E hënë, 27 Korrik, 2026

Shehaj vjedh marrëveshjen sekrete me SHBA dhe ikën me vrap! PS kërkon përjashtimin me 60 ditë nga Kuvendi: Të referohet edhe në SPAK 

Share

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka arritur që të vjedhë nga Kuvendi një dokument sekret, marrëveshjen ushtarake Shqipëri-SHBA e cila u fut në rend ditën e sotme me urgjencë. Në këto pamje të siguruara nga Report Tv, dallohet fare qartë momenti kur pasi Shehaj ka marrë dokumentin në duar është larguar me vrap nga salla e Kuvendit, ndonëse këshilltarja e ndjek nga pas me vrap dhe dëgjohet t’i thotë të ndalojë.

Marrëveshja përmes së cilës Shqipëria do të marrë 203 milionë dollarë kredi për blerjen e pajisjeve ushtarake përmban informacion të klasifikuar dhe për këtë arsye që në nisje të seancës kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u bëri me dije ligjvënësve se duhej të firmosin deklaratë konfidencialiteti dhe ta lexonin atë brenda ambienteve të Kuvendit. Por, Shehaj e vodhi deklaratën dhe e nxori jashtë sallës ku duhej ta lexonte materialin e klasifikuar, ndonëse kjo përbën shkelje të legjislacionit për informacionin e klasifikuar.

Edhe pse deputeti deklaroi se e ka kthyer pas dokumentin, reagimi i grupit parlamentar të PS ishte i menjëhershëm duke kërkuar përjashtimin e Shehaj me 60 ditë nga punimet e Kuvendit pasi vodhi informacionin e klasifikuar, por edhe se vuri në rrezik stafin e kuvendit. Në kërkesën e grupit të PS, të cilën Report Tv e disponon, thuhet se këshilltarja që ndoqi Shehaj me vrap nga pas është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar lëndime.

“Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda. Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjellje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në kërkesë.

Po ashtu, PS i kërkon Kuvendit që të referojë materialet për Shehajn edhe në SPAK pasi sipas tyre ka kryer 5 vepra penale.

Te tjera

Lajme te tjera