Për socialistët, pushimet u mbyllën zyrtarisht. Sezoni i ri politik i gjeti këtë të diel në Pogradec, në një takim dyditor të thirrur nga kryesocialisti Edi Rama me përfaqësuesit e lartë të selisë rozë në vilën qeveritare buzë liqenit.
“Nga Pogradeci kur dielli po perëndon mbi liqen, aty ku Lagushi gjente frymëzimet e veta magjepsëse, dhe aty ku ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, lidhur me sezonin e ri politik”, tha Rama.
Kryefjalë e takimit të kësaj të diele, me drejtuesit politikë socialistë në 12 qarqe dhe krerët e komisioneve parlamentare, dy dokumentet e prezantuara nga shefi i qeverisë në fund të korrikut, dokumente që synojnë të reflektojnë frymën e re të socialistëve në këtë mandat të katërt me theksin te shqetësimet e qytetarëve.
“Kemi diskutuar për “Besën”, për “Praninë Besnike”, ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë. Jo në kuptimin thjesht të komunikimit publik por të komunikimit me qytetarin”, shpjegoi kryeministri.
Thelbi i qasjes së re, ndryshimet në komunikim, ku “Pasqyrë Albania” do të jetë platforma e gjurmimit të halleve të shqiptarëve.
“Kemi diskutuar edhe për pasqyrën unike, “Pasqyrë Albania”, ku qytetarët do të kenë të pranishëm të gjithë institucionet dhe ku ambicia është që më herët se vonë të arrijmë në pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim e hall i qytetarit i drejtuar institucioneve të jetë si pako postare, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi, dhe nga ana tjetër shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe ku çdo shkelje afati shihet me lupë”, shprehet Rama.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura Rama u ka kërkuar të vetëve që të japin edhe ide se si mund të shkohet drejt një versioni më të mirë të bashkëqeverisjes mes ministrave, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve të përgjithshëm.
Të hënën, kreu i qeverisë do të takojë ministrat në atë që njihet si një “retreat” , të cilët se do të raportojnë për punën e bërë deri më tani, por edhe për prioritetet në vitin e dytë të mandatit të katërt bazuar mbi këto dy dokumente.
Takime të kësaj natyre të cilat konsiderohen informale, kryeministri Rama i ka mbajtur në nisje të çdo sezoni të ri pas pushimeve verore.
Pas këtij takimi pritet që kryeministri Rama të mbledhë në ditët e para të shtatorit edhe asamblenë e Partisë Socialiste, një forum partie të cilin e ka përdorur përgjithësisht për të njoftuar ndryshime në qeveri.
Kjo mbledhje vjen pas një sezoni të vështirë politik, me protestën gati 3 muaj para zyrës së kryeministrisë.
