Ka përfunduar zyrtarisht afati i aplikimeve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka bërë të ditur emrat e pesë prokurorëve që kanë paraqitur kandidaturën për të marrë drejtimin e organit qendror të akuzës, duke synuar të pasojnë në detyrë Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela. Sipas listës së publikuar pas mbylljes së procedurës së aplikimit, në garë janë: Adnan Xholi, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj. Me përfundimin e fazës së aplikimeve, procesi hyn tashmë në etapën e verifikimit të dokumentacionit dhe të vlerësimit profesional të kandidatëve, sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin për sistemin e drejtësisë. Në përfundim të procedurës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të vijojë me hapat e mëtejshëm për përzgjedhjen e kandidatit që do t’i propozohet Kuvendit.
Kush janë kandidatët:
Adnan Xholi
Adnan Xholi është aktualisht prokuror në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Emri i tij nuk është i panjohur në garat për postet drejtuese të sistemit të akuzës, pasi në tetor të vitit të kaluar kandidoi edhe për drejtimin e SPAK-ut. Përpara emërimit në SPAK, Xholi ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe për më shumë se pesë vite ka drejtuar Drejtorinë e Kontrollit të Hetimit. Gjatë karrierës së tij ka ushtruar edhe funksione drejtuese në prokuroritë e rretheve, ndërsa për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-prokurorisë për Krime të Rënda. Në një prej çështjeve më të spikatura të karrierës së tij, Xholi bashkëpunoi me autoritetet amerikane në hetimin e një dosjeje për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, ku ishte i përfshirë një shtetas shqiptaro-amerikan. Për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë ai është nderuar edhe me certifikatë mirënjohjeje nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara.
Arta Marku
Arta Marku është një prej emrave më të njohur të sistemit të prokurorisë, pasi ka ushtruar detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme të Shqipërisë në periudhën dhjetor 2017-dhjetor 2019. E diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, Marku e nisi karrierën në Prokurorinë e Shkodrës, ku ushtroi funksione të ndryshme, duke përfshirë drejtimin e njësisë “Task Forcë” dhe detyrën e zëvendësdrejtueses së prokurorisë. Më pas u zgjodh në krye të institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, në një nga periudhat më të rëndësishme të reformës në drejtësi. Pas përfundimit të mandatit si kryeprokurore e përkohshme, Marku vijoi karrierën në sistemin e prokurorisë, ndërsa tashmë rikthehet në garë për postin më të lartë të akuzës.
Fatjona Memçaj
Fatjona Memçaj është prokurore me një eksperiencë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe aktualisht shërben si prokurore ndërlidhëse pranë Eurojust, funksion që e ushtron prej korrikut 2023. Karriera e saj përfshin detyrën e prokurores në Prokurorinë e Apelit Tiranë, si dhe funksionin e Drejtores së Kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme. Më herët ka drejtuar edhe Drejtorinë Juridike dhe të Koordinimit Ligjor në Institucionin e Presidentit të Republikës, ku është angazhuar në përgatitjen e akteve ligjore dhe procedurave kushtetuese. Memçaj është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe në Shkollën e Magjistraturës. Ajo zotëron një Master në të Drejtë nga University of East London dhe gradën “Doktor i Shkencave” nga Middlesex University London. Krahas angazhimit si prokurore, ka zhvilluar edhe aktivitet akademik si lektore në disa universitete. Në vitin 2018 kaloi me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar Vetting, duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Rovena Zoto
Zoto, e cila është pjesë e Prokurorisë së Tiranës prej vitit 2021, ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke ushtruar më herët detyrën e prokurores në Prokurorinë e Lushnjës dhe më pas në Tiranë, dhe është vlerësuar ndër vite për punën e saj. Ajo është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe në vitin 2023 ka kaluar me sukses procesin e Vettingut, duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, çka i ka dhënë vijimësi karrierës së saj në Prokurorinë e Tiranës. Rovena Zoto u vu në qendër të vëmendjes 3 muajsh, në momentin kur Policia e Tiranës, falë bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet austriake dhe mbështetjen e Europolit dhe hetimeve të udhëhequra nga prokurorja e Tiranës, goditën 3 call-centera në krye të të cilave ishte Granit Pepnikaj. Pikërisht këmbëngulja dhe puna e gjatë hetimore ka qenë vendimtare në dokumentimin e skemës dhe identifikimin e personave të përfshirë, në një terren ku më herët janë raportuar edhe vështirësi në goditjen e plotë të këtij lloj aktiviteti kriminal.
Ylli Pjetërnika
Ylli Pjetërnikaj është prokuror dhe pedagog në Shkollën e Magjistraturës, me gradën shkencore “Doktor i Shkencave” në fushën e së drejtës. Përgjatë karrierës së tij ka ushtruar detyrën e prokurorit në Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë, ndërsa një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të tij lidhet edhe me kërkimin shkencor dhe mësimdhënien. Pjetërnikaj është autor dhe bashkautor i disa botimeve në fushën e së drejtës penale dhe është specializuar në krimin kibernetik në Cranfield University, në kuadër të programit Chevening Ëestern Balkans Cyber Security Felloëship. Ai është gjithashtu anëtar i Bordit Editorial të International Association of Prosecutors dhe i Association Internationale de Droit Penal . Gjatë viteve ka kontribuar në hartimin e legjislacionit penal, procesin e reformës në drejtësi dhe në përfaqësimin e Shqipërisë në forume ndërkombëtare të nivelit të lartë. /newsbomb/
