Dy ditë pasi luftën e shpalli të hapur me kryeministrin Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zgjodhi dje t’i çonte të tjera mesazhe kreut të qeverisë. Përmes 10 faqeve me shkrim dore, të cilat thotë se janë përgjigjet që i ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu menjëherë pas takimit me të në burgun e Fierit, kryebashkiaku i Tiranës fillimisht kujdeset që mesazhin ta ketë të drejtpërdrejtë për Ramën. “Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem”, shkruan Veliaj. Veliaj lë të nënkuptohet se Gogu i ka thënë se Rama nuk po e kallëzon te prokurorët që e duan të fundosur për përfshirjen në protesta dhe se ky është nderi i fundit”.
“Ç’a dmth hera e fundit si baba? Kërcënim? – Kjo e prokurorëve që thua “duan të më hanë të gjallë, e më duan të vdekur” është turp për ju që bëni këto muhabete. Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën”, vijon Veliaj. Nga burgu kreut të qeverisë i kujton të shkuarën e përbashkët, ndërsa për luftën e hapur me faj bën edhe disa nga socialistët, por pa i vënë emra, përfshirë ministra. “Keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë. Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në “28 janar” (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm.
Ku ishin këta sot ministra? Ndaj e kanë kollaj ta gënjejnë e helmojnë, me “armiq të brendshëm” se s’kanë as memorie, sillen si palaçot tek “rrobat e mbretit”, shkruhet më tej. Bashkinë e Tiranës ketë herë thotë nuk do ta delegojë, ndërsa kryetarin e partisë që ende i përket zyrtarisht, sërish e akuzon për braktisje të socialistëve të vërtetë. “KM premtoi do merrej vetë, po plehrat u bënë mullar, ikën socialistët dhe sollët Dash Sulën e vogël që vinte gjoba. Pse mbaruan njerëzit që sollën fitoret me PS?
Riktheva Bashkinë te Socialistët e qytetarët. PS nuk rritet nga skorjet që hedh Saliu, po nga promovimi i të rinjve brenda e jashtë PS”, vijon letra. Në letrën që e ka ndarë në tre pjesë, saç janë edhe kërkesat që sipas tij i bëri Kryeministri për ministrit të Drejtësisë një përgjigje e ka edhe për kërkesën për t’u distancuar nga avokati i tij. “Për 20 muaj s’më latë asnjë këshilltar tjetër. Ti vetë vjen pas 2 vjetësh. Me kë të këshillohem unë? Me muret? Para vakisë ishim bashkëpunëtorë, po ngaqë ju ikët a s’ju la udhëheqësi, mbeta veç me Plaron e tani them më mirë 1 i saktë se 1000 servilë kot”, shprehet Veliaj.
Në fund Veliaj tregon nga Gogu i kishte sjellë dy libra si dhuratë, për të cilët e kishte falënderuar, teksa në mesnatë largohej me paterica drejt qelisë. “I urova të mira e të fala, po nuk pranoj afera të paligjshme”, përfundon shkrimi. Vetë ministri Gogu e ka pranuar takimin me Veliajn natën e 30 tetorit, por mohoi akuzat se i kishte dërguar “mesazhe” në emër të Kryeministrit.
Shënimet e Erion Veliajt
Përgjigjet e mia: TG
1 – Transferim si “nder” + protestat
– E kuptoj që je veç lajmësi, jo autori – s’të vë faj ty, mbetesh miku im, pavarësisht rolit.
– Turp që KM merret vetë me internimet.
– Nëse R. mendon se duke më larguar dhe izoluar nga familja bëhet i madh – he belittles himself – dhe gardianët në burgje e tallin.
– Bëtë goditje të madhe, për të dalë kaq të vegjël, pity.
– Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem.
– Çfarë “nderi” duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr?
– Ç’a dmth hera e fundit si baba? Kërcënim?
– Kjo e prok që thua “duan të më hanë të gjallë, e më duan të vdekur” është turp për ju që bëni këto muhabete
– Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm
– Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna 54 javë digjej bashkia s’ju akuzoja ju dhe pse digjej BT me molotovë e s’lëvizi gishtin kush.
– Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA
– Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia.
– Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë.
– Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në “28 janar” (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm.
– Ku ishin këta sot ministra? Ndaj e kanë kollaj ta gjënjejnë e helmojnë, me “armiq të brendshëm” se s’kanë as memorie, sillen si palaçot tek “rrobat e mbretit”
– Bëra dy postime politike vetëm – 1 për Hashën dhe UÇK + 1 për Vuçiçin. Nuk flisni me mua 20 muaj e ju kap tartakuti e merreni me birucat. I qëndroj postimeve, ju merruni me birucat.
– Përgjigja për KM është: Nuk i organizoj protestat, po as nuk më intimidon dot me këto sajesa që i përbuz me neveri. Fuckin’ grow up, ku ju del koha të merreni.
– Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet nuk më përkulni dot. Ta harrojë R.
2
– Nuk e delegoj BT. E delegova 18 muaj. Mandatin ma dha GJK dhe populli i majtë e qytetar 160 mijë vota
– 0 shkolla
– 0 pemë të mbjella
– 0 investime të reja
– 0 vendime të rëndësishme
– 0 kredi të lëshuara, madje humbëm dhe Katarin te Bulevardi Ri, dhe BEI te Lana
– Në pak javë që e mora u zhbllokuan 6 shkolla në shtator, +1500 kredi të buta
– Jo se jam më i afti, po se jam zgjedhur, ndaj dhe më i përgjegjshëm
– KM premtoi do merrej vetë, po plehrat u bënë mullar, ikën socialistët dhe sollët Dash Sulën e vogël që vinte gjoba. Pse mbaruan njerëzit që sollën fitoret me PS?
– Riktheva Bashkinë te Socialistët e qytetarët; Etleva 24 karat socialiste e jona, e ndershme e aftë.
– Sadi ish prefekt e deputet socialist, me kontribute si tironc e në PS.
– Sarën që fëmijë e kam pasur në FRESSH – ka dhënë vitet më të mira në PS+BT
– PS nuk rritet nga skorjet që hedh Saliu, po nga promovimi i të rinjve brenda e jashtë PS
– Ndaj hajt ta promovojmë Arbrin, s’është djalë i keq, por delegimin nuk e bëj më
– Fool me once, shame on you, Fool me twice, shame on me
3
Përgjigja për Plaron
– 20 muaj s’më latë asnjë këshilltar tjetër. Ti vetë vjen pas 2 vjetësh. Me kë të këshillohem unë? Me muret?
– A më thua që KM cakton birucat, takimet, vizitat në spital? Ç’a më thua këshillohu?
– A ju shkruajti në chat grupe për Etjenin, mos u merrni?
– Plaro m’u bë shok, mik e avokat. Para vakisë ishim bashkëpunëtorë, po ngaqë ju ikët a s’ju la udhëheqësi, mbeta veç me Plaron e tani them më mirë 1 i saktë se 1000 servilë kot.
– 24:00 e mbyllëm. Më solli dy libra e falenderova, ai u largua me drejtorin, unë u riktheva në qeli me paterica.
– I urova të mira e të fala, po nuk pranoj afera të paligjshme.
Me frakturë në këmbë e patericë, kryebashkiaku Veliaj transferohet në spitalin e burgut të Fierit
Ndërkohë bëjmë me dije se kryetar i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj është transferuar të dielën, nga qelia e paraburgimit, te dhomat spitalore që ndodhen po në burgun e Fierit, për shkak të një frakture në këmbë. Veliaj kishte shprehur ankesa për mungesë të kujdesit shëndetësor ndaj tij pasi theu këmbën, kur ishte në paraburgimin e Durrësit gjatë një ndeshje futbolli.
Aktualisht, Veliaj lëviz me ndihmën e patericave dhe merr qetësues për dhimbjet. Avokati Plarent Ndreca, i cili thotë se e takoi Veliajn në dhomën spitalore, theksoi se ende nuk i është bërë një ekzaminim pavarësisht se kryebashkiaku kishte gati 2 javë që kishte kërkuar një vlerësim për gjendjen e tij. Sakaq avokati e paralajmëroi se do të bëjë publike disa pjesë të tjera nga shënimet në letër të Veliajt, se si iu përgjigj kërkesave që sipas tij kryeministri i çoi në qeli përmes ministrit të Drejtësisë, pretendime këto të rrëzuara deri më tani nga Toni Gogu.
Edhe në raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, thuhej se gjendja e tij shëndetësore nuk u vlerësua kur u transferua nga Durrësi në Fier, më 28 tetor. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka dhënë njoftim zyrtar lidhur kohën e qëndrimit të Veliajt në spital apo trajtimin mjekësor që po merr. Për transferimin e beftë, Veliaj përmes një letre akuzoi kryeministrin Edi Rama. Qytetari i parë i Tiranës thotë se ministri i drejtësisë Toni Gogu në vizitën e tij i kërkoi në emër të Ramës të heqë dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia lërë atë Arbër Hajdarit, duke e kërcënuar me 100 vite burg nëse nuk pranon. Ministri konfirmoi takimin me Veliajn, por mohoi akuzat.
