Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi sot atë censurën e egër ndaj opozitës dhe manipulim të të dhënave të Autoritetit të Mediave Audiovizive nga kryeministri Edi Rama. Në konferencën e sotme me gazetarët, Berisha deklaroi se të dhënat e AMA-s nuk tregojnë ndikimin real të partive në media, por vetëm numrin e rasteve kur emrat e tyre përmenden.
‘Përmendja e partive apo individëve nuk tregon aspak ndikimin e tyre mbi mediat, tregon se sa herë lakohet emri i tyre’, tha Berisha, duke akuzuar Edi Ramën se përpiqet ta paraqesë sulmin mediatik ndaj opozitës si hapësirë të dhënë për të.
Sipas liderit të demokratëve, Sali Berisha, monitorimi i bërë nga zyra e shtypit e PD-së për katër televizionet kombëtare, RTSH, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, tregon një panoramë krejt tjetër. ‘Këto katër media kombëtare, i kanë kushtuar Edi Ramës dhe PS në 30 ditë të marra së bashku 15 orë, 10 minuta dhe 59 sekonda’, tha Berisha. Për opozitën, sipas tij, koha ishte vetëm 4 orë, 46 minuta dhe 43 sekonda.’
Lideri i opozitës Sali Berisha Berisha solli si shembull edhe datën 26 qershor, kur, sipas monitorimit të PD-së, opozita mori vetëm 1 minutë e 30 sekonda, ndërsa PS 48 minuta e 45 sekonda. ‘Pra një raport 32.5 me 1. Kjo është pabarazia ekstreme që diktohet nga qeveria mbi mediat e kontrolluara prej tij’, tha ai. ai akuzoi gjithashtu Ramën se lajmet dhe raportimet për protestën e opozitës llogariten artificialisht si kohë televizive në favor të PD-së.
Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha i pyetur nga gazetarët komentoi edhe deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për Kosovën, duke e cilësuar atë ‘krejtësisht të papranueshme’ dhe ‘fatkeqe’. ‘Ne nuk e harrojmë dhe ne nuk pranojmë këtë deklaratë’, tha Berisha, duke theksuar se Shqipëria duhet të vijojë mbështetjen për Ukrainën pavarësisht qëndrimit të Zelenskyt.
Sipas tij, Serbia ka qenë për një kohë të gjatë ‘Kali i Trojës i Kremlinit në Ballkan’, ndërsa qëndrimi i presidentit ukrainas për Kosovën bie ndesh me interesat e vetë Ukrainës. Berisha kritikoi gjithashtu nismën Rama-Vuçiç për një model të ri marrëdhëniesh me Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë një propozim të bërë ‘pa pyetur kombet e tyre’. ‘Si diktatorë autokratë të korruptuar, kërkonin që nuk kemi nevojë për veto apo komisionerë, por vetëm na jepni tregtinë e lirë dhe lëvizjen e lirë’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha në konferencë për mediat.
