E martë, 15 Shtator, 2026

Kurti mbledh qeverinë e re, mesazhi për opozitën: Të zgjidhim çështjen e presidentit!

Share

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbledhur për herë të parë qeverinë e re, ndërsa një prej çështjeve kryesore që ngriti ishte zgjedhja e presidentit të vendit.

Kurti u bëri thirrje drejtuesve të partive politike dhe deputetëve që të gjejnë një zgjidhje, duke paralajmëruar se dështimi i procesit mund ta çojë Kosovën sërish drejt zgjedhjeve.

Sipas tij, një skenar i tillë do të ishte i pafalshëm, pasi pas zgjedhjeve partitë do të përballeshin përsëri me të njëjtën çështje.

“Përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes VV-së dhe LDK-së. Para nesh është sfida me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë të LDK-së që nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se palët ndodhen pranë një zgjidhjeje dhe u kërkoi deputetëve të mos e çojnë vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor.

“Jemi kaq afër zgjidhjes së presidentit saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë në zgjedhje sërish për të ardhur prapë në të njëjtën pikë”, tha ai.

Kurti iu drejtua më pas drejtpërdrejt liderëve politikë dhe deputetëve.

“Ju bëj thirrje liderëve politikë, deputetëve, le ta zgjidhin çështjen e presidentit. Le t’i japim vendit tonë institucionet në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara”, deklaroi kryeministri.

Sipas Kurtit, partitë mund ta arrijnë kompromisin politik nëse zhvillojnë një diskutim të hapur për çështjen e presidentit.

Te tjera

Lajme te tjera