E hënë, 28 Shtator, 2026

Ish-kreu i SHISH nën arrest/ Begaj mbledh Këshillin e Sigurisë: Hetimet e drejtësisë të mos cenojnë besimin te shteti! Rama përballë Klodian Brahos 

Share

Deri para pak ditësh Vlora Hyseni ishte një ndër anëtaret më të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit, por sot ajo ishte shkaku për të cilin presidenti Bajram Begaj thirri herët në mëngjesin e së hënës këtë këshill.

Krerët e shtetit dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të sigurisë u mblodhën për 1 orë e gjysmë në Pallatin e Brigadave. Presidenti Bajram Begaj thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, nën akuzën se ndihmoi me informacione sekrete Ergys Agasin gjatë arratisë. Në fokus të diskutimeve ka qenë situata e sigurisë kombëtare dhe siguria e informacionit të klasifikuar.

Pas takimit, Presidenca tha se “për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.” Presidenti Bajram Begaj deklaron se “Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë.”

Në mbledhje ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili mbërriti dje në Shqipëri pas vizitës 6-ditore në SHBA. Tryezës iu bashkua edhe kreu i SPAK, Klodian Braho, i uluur përballë me Ramën një ditë pasi ky i fundit adresoi jo pak kritika në drejtim të SPAK se SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh. 

Në tryezë ishte edhe Kostaq Beluri nga Drejtoria e Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, si edhe drejtuesi i komanduar i SHISH-it, Elvis Lila, i cili do ta drejtojë institucionin deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri. Rama ka deklaruar se për emrin e ri në krye të SHISH-it do të vendoset në konsultim me Presidentin.

Ligji parashikon se Presidenti Begaj mund të ftojë edhe persona të tjerë në mbledhje që lidhen me fushën e diskutimeve. Në të kaluarën, Presidenti i Republikës ka ftuar edhe përfaqësues të opozitës në mbledhjet e Këshillit, por këtë herë nuk ka pasur ftesa për përfaqësues të opozitës.

ANËTARËT E KËSHILLIT TË SIGURIMIT

Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës.

1.     Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi

2.     Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama

3.     Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi

4.     Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha

5.     Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu

6.     Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo

7.     Ministria përgjegjëse për Financat; Petrit Malaj

8.     Ministria përgjegjëse për Transportin; Enea Karakaçi

9.     Ministria përgjegjëse për Energjinë; Enea Karakaçi

10. Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij;  Bledar Çuçi,

11. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji

12. Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila

13. Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm. Skënder Hitaj

Njoftim i Presidencës

“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të diskutuar çështjet e aktualitetit dhe impaktin që ato kanë mbi veprimtarinë e institucioneve të sigurisë.
Në mbledhje, përveç anëtarëve që përcakton ligji, ishin të ftuar edhe institucioni e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-u.
Këshilli diskutoi për situatën dhe masat që duhet të merren nga institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe forcimin e besimit të publikut.
Në takim u konkludua se:
Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.
Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë.
Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional.
Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete. Institucionet e Republikës të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Ai është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe mbështet Presidentin në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Mbledhjet e tij zhvillohen të mbyllura.”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Te tjera

Lajme te tjera