E mërkurë, 5 Gusht, 2026

Ja si kasta e korruptuar politike në Tiranë është hedhur në sulm për të shpëtuar pasuritë e tyre, Grid Rroji zbulon të fshehta, nga plani i koordinuar “i peshave të rënda” socialiste  kundër Ramës, te emrat që po bëjnë gati në prapaskenë për të ruajtur pushtetin

Share

Grid Rroji, pedagog i shkencave politike në universitetin CUNY-New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngre pretendime për ekzistencën e një elite politike të fshehtë, të cilën ai e quan “Paria e Tiranës”, dhe e akuzon se po lëviz në prapaskenë për të ruajtur pasuritë dhe ndikimin mbi sistemin politik. Në “Grid S Rroji Podcast”, ai zbulon se rikthimi në skenë i disa figurave të njohura të Partisë Socialiste, si Arben Malaj, Arta Dade, Ermelinda Meksi dhe Erion Braçe, nuk është i rastësishëm, por pjesë e një plani të koordinuar që synon t’i zbehë autoritetin Edi Ramës dhe të përgatisë terrenin për një rikonfigurim të pushtetit.

Në analizën e tij, Rroji përmend se edhe disa emra të rinj që, sipas pretendimeve të tij, po pozicionohen për të pasur rol në një sistem të ri politik, pas tyre qëndron “dorë e vjetër” që vazhdon të ushtrojë ndikim në politikë, media dhe strukturat e shtetit. Ai shprehet se ndryshimi i vërtetë nuk mund të vijë vetëm përmes zëvendësimit të emrave në krye të politikës, por kërkon, sipas tij, çmontimin e të gjithë mekanizmave që kanë mbajtur në këmbë sistemin aktual.

Pjesë nga analiza e Grid Rrojit

“Paria e Tiranës është armiku kryesor i juaj. Është e vetmja pengesë që ka populli shqiptar. Paria e Tiranës, pra, veglat e saj të shumta, tanimë të kontrolluara edhe nga pronari i ri i shtetit shqiptar që është Sindikata Ndërkombëtare e Krimit. Ata nuk kanë interes që njerëzit të dëgjojnë, që njerëzit të kuptojnë dhe njerëzit të punojnë për zgjidhjen. Ka një dorë të vjetër e cila rri në hije, por di gjithçka çfarë ndodh në Shqipëri, kontrollon gjithkënd. Ata janë duke u përpjekur që ta manipulojnë situatën në mënyrë që të ripërziejnë sërish sistemin. Pavarësisht se këtij sistemi i ka ardhur fundi, e dinë që duhen lejuar disa ndryshime edhe thelbësore të sistemit, se duhen qetësuar shqiptarët, por objektivi i tyre i vetëm është ruajtja e pasurive për të cilat ata kanë punuar fort deri më tani, për të cilat ata kanë skllavëruar shqiptarët.

Ata shohin vetëm pasurinë dhe rolin kontrollues që ju jep kjo pasuri në shoqërinë shqiptare. Për ta thënë shkurt, ata që kontrollojnë lojën duan të ruajnë pasurinë e tyre dhe duan të ruajnë skllavërimin tuaj. Paria e Tiranës dhe veglat e saj të shumta janë hedhur në lëvizje të ethshme për ta penguar ndërgjegjësimin e popullit shqiptar. Kemi rikthimin e disa figurave të vjetra të cilat po flasin hapur, figura të vjetra të Parisë, ndër të cilët mund të përmend Arben Malajn, Arta Dadën, Ermelinda Meksin, Erion Braçen, të cilët gjithsecili sipas peshës specifike që kanë dhe sipas detyrave që ju janë dhënë, po dalin haptazi në media sistematikisht dhe në rritje. Këto deklarata kundër agjendës së Edi Ramës, gjë e cila ia bjerr Edi Ramës autoritetin si udhëheqës i partisë dhe i popullit. Nuk duhet harruar që kjo është e rëndësishme sepse masa socialiste është mësuar me një udhëheqës të partisë dhe popullit, është mësuar me strukturë, është mësuar që partia i jep udhëzimin dhe e gjithë masa funksionon si strukturë e bindur dhe mbështet kryetarin. Kur kryetarit i dalin kundër figura me peshë – edhe pse jo më brenda strukturës që vendos, gjithsesi figura me peshë, figura të cilat kanë vënë një pasuri, të cilat e kanë ruajtur pasurinë e tyre edhe kur kanë dalë nga politika, të cilat mund të kenë ndikim sepse kanë legjitimitet tek masa socialiste.

Kur këta dalin, atëherë të gjithë ata që janë poshtë lëvizin. Ky grupim i vjetër brenda PS-së mbështetet nga një kategori e mediave të shkruara dhe vizive, dhe mesazhi i tyre del qartë, por ditë e më tepër edhe në rrjetet sociale, në një mekanizëm të mirëvajisur, të mirëkoordinuar dhe të mirëinformuar, sepse nuk duhet të keni asnjë lloj dyshimi që ata e dinë se ç’ndodh në kulisat e Parisë së Tiranës. Kjo kategori anëtarësh të Parisë nuk flasin kurrë pa marrë një udhëzim, dhe pastaj këta janë ata që udhëzojnë ata më poshtë, në mënyrë që struktura të fillojë të lëvizë, në mënyrë që struktura të dalë dhe të djegë tesera, të kundërshtojnë partinë dhe kryetarin kur ndryshon ndarja administrative. Sepse në një mjedis të tillë mësuar me bindjen fundore ndaj udhëheqësit dhe strukturës, askush nuk lëviz pa marrë një sinjal.

Askush nuk lëviz rastësisht. Kundërshtitë, sidomos ato të koordinuara, nuk ndodhin rastësisht. Së dyti, Paria ka aktivizuar disa grupe të reja, disa prej tyre më të reja sesa të tjerët, shumë të shkolluar jashtë Shqipërisë, edhe të brezit të dytë, të cilët munden të krijojnë legjitimitet në këto kohë të turbullta në mënyrë që t’i ketë gati për ndryshimin e sistemit. Këto grupime duhet thënë qartë që kanë kuptuar që e vetmja ideologji e cila ka legjitimitet brenda popullit shqiptar është ideologjia kombëtariste që shpreh Manifesti Politik i Bletës Shqiptare, ndaj këta përpiqen të kopjojnë aspekte të veçanta të ideve të parashtruara nga ne, duke i përcjellë sigurisht si të veta dhe duke kërkuar të binden njerëzit, masa e madhe e njerëzve, se këta mund të jenë zgjidhja përkundër Parisë.

Kuvendet, elitat dhe beteja kundër Parisë së Tiranës

Në fakt, këta janë pjesë të Parisë. Po përmend pikë së pari një person i cili është pjesë e Parisë, pra hyn tek grupimi i parë që thashë më parë, te grupimi i të vjetërve të Parisë, por ky është brezi i ri: është Denion Mejdani, i cili ka qenë ambasador në Maqedoni dhe i cili flet për zgjidhjet e çështjes kombëtare shqiptare. E shkruan edhe maqedonisht, sepse e flet gjuhën bullgare, gjë që nuk ka pse të jetë e çuditshme sepse ka studiuar atje, por shkruan për të ardhmen e shqiptarëve në Iliri. Shkruan si nacionalist, shkruan për t’i vendosur vetes një vend në sistemin e ri dhe i jep mend elitave ose drejtuesve të Ilirisë se si mund të funksionojë dhe se si duhet të dalim ne prej situatave ku gjenden elitat tona. Në elitat shqiptare – duhet thënë në Iliri – pra është një pozicionim për një të ardhme që të gjithë e shohin.

Nga ana tjetër, kemi atë të ashtuquajturin Kuvend, për të cilin unë kam folur edhe publikisht, dhe nuk dua që të ndalem shumë gjatë tek Kuvendi i disa prej organizatorëve të protestës. Ishte një përpjekje e nxituar, një përpjekje së cilës i vinte era “zënie e vendit”, e cila është e destinuar të dështojë; por përtej kësaj, është e destinuar që ta përdorë Paria e Tiranës. U përpoqën që të bëjnë leverage, siç thonë në anglisht, legjitimitetin e kuvendeve shqiptare historikisht, dhe kjo është një pjesë e vërtetë. Mirëpo nuk mundet të funksionojë diçka që merret pjesërisht në qoftë se nuk përputhet me të tërën, nuk përputhet me idenë, nuk përputhet me të gjitha mjetet e duhura të kundërshtisë ndaj kësaj Parie. Ka një problem thelbësor që nuk arrijnë ta kuptojnë të gjithë këta që përpiqen të zënë vend në sistemin e ri që po vjen. Ajo që është më se e qartë është se që të ndërtohet një sistem i ri, duhet të shkatërrohet Paria e Tiranës; por jo thjesht të japë dorëheqjen njëri apo tjetri, jo thjesht të zëvendësohet Edi Rama me Elisa Spiropalin.

Jo të zëvendësohet Sali Berisha me bijën, ose dhëndrin, ose të birin? Jo. Të dalë nga burgu Ilir Meta dhe të krijojë demokracinë? Jo. Të dalë nga burgu Erion Veliaj dhe të krijojë edhe një herë tjetër G99 me të gjithë biznesmenët që e kanë mbështetur? Nuk është çështje thjesht e ndryshimit nga kjo që kemi sot. Në qoftë se do të ndryshohet sistemi, ne na duhet që dalëngadalë, një nga një, me durim, me qetësi dhe me vendosmëri, pa u lodhur dhe pa u ndalur, duke përdorur të gjitha mjetet, të rrëzojmë legjitimitetin e Parisë së Tiranës në të gjitha hallkat e veta, kudo që ata kanë kontroll. Dhe kontrolli i tyre është i plotë. Pa u rrëzuar këto mekanizma, pa iu hequr nga dora të gjitha mekanizmat e kontrollit të asaj “dorës së vjetër” që përpiqet me të gjitha llojet e mënyrave të ndalë rrugëtimin e shqiptarëve drejt çlirimit të tyre nga skllavëria, të cilën ata ua kanë përcaktuar për shkak të interesave të veta, pa u shkatërruar këto mekanizma kontrollues, nuk mundet të ketë një sistem”, shprehet Rroji. /gazeta sot/

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera