E enjte, 13 Gusht, 2026

Zv/kryeministrja Koçi: Shqipëria lider në Ballkanin Perëndimor për performancën mjedisore, progresi ynë drejt standardeve europiane

Share

Zv/kryeministrja Koçi ka reaguar pas publikimit të rezultateve të Indeksit të Performancës Mjedisore (Environmental Performance Index – EPI) 2026, ku Shqipëria renditet e para ndër vendet e Ballkanit Perëndimor.

Koçi e ka cilësuar këtë vlerësim si një tregues të qartë të progresit të bërë nga Shqipëria në politikat për mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike. Sipas saj, rezultatet e EPI 2026 dëshmojnë se reformat e ndërmarra po sjellin rezultate konkrete dhe të matshme.

“Shqipëria është renditur në vendin e 46-të nga 177 shtete në botë, me 49.22 pikë, duke kryesuar Ballkanin Perëndimor. Gjatë dhjetë viteve të fundit kemi shënuar progresin më të madh në rajon, me një përmirësim prej 10.96 pikësh”, ka deklaruar zv/kryeministrja Koçi.

Ajo ka veçuar veçanërisht performancën e Shqipërisë në Zbutjen e Ndryshimeve Klimatike, ku vendi renditet i 21-ti në botë, me një rritje prej 29.79 pikësh gjatë dekadës së fundit.

Sipas Koçit, ky rezultat është pjesë e rrugëtimit europian të Shqipërisë, ku standardet mjedisore janë një nga prioritetet kryesore.

“Ky progres na motivon të vijojmë punën për një mjedis më të pastër, për politika të qëndrueshme dhe për ta afruar Shqipërinë gjithnjë e më shumë me standardet europiane”, është shprehur zv/kryeministrja.

Koçi ka theksuar se objektivi mbetet shndërrimi i këtyre arritjeve në standarde të qëndrueshme që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe mbrojnë pasuritë natyrore të vendit.

Te tjera

Lajme te tjera