E enjte, 5 Nëntor, 2026

SKANDAL NË SERBI/ Avioni me tre njerëzit e afërt të Vuçiçit niset drejt Moskës, kthehet me urdhër në Beograd, si Vulin shmangu kontrollet e sigurisë, ndërsa banka e lidhur me pushtetin fundoset në skandalin e 380 milionë eurove

Share

Një zhvillim i pazakontë ka ndodhur në qiellin e Lituanisë, ku një avion i Air Serbia, i nisur nga Beogradi drejt Moskës, është urdhëruar të kthehet në Serbi. Sipas portalit Nova.rs, në bord ndodheshin Aleksandar Vulin, ish-shef i shërbimit sekret BIA, drejtori i Srbijagas, Dušan Bajatović, dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popović. Të tre konsiderohen si njerëz të afërt me Kremlinin. Avioni JU134 u nis në orën 18:48 dhe kishte arritur pranë një qyteti në jug të Lituanisë kur mori urdhrin për t’u kthyer, me arsyetimin e sigurisë. Ai u ul në Beograd pak para orës 22:00.

Më herët, kryetari i Partisë Demokratike, Srđan Milivojević, kishte shkruar në rrjetin social X: «E kush po ia mbath sonte për në Moskë me fluturimin e orës 18:30?». Nova.rs raportoi gjithashtu se Vulin kishte hipur në avion pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë në aeroportin e Beogradit. Sipas portalit, pamjet e kamerave konfirmonin se procedurat nuk ishin respektuar dhe dyshohet se dikush e kishte ndihmuar. Vulin është një nga bashkëpunëtorët më besnikë të Aleksandar Vuçiçit dhe një prej promovuesve kryesorë të konceptit « Bota Serbe», që synon bashkimin e serbëve përtej kufijve të Serbisë.

 Në korrik 2023, SHBA-ja e sanksionoi për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe veprimtari të paligjshme me narkotikë. Washingtoni e akuzoi gjithashtu për lehtësimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor. Emri i tij është përfshirë edhe në skandalin «tetka iz Kanade», lidhur me pretendimin se tezja e bashkëshortes i kishte huazuar 205 mijë euro për blerjen e një banese.

Alta Bank humbet licencën, pronari nën hetim për 380 milionë euro

Një tjetër goditje ka prekur rrethin ekonomik të lidhur me pushtetin e mëparshëm. Vetëm pak ditë pas humbjes së zgjedhjeve nga Partia Përparimtare Serbe (SNS), Alta Bank humbi licencën, ndërsa pronari i saj, Davor Macura, u arrestua nën dyshimin se kishte nxjerrë rreth 380 milionë euro nga arkat e bankës. Sipas raportimit të European Western Balkans, kriza nisi të shfaqej më 27 tetor, dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, kur klientët filluan të tërhiqnin depozitat dhe të transferonin paratë drejt bankave të tjera.

 Më 30 tetor, inspektorët e Bankës Kombëtare të Serbisë mbërritën për kontroll, ndërsa punonjësit raportuan se kishin marrë pagat përpara afatit dhe udhëzime për t’i transferuar ato në banka të tjera. Një ditë më vonë, autoriteti vendosi t’i hiqte licencën Alta Bank. Më 2 nëntor, Prokuroria për Krimin e Organizuar njoftoi arrestimin e Macurës dhe dy drejtuesve të bankës. Sipas akuzës, pronari dyshohet se kishte hyrë pa autorizim në ambientet e thesarit, duke përdorur kartat e aksesit të personave të tjerë, dhe kishte nxjerrë rreth 45 miliardë dinarë, mbi 380 milionë euro. Macura i ka mohuar shkeljet.

Lidhjet e biznesmenit me njerëzit e Vuçiçit

Macura e nisi aktivitetin në vitin 2008 me një zyrë këmbimi valutor në Beograd. Në vitin 2019 bleu Jubmes Bank, e cila më pas u shndërrua në Alta Bank. Grupi i tij u zgjerua në sektorin financiar, pagesat dhe tregtinë, duke përfshirë edhe rrjetet IDEA, Roda dhe Mercator. Kompania Alta Pay mori në vitin 2023 rol në ndërmjetësimin e pagesave elektronike të faturave të energjisë për kompaninë shtetërore Elektroprivreda Srbije (EPS).

Mediat kamë raportuar për marrëdhëniet e biznesit të Macurës, përmes kompanisë Danica Park, me persona të lidhur me rrethin e Vuçiçit. Mes tyre përmenden Nikola Petrović, Milan Radoičić dhe bashkëshortja e Zvonko Veselinoviçit. Ndërkohë, Banka Kombëtare e Serbisë deklaroi se kontrollet kishin evidentuar një përkeqësim të konsiderueshëm financiar të institucionit. Megjithatë, mbeten pikëpyetje se kur nisën problemet dhe pse ndërhyrja ndodhi vetëm në fund të tetorit. Pasojat u shtrinë edhe në rajon. Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet nisën monitorimin e Alta Banka AD Bitola, ndërsa në Mal të Zi Banka Qendrore i hoqi autorizimin kompanisë Alta Pay Group për ofrimin e shërbimeve të pagesave.

Sipas Financial Times, grupi Alta kishte tërhequr më herët vëmendjen e Bankës Qendrore Evropiane për shqetësime mbi pastrimin e mundshëm të parave gjatë përpjekjes për blerjen e bankës austriake Addiko. Kompania kishte deklaruar se shqyrtimi nuk kishte evidentuar shkelje. Humbja e pushtetit nga SNS-ja dhe hetimet ndaj drejtuesve të Alta Bank kanë ndodhur brenda pak ditësh, por deri tani nuk është provuar një lidhje shkakësore mes tyre. Hetimet pritet të sqarojnë lëvizjet e miliona eurove, përgjegjësitë e drejtuesve dhe rolin e institucioneve mbikëqyrëse.

Te tjera

Lajme te tjera