E mërkurë, 11 Nëntor, 2026

Ferma e politikës shqiptare. Derrat, shpëtimtarët dhe kontrata e frikës

Share

Nga Helion Terlaci

Së fundmi, gjatë protestave studentore në Tiranë, deputetët e opozitës iu bashkuan protestuesve, por u pritën me thirrjen: “Rama në burg, Berisha në burg!” Në atë reagim kishte zemërim, por edhe lodhjen e një shoqërie që prej dekadash dëgjon të njëjtët emra, të njëjtat premtime dhe të njëjtin kërcënim se pa njërin apo tjetrin vendi do të marrë fund.

Shqipëria ka pasur gjithmonë më shumë shpëtimtarë sesa institucione të afta të funksionojnë pa ta. Zogu u shpall mbret, Hoxha ndërtoi diktaturën rreth kultit të individit, ndërsa pluralizmi solli parti që u identifikuan me kryetarët e tyre. Ndryshuan sistemet dhe kushtetutat, por mbijetoi zakoni për ta trajtuar shtetin si zgjatim të njeriut që e drejton.

George Orwelli, te Ferma e Kafshëve, përshkroi se si një revolucion i lindur në emër të barazisë përfundon duke riprodhuar privilegjet dhe abuzimet e pushtetit të vjetër. Derrat, që kishin premtuar çlirimin e kafshëve nga sundimi i njeriut, përfundojnë duke u sjellë si zotërinjtë që kishin përmbysur. Ndryshojnë sundimtarët, por jo marrëdhënia e sundimit.

Në politikën shqiptare, kjo alegori gjen një jehonë shqetësuese. Çdo udhëheqës premton shkëputjen nga paraardhësi, çdo forcë politike e shpall veten shpëtimtare dhe çdo ndryshim pushteti shoqërohet me premtimin se këtë herë gjërat do të jenë ndryshe. Por qytetari vazhdon të përballet me të njëjtën pyetje:

“Po iku Rama, kush do të vijë?”

E kemi dëgjuar dikur edhe për Berishën.

Por kontrata politike ka grepin e vet që del në pah kur vjen radha që udhëheqësi të largohet. Qytetari voton për t’u shërbyer, por përfundon duke dëgjuar se pa udhëheqësin vendi rrezikon katastrofën. Pushteti kërkon besnikëri, ndërsa opozita kërkon që zemërimi ndaj qeverisë të mjaftojë për t’i besuar asaj. Frika bëhet kapital politik dhe të dyja palët përfitojnë nga qarkullimi i saj.

Kjo është kontrata e pashkruar e politikës shqiptare: na duroni, sepse të tjerët janë më keq.

Sociologu Robert Michels e përshkroi këtë prirje përmes ligjit të hekurt të oligarkisë. Partitë që lindin për të përfaqësuar qytetarët përfundojnë duke u përqendruar rreth një pakice që kontrollon emërimet, burimet dhe karrierat. Besnikëria ndaj kryetarit bëhet kusht për mbijetesë politike, ndërsa mendimi i pavarur trajtohet si tradhti.

Në fillim partia krijon udhëheqësin. Pastaj udhëheqësi krijon varësinë. Në fund, varësia shpallet provë e pazëvendësueshmërisë së tij.

Kështu lind një klasë politike që nuk jeton për ta ndryshuar sistemin, por për të mbijetuar brenda tij. Ministrat ndërrojnë portofole, besnikët shpërblehen, kritikët largohen dhe shteti mbushet me njerëz që e dinë se karriera e tyre varet më shumë nga vullneti i kryetarit sesa nga përgjegjësia ndaj qytetarit.

Orwelli e përshkroi edhe mekanizmin e frikës. Sa herë kafshët vinin në dyshim privilegjet e derrave, Squealer u kujtonte rrezikun e kthimit të Jonesit. Në Shqipëri, Jonesi ka dy fytyra. Berisha është Jonesi i Ramës, Rama është Jonesi i Berishës. Secili e përdor tjetrin si kërcënimin që justifikon mbijetesën e vet politike.

Por përgjegjësia nuk ndahet njësoj. Berisha drejton opozitën. Rama drejton shtetin.

Më 21 janar 2011, kur qeveriste Berisha, katër demonstrues u vranë nga të shtënat e Gardës së Republikës. Kjo tragjedi mbetet një njollë e rëndë e përgjegjësisë shtetërore. As vitet, as fjalimet për demokracinë nuk mund ta fshijnë.

Rama erdhi në pushtet duke premtuar se do ta çlironte Shqipërinë nga kjo trashëgimi. Trembëdhjetë vjet më vonë, me mandatin e katërt në duar, ai nuk mund të vazhdojë ta përdorë Berishën si alibi për bilancin e qeverisjes së vet. ODIHR dokumentoi pabarazi në garën zgjedhore të vitit 2025 dhe keqpërdorim të burimeve publike. Hetimet për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë kanë ngritur pyetje të rënda për përgjegjësinë politike dhe funksionimin e institucioneve.

Pas trembëdhjetë vjetësh në krye të qeverisë, Rama mban përgjegjësinë politike për mënyrën si qeveriset vendi, për abuzimet e administratës dhe për dështimet në garantimin e kontrollit mbi pushtetin. Nuk mund të kërkojë meritat e çdo arritjeje dhe të mohojë përgjegjësinë për çdo skandal. Nuk mund ta trajtojë shtetin si zgjatim të pushtetit të vet dhe pastaj të kërkojë që qytetarët ta falënderojnë për stabilitetin.

Kroacia na jep një mësim që politika shqiptare nuk dëshiron ta dëgjojë. Ivo Sanader qeverisi nga viti 2003 deri më 2009. Pas largimit u përball me drejtësinë, me procese penale, dënime dhe rigjykime. Partia e tij mbijetoi. Shteti vazhdoi. Republika nuk u shemb bashkë me paprekshmërinë politike të ish-kryeministrit.

Në Shqipëri, drejtësia duhet të ketë guximin të trokasë edhe në derën e Kryeministrisë. Pushteti nuk mund të jetë mburojë ndaj llogaridhënies dhe as mandati elektoral një privilegj për t’iu shmangur asaj. Një shtet ku ligji ndalet përpara pushtetarit nuk është republikë e qytetarëve, por pronë e atyre që qeverisin.

Berisha është i pandehur në gjykim për korrupsion pasiv me akuzë që e mohon. Por përtej vendimit të drejtësisë, mbetet një problem politik: një opozitë që kërkon ndryshimin e qeverisë, ndërsa vazhdon të sillet rreth themeluesit të saj, nuk mund ta shmangë pafundësisht pyetjen se çfarë ndryshimi përfaqëson.

Në fund të Fermës së Kafshëve, kafshët shohin derrat dhe njerëzit ulur rreth së njëjtës tavolinë dhe nuk arrijnë më t’i dallojnë. Nuk ka metaforë më të hidhur për një politikë ku kundërshtarët e përjetshëm ushqejnë njëri-tjetrin me frikë dhe mbijetojnë falë të njëjtit sistem varësie.

Prandaj qëndrimi pranë studentëve është edhe një kërkesë për t’i dhënë fund kësaj marrëdhënieje. Shqipërisë i duhen institucione që kontrollojnë pushtetin, parti që nuk trashëgohen si prona, një drejtësi që nuk ndalet përpara emrave të mëdhenj dhe një administratë që u shërben qytetarëve, jo kryetarëve. I duhet fundi i klientelizmit, i kultit të udhëheqësit dhe i çdo lidhjeje të provuar mes politikës dhe interesave kriminale.

Shqipërisë nuk i mungojnë shpëtimtarët. I mungon liria për të mos pasur nevojë për ta.

Sepse një republikë nuk është vërtet e lirë për sa kohë qytetarit i kërkohet të paguajë me frikë sa herë që dëshiron ta prishë kontratën me pushtetin. /vna.al

Te tjera

Lajme te tjera