E hënë, 28 Shtator, 2026

“Do të jetë një luftë e shkurtër”/ Lavrov paralajmëron Europën, sinjale për përshkallëzim bërthamor

Share

Një alarm i ri është ngritur në Europë pas deklaratave të fundit të kreut të diplomacisë ruse, i cili tha se një përplasje e mundshme ushtarake mes Moskës dhe kontinentit europian mund të shndërrohej në një “luftë të shkurtër”, duke lënë të qarta nënkuptimet për përdorimin e armëve bërthamore.

Konkretisht, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, akuzoi udhëheqësit europianë se po e shtyjnë Vladimir Putinin drejt një konfrontimi ushtarak, duke pretenduar se Europa “po përgatitet për luftë me Rusinë”.

Deklaratat u bënë në Nju Jork, vetëm pak orë pas takimit të parë të Lavrovit me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Lavrov: “Mund të bëhet një profeci vetëpërmbushëse”

Ministri i Jashtëm rus pretendoi se diskutimet në Europë për forcimin e mbrojtjes dhe përgatitjen përballë kërcënimeve të mundshme mund të çojnë në një zhvillim të rrezikshëm.

“Është Europa ajo që po përgatitet për luftë me ne”, citohet të ketë deklaruar Lavrov. “Ata përsërisin vazhdimisht se, më së voni deri në vitin 2030, ‘ne europianët duhet të jemi gati për luftë’. Kjo mund të shndërrohet në një profeci vetëpërmbushëse, sepse po investojnë shuma të mëdha në prodhimin e armëve”.

Lavrov pretendoi se, në një moment të caktuar, “ndonjë aventurier” nga elitat europiane mund të pyesë se çfarë do të bëhet me armët e grumbulluara. “Dhe atëherë do të thonë: ‘Premtuam se do të sulmonim Rusinë’”, u shpreh ai.

Duke lënë të kuptohet mundësia e një përshkallëzimi bërthamor, ministri rus shtoi: “Nëse na sulmojnë, nuk do të rrimë duarkryq. Do të jetë një luftë krejtësisht ndryshe dhe do të jetë e shkurtër”.

Sulm i ri ndaj Gjermanisë

Lavrov sulmoi gjithashtu Gjermaninë, duke akuzuar Berlinin se synon të shndërrohet në fuqinë dominuese ushtarake të Europës.

Duke iu referuar kancelarit gjerman Friedrich Merz, ai tha se ky i fundit ka deklaruar vazhdimisht se synimi është që Gjermania “të bëhet sërish fuqia kryesore ushtarake e Europës”.

“A e kupton domethënien e fjalës ‘sërish’?”, pyeti Lavrov, duke iu referuar Gjermanisë naziste dhe Luftës së Dytë Botërore. Ai akuzoi gjithashtu vendet europiane se “po fshijnë nga tekstet shkollore kujtimin e atyre që mposhtën nazizmin” dhe se po heqin monumentet përkatëse.

Lavrov përdori gjithashtu termin “Rajhu i Katërt”, duke akuzuar Gjermaninë se po forcon “nazizmin” në Europë.

Wadephul kërkon dialog me Rusinë

Takimi Lavrov-Wadephul u zhvillua në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ministri i Jashtëm gjerman deklaroi se Europa nuk duhet t’ua lërë vetëm Shteteve të Bashkuara dialogun me Moskën.

“Nuk dua që ne, europianët, t’ua lëmë plotësisht amerikanëve dialogun me Rusinë. Për këtë arsye zhvillova këtë bisedë”, tha Wadephul, ndërsa i kërkoi Moskës t’u japë fund sulmeve hibride.

Zelensky: “Rusia dëshiron ta zgjerojë luftën”

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se operacionet ruse mund të shtrihen përtej Ukrainës.

“Shumë shërbime inteligjente kanë informacione se rusët duan ta zgjerojnë luftën e tyre, aktivitetet e tyre, në vende të tjera  ndoshta edhe në rajone të tjera”, deklaroi Zelensky.

Te tjera

Lajme te tjera