E hënë, 10 Gusht, 2026

Çmenduri në Botëror! Një lokal në SHBA shiti mbi 45 mijë birra gjatë vetëm një ndeshjeje

Share

Kupa e Botës nuk po sjell spektakël vetëm në fushën e blertë, por edhe jashtë stadiumeve. Një bar në Dallas ka hyrë në histori pasi shiti më shumë se 45 mijë birra gjatë vetëm një ndeshjeje të fazës së grupeve, duke vendosur një rekord të pazakontë.

Ngjarja ndodhi më 17 qershor, kur Anglia dhe Kroacia u përballën në stadiumin AT&T në Arlington, pranë Dallasit. Mijëra tifozë të dy kombëtareve pushtuan zonën për të ndjekur sfidën, e cila përfundoi me fitoren 4-2 të Anglisë.

Sipas të dhënave të publikuara, lokali “Sports Bar Texas Live!” shiti plot 45.349 birra gjatë asaj dite. Temperaturat e larta i shtynë shumë tifozë të kërkonin ambiente me ajër të kondicionuar, duke e kthyer lokalin në një nga pikat më të frekuentuara të qytetit.

Drejtuesit e barit deklaruan se ky volum shitjesh tejkaloi edhe rekordet e vendosura gjatë ndeshjeve të “playoff”-it të ekipit të futbollit amerikan Dallas Cowboys, që konsiderohen ndër eventet sportive më të ndjekura në zonë.

Atmosfera festive kishte nisur disa ditë më herët. Më 13 qershor, pub-i britanik “The Londoner”, gjithashtu në Dallas, shiti rreth 5.000 birra brenda një mbrëmjeje, ndërsa tifozët anglezë festuan ardhjen e tyre në SHBA përpara debutimit në Botëror.

Pronarët e lokalit thanë se pati vështirësi për t’i larguar tifozët në orën e mbylljes, pasi festa vazhdoi deri në orët e vona. Botërori 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, po dëshmon se pasioni i tifozëve po thyen rekorde jo vetëm në tribuna, por edhe në baret përreth stadiumeve.

Te tjera

Lajme te tjera