Sheshet dhe rrugët kryesore të Prishtinës u mbushën me mijëra njerëz mesditën e kësaj të shtune. Flamujt e UÇK-së dhe të Shqipërisë u valëvitën anembanë qytetit. Katër ditë përpara se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë të japë vendimin për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, organizatorët e “Marshit për Liri” thanë se presin vetëm një gjë.
“Kosova po pret që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të kthehen në Shtëpi”, tha Eliza Hoxha, organizatore.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza kishte një thirrje të qartë drejtuar treshes gjykuese që do të shqiptojë verdiktin mëngjesin e 16 shtatorit.
“Atyre që e marrin vendimin sot nga ky shesh u themi mendoni për pasojat para se të vendosni me 16 shtator!”, tha Hamza.
Përpara mijëra shqiptarëve që ishin mbledhur nga të gjitha trojet, vajza e heroit të kombit Bajram Sulejmani përloti të pranishmit.
“Prandaj kur unë dëgjoj fjalën UÇK, nuk shoh vetëm tri shkronja. Shoh babin e axhin, shokët e shoqet e tyre që nuk u kthyen kurrë, shoh edhe luftëtarët e luftëtaret që u kthyen me plagë në trup e në zemër. Shoh nënat që pritën e nuk i panë më bijtë e bijat e tyre. Shoh fëmijët që u rritën me fotografitë e prindërve të tyre e shoh nënat tona që krahas mallit e dhimbjes u detyruan t’i marrin dy role për të na rritur dhe edukuar”, tha ajo.
Pjesë e marshit u bënë edhe zyrtarë nga Shqipëria, mes tyre kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla. Të pransishëm kishte edhe zyrtarë nga Maqedonia e Veriut dhe Malit të Zi.
Ndërkohë, në aktivitet nuk është parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfaqësues të tjerë të Vetëvendosjes, ndërsa mungoi edhe Partia Demokratike.
Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale e quajti “farsë” procesin në Hagë. Në pritje të vendimit, ai shpreh bindjen se Hashim Thaçi do të triumfojë “me forcën e së vërtetës së tij” dhe mbështetjen e shqiptarëve.
Aktakuza ndaj katërshes së UÇK-së përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar.
Ata u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku gjykimi nisi 3 vite më vonë. Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999.
