E hënë, 28 Shtator, 2026

1 vit nga përplasja e dhunshme brenda PD, ja si Berisha urdhëroi ithtarët të “masakronin” demokratët për interesat e tij dhe “grushti” i madh amerikan që i dha DASH duke e futur në “rrethin e kuq”, foltoristët sot asnjë pendesë

Share

Dje u shënua 1 vit nga përplasja e dhunshme brenda Partisë Demokratike. 8 janari i vitit 2022 vulosi një ditë dramatike se si anëtarë të së njëjtës parti u përçanë dhe shkatërruan godinën e shtëpisë së tyre pr interesat e tyre. Militantë dhe mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha me urdhër të “bosit”, me vare e çekiçë në duar shqyen dyert e blinduara nga ish-kryetari i PD Lulzim Basha dhe thyen xhama e shkatërruan zyra, ndërsa mbështetësit e Bashës iu kundërpërgjigjën nga brenda me gaz lotsjellës. Kjo bëri që seli blu të kthehej në një skenë krimi për policinë dhe prokurorinë ku u arrestuan 34 persona dhe të tjerë u hetuan në gjendje të lirë. Nga të dyja palët u përmendën se në skenën e dhunshme u shfaqën dhe pjesëtarë të grupeve kriminale, por u akuzua se pati dhe kërcënime me armë. Kjo përplasje për pak sa nuk shkaktoi një tjetër situatë tronditëse si ajo e 21 Janarit, ku sërish është Sali Berisha në krye të akuzave për vrasje.  Urdhri i tij nda ithtarëve që të masakronin demokratët ishte për interesat e tij. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Nëse Berisha humbet Partinë Demokratike kjo do të sillte fundin e tij politik dhe “mburojën” e tij kundër drejtësisë dhe amerikanëve. Nëse drejtësia i heq nga duart PD, Berisha i humb të gjitha. Ai nuk e ka dashur kurrë PD si politikan i ndershëm, që ta vejë kauzën e saj në dobi të vendit e demokracisë, as si pushtetar e as si opozitar, por e ka përdorur atë si mburojë për interesat e tij dhe demokratët e thjeshtë si mish për top.

DASH trondit Berishën

Megjithëse kjo ngjarje pati reagime të forta nga të gjitha palët, 8 janari për Departamentin Amerikan të Shtetit ka goditur rëndë Shqipërinë. DASH ka nxjerrë në skenë orkestruesin e kësaj ngjarjeje, duke përmendur Sali Berishën. Ish-kryeministri cilësohet si rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë fakt e tregon sërish “grusht i madh” amerikan në “fytyrën” e kreut të Foltores që ka dalë nga raporti Departamenti Amerikan i Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2022. “Dhuna politike është e rrallë, rastet më të fundit janë një përpjekje e udhëhequr nga një ish-lider shqiptar i caktuar nga USG për korrupsion për të shkelur selinë e partisë në janar 2022 që kërkonte ndërhyrjen e policisë dhe protestat politike në 2019 që përfshinin raste të mosbindjes civile, të ulëta niveli i dhunës dhe dëmtimi i pronës, si dhe përdorimi i gazit lotsjellës nga policia. Zgjedhjet në Shqipëri të prillit 2021 dhe kalimi në një qeveri të re ishin paqësore, ashtu si edhe zgjedhjet lokale të qershorit 2019. Më 21 janar 2011, forcat e sigurisë qëlluan dhe vranë katër protestues gjatë një demonstrate të dhunshme politike. Në marrëdhëniet e saj të jashtme, Shqipëria zakonisht ka inkurajuar stabilitetin në rajon dhe ruan marrëdhënie përgjithësisht miqësore me vendet fqinje”, thuhet në raportin e DASH. Pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë përmendur këto dy çështje pasi mjaftonte shumë pak që Shqipëria të përfshihej nga kaosi.

Foltoristët sot asnjë pendesë

Edhe pse 8 janari mund të përshkallëzohej dhe për këtë fajtor ishte pikërisht Sali Berisha, nga grupi i tij mbështetës pas një viti asnjë gjë nuk ka ndryshuar. Besniku i tij, Edmond Spaho drejton gishtin nga Lulzim Basha. “Mbushet një vit nga ngjarjet e datës 8 Janar 2022 në selinë e Partisë Demokratike. Një vit me parë me urdhrin e Lulzim Bashës,  policia dhe veglat e tij, nisën sulmin kundër anëtarësisë së PD duke i goditur me gaz lotsjellës e shkopa bejsbolli. 15 anëtarë të PD u plagosën. Ndërsa nevoja për bashkim mbi parime morale dhe politike është urgjente, kujtimi i reve të gazit lotsjellës dhe shkopinjve do vazhdojnë të mbesin në mendjet dhe ndërgjegjen e demokratëve”, shkroi dje në rrjetin e tij social Edmond Spaho. Por kjo përplasje nuk e zgjidhi problemin, madje e thelloi atë. Sot PD endet dyerve të gjykatave dhe dëmi më i madh është bërë pasi zgjedhjet vendore të 14 majit po afrojnë dhe selia blu është më e përçarë se kurrë.

Te tjera

Lajme te tjera