E premte, 25 Shtator, 2026

Trump: Nënshkrova marrëveshjen e paqes me Iranin, Teherani e konfirmon! Media: Anulohet ceremonia e firmosjes që u planifikua në Zvicër 

Share

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump dhe ai i Iranit Masoud Pezeshkian kanë nënshkruar marrëveshjen e armëpushimit. Lajmi është konfirmuar nga vetë Trump, i cili e firmosi marrëveshjen në Versajë gjatë darkës me presidentin francez Emmanuel Macron. Lajmi është konfirmuar dhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baghaei, i cili shtoi se “kostoja e shkeljes do të jetë shumë e lartë”.

Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar nga SHBA-të dhe Irani përfaqëson një “dështim” për Shtetet e Bashkuara, tha kryenegociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf.

“Marrëveshja është provë e dështimit të Shteteve të Bashkuara. Njerëzit do ta shohin dhe do ta gjykojnë“, tha Ghalibaf pasi teksti u publikua nga të dyja palët, duke shtuar se Teherani do të aplikojë tarifa për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit pas periudhës 60-ditore të përjashtimit të parashikuar në memorandumin e mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara.

“Do të hyjë në fuqi menjëherë dhe, si hap i parë, Irani do ta rihapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta heqin bllokadën detare“, shkroi kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif në platformwn X. Efektet janë të prekshme: njëmbëdhjetë anije iraniane kanë kaluar zonën e bllokadës detare amerikane në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë sipas BBC, ceremonia e planifikuar për nesër në Gjenevë është anuluar pasi memorandumi i mirëkuptimit është nënshkruar tashmë në mënyrë të largët mes SHBA-së dhe Iranit.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar deklaroi për BBC se ceremonia fizike nuk do të zhvillohet më, duke sqaruar se marrëveshja është formalizuar tashmë përmes nënshkrimit online.

Sipas BBC, dyshimet për zhvillimin e ceremonisë nisën pasi Sharif ndryshoi postimin e tij në platformën X, duke hequr pjesën që përmendte organizimin e ceremonisë zyrtare në Zvicër me mbështetjen e Katarit.

Te tjera

Lajme te tjera