Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit ka vijuar gjatë fundjavës punën për mirëmbajtjen dhe pastrimin e zonave përgjatë Unazës së Madhe, një nga akset më të rëndësishme të kryeqytetit.
Në kuadër të ndërhyrjeve të planifikuara, ekipet në terren realizuan aksionin për pastrimin e nënkalimeve, me mbështetjen e Policia Bashkiake Tiranë, duke synuar përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe garantimin e një mjedisi më të pastër në hapësirat publike.
Puna e përditshme e DPPGJ-së vijon në të gjithë territorin e Tiranës, me fokus mirëmbajtjen e infrastrukturës urbane, pastrimin e zonave me frekuentim të lartë dhe rritjen e standardeve të pastërtisë në qytet.
Përmes këtyre ndërhyrjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit konfirmon angazhimin e saj të vazhdueshëm për një Tiranë më të pastër, më të mirëmbajtur dhe më funksionale për të gjithë qytetarët.
