Me 62 vota pro dhe 8 kundër, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Qeverinë Kurti 4. Përbërja e kabinetit mbetet e pandryshuar, me të njëjtët ministra që ishin zgjedhur edhe më herët në postet përkatëse.
Votimi i ekzekutivit të ri u zhvillua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ndërsa menjëherë pas marrjes së votëbesimit anëtarët e kabinetit qeveritar bënë betimin.
Seanca për Qeverinë pasoi zhvillimet e paradites së të dielës, kur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Kuvendin pa nënkryetarin nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje dërgoi emrin e Albin Kurtit për mandatar të Qeverisë. Haxhiu e mandatoi atë për formimin e ekzekutivit, ndërsa më pas u thirr seanca e jashtëzakonshme.
Në seancën ku u votua Qeveria nuk ishin të pranishëm deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Në sallë ishin deputetët e Vetëvendosjes, Listës Serbe dhe disa përfaqësues të komuniteteve.
Përpara votimit, Kurti prezantoi para deputetëve përbërjen e kabinetit të ri, si dhe planet kryesore për katër vitet e ardhshme.
Me votimin e sotëm, Albin Kurti merr një mandat të ri në krye të ekzekutivit të Kosovës. Zgjedhja e Qeverisë së re vjen pas një periudhe të gjatë zhvillimesh politike dhe procedurash parlamentare për konstituimin e institucioneve të vendit.
Kabineti i propozuar nga Kurti:
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës- Glauk Konjufca,
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë- Donika Gërvalla,
Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka,
Ministër i Financave- Hekuran Murati,
Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare- Andin Hoti,
Ministër i Mbrojtjes- Ejup Maqedonci,
Ministër i Punëve të Brendshme- Xhelal Sveçla,
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike- Lulzon Jagxhiu,
Ministër i Shëndetësisë- Arben Vitia,
Ministër i Arsimit dhe Shkencës- Hajrulla Çeku,
Ministër i Kulturës dhe Turizmit- Saranda Bogujevci,
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal- Elbert Krasniqi,
Ministër i Sportit dhe Rinisë- Blerim Gashani,
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor- Fitore Pacolli,
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural- Armend Muja,
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit- Dimal Basha,
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit- Mimoza Kusari,
Ministre e Ekonomisë- Artane Rizvanolli,
Ministër për Komunitete dhe Kthim- Nenad Rashiq,
Ministër për Zhvillim Rajonal- Rasim Demiri.
