Bashkimi Europian ka lëshuar aktakuzën më shkatërruese ndaj regjimit të Edi Ramës, duke e zhveshur pushtetin nga çdo fasadë demokratike dhe duke e damkosur si një strofkë korrupsioni të nivelit të lartë. Raporti i Progresit i Komisionit Europian për vitin 2026 për Shqipërinë konfirmon se qeveria shqiptare ka kapërcyer çdo vijë të kuqe, duke u shndërruar hapur në një mburojë politike të pandëshkueshmërisë.
Brukseli ka ngritur gishtin e akuzës direkt mbi kryeministrin, i cili doli haptazi në rolin e avokatit mbrojtës për përfituesit e aferave me tenderat publikë. Në raport theksohet se me urdhër politik dhe përdorim brutal të kartonëve në Kuvend, shumica parlamentare bllokoi me forcë heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Ballukut, duke i dhënë një goditje vdekjeprurëse parimit të barazisë para ligjit.
“Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit”, thuhet në raport. Më tej KE vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit dhe Prokuroria e Posaçme vlerësohet për pavarësinë e treguar dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Megjithatë, raporti vëren se, korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë. Në këtë drejtim, Brukseli kërkon më shumë vendime gjyqësore të formës së prerë në çështjet e korrupsionit të profilit të lartë, sekuestrim dhe konfiskim përfundimtar të pasurive që burojnë nga korrupsioni, më shumë referime proaktive nga institucionet shtetërore drejt prokurorisë dhe verifikim më efektiv të deklarimeve të pasurisë dhe konflikteve të interesit.
Po ashtu, Komisioni Evropian rekomandon zbatim të masave parandaluese në sektorët me rrezik të lartë korrupsioni dhe forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Sakaq, KE denoncon ashpër presionet mafioze, sulmet publike dhe shantazhet e ekzekutivit ndaj Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe prokurorëve të pavarur. Tentativat absurde për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale me qëllim mbrojtjen e zyrtarëve nga pezullimi dëshmojnë panikun e kapjes së shtetit nga një kastë që kërkon me çdo kusht t’i shmanget përgjegjësisë penale.
PJESË NGA RAPORTI I PROGRESIT I KE-SË PËR SHQIPËRINË (NËNTOR 2026)
Shqetësim për funksionimin e kontrollit dhe balancës mes pushteteve
Komisioni Europian thekson se mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti mbeti e dobët. Në shtator 2025, nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta. Shumica e nismave legjislative u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Edhe në rastet kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet.
Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ, si dhe kufizoi dialogun ndërmjet forcave politike. Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u refuzuan sistematikisht, pa u zhvilluar asnjë debat. Pas një vonese të gjatë, KE nënvizon në raport, se Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.
Korrupsioni në tenderat e shëndetësisë, teknologjisë dhe infrastrukturës
Një nga pjesët më sensitive të raportit lidhet me hetimet për korrupsion në sektorët ku qarkullojnë fonde të konsiderueshme publike. Komisioni Europian konstaton se pretendimet për korrupsion të nivelit të lartë vijojnë të jenë objekt hetimesh në tenderat e shëndetësisë, teknologjisë së informacionit dhe infrastrukturës. Këta sektorë identifikohen ndër fushat me rrezik të lartë, ndërsa raporti thekson se institucionet shqiptare kanë nisur vlerësime të posaçme për të identifikuar dhe parandaluar praktikat korruptive.
Megjithatë, problemi kryesor mbetet efektiviteti real i këtyre mekanizmave. Sipas Komisionit Europian, burimet njerëzore dhe kapacitetet institucionale për monitorimin e masave parandaluese vazhdojnë të jenë të kufizuara. Për këtë arsye, ndikimi afatgjatë i politikave kundër korrupsionit ende nuk është provuar. Raporti evidenton gjithashtu mangësi në integritetin e marrëdhënieve mes bizneseve dhe administratës publike, si dhe nevojën për kontrolle më të forta në sektorët e ekspozuar ndaj korrupsionit.
Miliona euro të sekuestruara, por konfiskimet përfundimtare mbeten të ulëta
Një tjetër kritikë e rëndësishme lidhet me aftësinë e institucioneve për t’u marrë pasurinë personave të përfshirë në veprimtari korruptive. Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2025 SPAK regjistroi një rritje prej 17.7% të çështjeve të reja për vepra penale të lidhura me korrupsionin. Në gjykatë u dërguan 34 procedime me 160 të pandehur, nga të cilat 10 procedime me 13 të pandehur lidheshin me korrupsionin e nivelit të lartë. Por treguesit e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive paraqesin një tablo më problematike.
Gjatë vitit 2025, vlera totale e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nga SPAK në çështjet e korrupsionit arriti në 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, vetëm 1.2 milionë euro lidheshin me procedime për korrupsion të nivelit të lartë. Edhe më shqetësues është treguesi i konfiskimeve përfundimtare, vlera e të cilave në këtë kategori ishte rreth 100 mijë euro. Komisioni Europian konstaton se raporti ndërmjet pasurive të sekuestruara dhe atyre të konfiskuara përfundimisht mbetet i pakënaqshëm. Gjithashtu, numri i vendimeve për konfiskimin e pasurive ra nga 20 në 8.
Në vitin 2025, SPAK nuk mori asnjë vendim për sekuestrim pasurie në çështjet që përfshinin vepra të thjeshta penale të korrupsionit. Këto të dhëna tregojnë një nga sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit: përtej hetimit dhe ndjekjes penale, mbetet e nevojshme që pasuritë me origjinë kriminale të identifikohen dhe të konfiskohen përfundimisht. Brukseli kërkon përdorim më të gjerë të mekanizmave të konfiskimit të zgjeruar, konfiskimit pa dënim penal, si dhe konfiskimit të pasurive të mbajtura nga persona të tretë.
Policia e Shtetit, një nga institucionet më të ekspozuara ndaj korrupsionit
Raporti përmban kritika të drejtpërdrejta për integritetin e Policisë së Shtetit. Komisioni Europian konstaton se Policia e Shtetit mbetet shumë e cenueshme ndaj korrupsionit, pavarësisht ndryshimeve ligjore, riorganizimit të pjesshëm dhe proceseve të verifikimit të integritetit të punonjësve. Sipas dokumentit, ndikimi i procesit të vettingut në polici dhe i kontrolleve të integritetit ka qenë i kufizuar. Të dhënat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për vitin 2025 janë veçanërisht domethënëse.
Agjencia mori mbi 5 500 ankesa nga qytetarët, rekomandoi hetime disiplinore për 108 punonjës dhe referoi për ndjekje penale 444 punonjës të strukturave ligjzbatuese. Një tjetër problem i evidentuar është zbulimi i lidhjeve të një punonjësi të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me një grup të krimit të organizuar. Sipas Komisionit Europian, kjo ngjarje ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e procedurave të verifikimit dhe kontrollit të figurës brenda vetë institucionit që ka përgjegjësinë të mbikëqyrë policinë. Raporti ndalet edhe te dy ndryshime të njëpasnjëshme të drejtimit të Agjencisë brenda gjashtë muajve, duke ngritur shqetësime për stabilitetin, transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale. Komisioni kërkon masa më të forta për integritetin e Policisë së Shtetit, si dhe garantimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së drejtimit të strukturave mbikëqyrëse.
Presion ndaj SPAK dhe gjyqtarëve, tetë magjistratë nën mbrojtje
Komisioni Europian evidenton se përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë kanë vijuar gjatë periudhës së raportimit. Sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve identifikohen si një tjetër problem serioz. Raporti përmend edhe kritikat politike ndaj Gjykatës Kushtetuese, përfshirë raste kur është vënë në diskutim autoriteti i saj ose janë sulmuar verbalisht gjyqtarë të veçantë.
Një tregues i ndjeshëm është fakti se tetë magjistratë janë vendosur nën mbrojtje, konkretisht dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë. Komisioni vlerëson qëndrueshmërinë e institucioneve të vetëqeverisjes së drejtësisë përballë presioneve, por kërkon forcimin e garancive të pavarësisë dhe mbrojtjes së magjistratëve.
Bllokimi i pagave të gjyqtarëve, një situatë e paprecedentë
Një tjetër kritikë lidhet me konfliktin institucional mes qeverisë dhe organeve të drejtësisë për pagat e magjistratëve. Sipas raportit, mosmarrëveshjet për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi pagat gjyqësore sollën bllokimin e buxheteve të drejtësisë dhe mospagimin e pagave për muajin gusht 2026. Komisioni Europian e cilëson këtë si një situatë të paprecedentë, e cila ndikoi seriozisht në funksionimin e gjyqësorit dhe ngriti shqetësime për pavarësinë e tij. Më 18 shtator 2026, Parlamenti miratoi ndryshime ligjore që rritën pagat e gjyqtarëve me 2% dhe mundësuan pagesën e detyrimeve të prapambetura. Megjithatë, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve e kundërshtuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni kërkon që çdo reformë e mëtejshme e pagave të respektojë standardet europiane dhe parimet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.
Kontroll i dobët mbi qeverinë, Kuvendi nuk zbaton disa vendime të Kushtetueses
Raporti përmban kritika të drejtpërdrejta edhe për funksionimin e Parlamentit. Sipas Komisionit Europian, mbikëqyrja parlamentare ndaj pushtetit ekzekutiv mbetet e dobët. Dokumenti evidenton se kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore janë refuzuar sistematikisht pa debat. Po ashtu, pjesëmarrja e ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ka qenë e parregullt, ndërsa shumica e nismave ligjore janë paraqitur nga Këshilli i Ministrave. Komisioni evidenton edhe rezistencën dhe vonesat e mazhorancës në zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Një tjetër shqetësim serioz lidhet me politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura. Raporti përmend zgjedhjen e Avokatit të Popullit vetëm me votat e mazhorancës, duke ndërprerë traditën e konsensusit ndërpartiak. E njëjta mënyrë emërimi u përdor edhe për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Sipas Komisionit, këto praktika kufizojnë kontrollin demokratik dhe ndikojnë në pavarësinë institucionale.
Qeveria ndryshon buxhetin me akte normative, duke dobësuar kontrollin parlamentar
Në fushën e financave publike, Komisioni Europian kritikon praktikën e qeverisë për ndryshimin e buxhetit përmes akteve normative. Raporti konstaton se rishikimet buxhetore janë kryer vazhdimisht përmes një numri të lartë aktesh normative të ekzekutivit. Sipas dokumentit, kjo praktikë dobëson qëndrueshmërinë fiskale, transparencën dhe mbikëqyrjen parlamentare të financave publike. Brukseli kërkon rikthimin e procedurave të rregullta të rishikimit të buxhetit përmes Parlamentit, duke garantuar edhe përfshirjen e publikut. Njëkohësisht, Komisioni kërkon transparencë më të madhe për rreziqet financiare që burojnë nga ndërmarrjet shtetërore dhe kontratat e partneritetit publik-privat.
Koncesionet, tenderat dhe investimet strategjike nën vëzhgimin e Brukselit
Komisioni Europian identifikon prokurimet publike dhe partneritetet publik-private si fusha që kërkojnë kontrolle më të forta të integritetit. Megjithëse vlerëson miratimin e ligjit të ri për koncesionet dhe PPP-të, raporti kërkon përmirësimin e konkurrencës në procedurat e prokurimit dhe garantimin e transparencës.
Një tjetër pikë kritike lidhet me marrëveshjet ndërqeveritare dhe ligjet e posaçme të lidhura me shtete jashtë Bashkimit Europian. Komisioni kërkon që këto marrëveshje të respektojnë legjislacionin europian dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Raporti evidenton gjithashtu se qeveria ka ndërmarrë herë pas here nisma ligjore që nuk përputhen me standardet europiane, duke përmendur ndryshimet në ligjin për portet turistike. Në fushën e politikave të investimeve, Brukseli kërkon përshpejtimin e hartimit të një ligji të ri për investimet dhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë.
Integrimi europian përparon, por reformat mbeten testi kryesor
Pavarësisht kritikave të shumta, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim në negociatat e anëtarësimit. Gjatë periudhës së raportimit, vendi hapi grupkapitullin e fundit të negociatave, përmbushi standardet e ndërmjetme për grupkapitullin e parë dhe mbylli përkohësisht katër kapituj. Megjithatë, raporti tregon se përparimi teknik në negociata nuk i ka eliminuar problemet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Komisioni Europian kërkon më shumë vendime përfundimtare dënimi në çështjet e korrupsionit të profilit të lartë, konfiskim efektiv të pasurive kriminale, mbrojtje të pavarësisë së SPAK dhe institucioneve gjyqësore, si dhe forcim të kontrollit mbi përdorimin e fondeve publike. Në thelb, raporti i vitit 2026 paraqet një tablo me dy anë: përparim në negociatat me Bashkimin Europian dhe rezultate pozitive nga drejtësia e posaçme, por njëkohësisht shqetësime të vazhdueshme për korrupsionin, presionet politike, dobësitë e institucioneve dhe mungesën e rezultateve të mjaftueshme në parandalimin e abuzimit me pushtetin. Për Shqipërinë, sfida mbetet jo vetëm miratimi i ligjeve sipas standardeve europiane, por zbatimi i tyre dhe garantimi që institucionet të funksionojnë në mënyrë të pavarur, transparente dhe të përgjegjshme.
