saj dhe më komunikoi vendimin e udhëheqjes së PPSH-së për të shkuar në Shkodër. Biseda me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH, Ramiz Alia, nuk u zhvillua krejt e qetë, siç mund të mendojë sot ndokush, sepse, siç thashë më lart, kohët e fundit marrëdhëniet me Alinë i kisha jo të ngrohta, po nuk mund të mos them se këshillat që më dha për të vepruar me “dorë të lirë”, qenë të vyera. Ai më këshilloi të përqendrohesha në qetësimin e situatës, në organizimin e partisë, që kishte dalë jashtë dorë, në vendosjen e rendit e të qetësisë në rreth, që e keqja të mos thellohej më tej, në forcimin e besimit të komunistëve dhe masave të popullit te Partia e Punës dhe pushteti popullor etj. Në atë takim nuk isha vetëm unë. E pranishme ishte edhe Tereze Marubi, ish-kryetare e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës më Gëzim Podgoricën. Madje, që të dy i gjeta në zyrën e Ramiz Alisë. Kur shkova në Shkodër në detyrën e drejtuesit të parë të Partisë të rrethit, simpatizantë të Opozitës flisnin se viktimat e ngjarjes së 2 prillit u vranë me dashje nga shteti i asaj kohe për qëllime politike, por kjo nuk mbështetej në asnjë fakt ligjor. Në anën tjetër thuhej me shumë garanci se shumë garanci se vrasjet u bënë nga vetë opozita e kohës, në bashkëpunim me agjenturat e huaja. Gjyqi për ngjarjen e rëndë të 2 prillit 1991 që u zhvillua në Tiranë provoi saktë se organet e drejtësisë jo vetëm orientoheshin po dhe kontrolloheshin rreptë nga PD-ja e kryetari i saj, Sali Berisha, që erdhën në pushtet më 22 mars 1992. Në fakt, ai gjyq provoi se personat e akuzuar u dënuan me urdhër politik nga lart, ndërkohë që familjarëve të viktimave u duhej e vërteta, që mendoj se nuk është zbardhur as sot e kësaj dite!
-Komunistët thonë se PD-ja dhe Berisha kanë ardhur në pushtet me ndihmën e qarqeve të jashtme antishqiptare dhe të Ramiz Alisë. Sa kjo është e vërtetë?
Kjo pyetje është për një intervistë më vehte dhe mendoj se i është përgjigje në shumë shkrime e fjalime të tjera! Unë dua të theksoj se për të ngritur “vlerat” e veta antikomuniste, përfituesit e ngjarjes së Shkodrës përpiqen t’ua shesin shqiptarëve 2 prillin 1991 si ditën kur u përmbys “diktatura komuniste”. Por kjo është “përrallë me mbret”, sepse për ngjarjen tragjike të 2 prillit të vitit 1991 dhe për destabilizimin e vendit, siç kam thënë jo një herë, nuk ishin të interesuar as Partia e Punës e organet e pushtetit popullor, as populli i Shkodrës, mbasi zgjedhjet e 31 marsit 1991 u zhvilluan normalisht, në qetësi, në përputhje me ligjet në fuqi, madje ato u certifikuan të tilla edhe nga vëzhguesit e shumtë ndërkombëtarë. Po, këtë nuk e dëshironin regjimi titist jugosllav, federata e të cilit kishte nisur të shpërbëhej. Për të destabilizuar vendin tonë e ardhur në pushtet, mbështetur edhe prej forcave të reaksionit jashtë e brenda vendit, ishte e interesuar PD-ja me Sali Berishën, si edhe forcat e jashtme armiqësore ndaj Shqipërisë Socialiste, ku rol të dorës së parë ka pasur ndërhyrja e jashtme. Ngjarja e Shkodrës, nuk do të përfundonte në mënyrë tragjike, pa ndërhyrjen e jashtme, e cila kërkonte me çdo kusht, që të kishte edhe Shqipëria Timishuarën e saj. Në veçanti UDB-ja jugosllave gjeti rastin e shumëpritur për të turbulluar e ngritur në këmbë aq sa mundej, dëshmi që në Shkodër ka pasur jo pak mbështetje. Ngjarja e 2 prillit 1991 në Shkodër ka qenë një kombinim tragjik i interesave “të fqinjëve” tanë të Veriut dhe e “fqinjëve” më të largët, të rusëve, që kërkonin shpagim, mbasi pushteti popullor me Enver Hoxhën në krye ua kishte thyer turinjtë dekada të tëra, pa lënë mënjanë sharlatanët politikë vendës, që ishin të interesuar ta dorëzonin “qetë” pushtetin dhe të opozitarëve me PD- në krye që donin ta merrnin pushtetin me çdo kusht, nxitur e mbështetur prej “fqinjëve” të largët e të afërt të Shqipërisë Popullore e Socialiste. Në mbyllje të kësaj interviste mund të them se dihen viktimat e 2 prillit të Shkodrës po “nuk dihen saktë” ata që i vranë, kriminelët, që përfituan prej tyre, të cilët, më 22 mars 1992, morën pushtetin.
Intervistoi: Rigels Seliman
