E hënë, 27 Korrik, 2026

Protesta/ Hita: Sulm i koordinuar ndaj bizneseve të turizmit! Mbi 10 mijë llogari në rrjete po japin review negative, po i verifikojmë! Cenohet ekonomia dhe imazhi i vendit

Share

Mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale me modele aktiviteti të dyshimtë, të cilat po verifikohen nga strukturat e Krimit Kibernetikë në Policinë e Shtetit, po përdoren për të sulmuar bizneset në të gjithë vendin. Në një konferencë për mediat, kryepolici Skënder Hita, foli për dyshime të një sinkronizimi total të tyre për dhënien e vlerësimeve negative në platformat e vlerësimit, kryesisht në Google.

Pas thirrjeve në protestë që ndaj bizneseve të turizmit të vendosen përshtypje negative, drejtori i Policisë së Shtetit tha se disa biznese kanë bërë kallëzime, ndërsa theksoi se deri më tani 150 persona janë identifikuar se qëndrojnë pas këtyre sulmeve. Ndërsa për të tjerë që kanë përdorur llogari false, po punohet për identifikimin e tyre.

“Nga veprimet e para verifikuese, administrimi i kallëzimeve dhe analiza e të dhënave të siguruara deri në këtë fazë, rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat ndërkombëtare të vlerësimit të hoteleve, restoranteve, resorteve dhe destinacioneve turistike”, tha Hita.

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, këto llogari publikuan në masë, komente dhe vlerësime negative, me qëllim krijimin e një perceptimi të rremë dhe dëmtimin artificial të reputacionit online të bizneseve shqiptare. Mënyra e veprimit e bën policinë të dyshojë për një “punë të organizuar”.

“Janë evidentuar raste ku e njëjta llogari ka publikuar, brenda një kohe shumë të shkurtër, vlerësime negative për biznese në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Elbasanin, Shkodrën dhe Korçën.

Sinkronizimi kohor, ngjashmëria e përmbajtjes dhe mënyra e shpërndarjes së aktivitetit përbëjnë tregues kyç që po analizohen nga grupi hetimor për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një veprimtari të organizuar”, tha Hita.

Ky sulm i koordinuar, sipas Hitës, shkon përtej biznesit, deri në goditje të turizmit.

“Një aktivitet i tillë, nëse provohet se është i qëllimshëm, nuk cenon vetëm interesat e bizneseve të prekura, por prek dhe konkurrencën e ndershme, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik” vijoi Hita.

Për herë të parë, Hita iu përgjigj akuzave për dhunë në protestën që “revolucioni flamingo” po zhvillon prej 40 ditësh, verifikim që po bëhet edhe nga AMP.

“Në asnjë moment, Policia nuk ka ushtruar dhunë si në bllokun e sigurisë, apo gjatë momenteve që kanë qenë të shoqëruar gjatë komisariateve përkatëse”, theksoi ai.

Kryepolici hodhi poshtë pretendimet se Policia e Shtetit po anashkalohet nga SPAK në operacione, nisur nga ekzekutimi i arrestit të Adi Çobës nga BKH në Durrës.

“Policia ka qenë prezent duke kryer një sërë veprimesh por ata kanë atributin ligjor si oficer i BKH të kryejnë veprime edhe vetë në terren. S’ka vend për aludim. Kjo ka qenë zgjedhja që ata kanë menduar. Është vetëm një aludim, ose hamendeshim që ndodh”, tha Hita.

Te tjera

Lajme te tjera