E mërkurë, 20 Maj, 2026

Çfarë ndodh nëse Amerika tërhiqet? Plani sekret i Evropës për të zëvendësuar NATO-n

Share

Ushtarët e brigadës “Black Jack” palosën ceremonialisht flamujt e njësisë së tyre në bazën Fort Hood në Teksas, në fillim të majit, ndërsa 4 mijë trupat e njësisë së tankeve përgatiteshin për t’u dislokuar në Poloni.

Misioni i tyre ishte forcimi i mbrojtjes së NATO-s ndaj kërcënimit rus.

“Kur një brigadë e blinduar dislokohet përpara, ajo dërgon një sinjal të qartë dhe të padiskutueshëm,” deklaroi gjatë ceremonisë gjenerali Thomas Feltey, komandant i divizionit.

Por më pak se dy javë më vonë, Shtetet e Bashkuara dhanë sinjalin e kundërt, dislokimi u anulua.

Ishte hera e dytë brenda muajit që presidenti Donald Trump njoftonte reduktime të pranisë ushtarake amerikane në Europë. Më herët, ai kishte deklaruar tërheqjen e 5 mijë trupave nga Gjermania dhe reduktime të tjera në vende të ndryshme europiane, duke reflektuar pakënaqësinë e tij për mungesën e mbështetjes europiane ndaj luftës së SHBA-së kundër Iranit.

Që prej fillimit të mandatit të tij të dytë, Trump ka hedhur vazhdimisht dyshime mbi përkushtimin e tij ndaj NATO-s dhe nenit 5 të aleancës, që garanton mbrojtjen kolektive të anëtarëve. Kjo ka nxitur një rritje të shumëpritur të shpenzimeve ushtarake në Europë.

Megjithatë, muajt e fundit ai ka shkuar edhe më tej, duke shpallur reduktime të papritura trupash dhe duke anuluar dislokimin në Gjermani të një njësie raketash lundruese, e cila konsiderohej thelbësore për mbrojtjen europiane.

Tërheqja e shpejtë ka tronditur bindjen europiane se do të kishin kohë të mjaftueshme për të ndërtuar kapacitetet e tyre ushtarake dhe për të zëvendësuar asetet kyçe amerikane, si inteligjenca dhe sistemet e mbikëqyrjes. Ndërkohë, përdorimi masiv i raketave amerikane në konfliktin me Iranin po vonon dërgesat për aleatët europianë dhe Ukrainën, pasi Uashingtoni po rindërton rezervat e veta.

Brenda NATO-s po shtohet shqetësimi se SHBA-ja jo vetëm mund të qëndrojë jashtë një lufte me Rusinë, por potencialisht edhe të pengojë reagimin e aleatëve të tjerë. Kjo frikë u shtua sidomos pas deklaratës së Trump në janar, kur ai kërcënoi se mund të merrte Groenlandën nga Danimarka.

Edhe pse shumë zyrtarë e konsiderojnë këtë skenar të largët, intervistat me oficerë të lartë dhe zyrtarë të mbrojtjes nga disa vende të NATO-s tregojnë se rreziku po merret seriozisht.

Sipas analizës së The Economist”, disa ushtri europiane kanë nisur fshehurazi të hartojnë plane për të luftuar jo vetëm pa ndihmën amerikane, por edhe pa pjesën më të madhe të strukturës komanduese të NATO-s.

“Kriza e Groenlandës ishte një kambanë alarmi,” tha një zyrtar suedez i mbrojtjes. “E kuptuam se na duhet një plan B.”

Asnjë prej zyrtarëve të intervistuar nuk pranoi të fliste publikisht, nga frika se deklarata të tilla mund të përshpejtonin largimin amerikan nga Europa. Sipas një burimi të aleancës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, “e ka ndaluar praktikisht diskutimin publik për këtë çështje, sepse beson se mund t’i hedhë benzinë zjarrit”.

Analistë të sigurisë në Finlandë dhe vende të tjera nordike po diskutojnë gjithnjë e më hapur mënyrën se si Europa mund të organizojë mbrojtjen nëse NATO “pushon së funksionuari”.

Pyetja kryesore është kush do ta komandojë mbrojtjen europiane nëse SHBA-ja bllokon NATO-n?

Ndryshe nga shumica e aleancave ushtarake, NATO funksionon si një strukturë e centralizuar, e drejtuar tradicionalisht nga Komandanti Suprem Aleat për Europën (SACEUR), një gjeneral amerikan që drejton edhe forcat amerikane në kontinent.

Kjo strukturë ka qenë për dekada “ngjitësi” që ka mbajtur aleancën të bashkuar.

“Pa SHBA-në do të shihnim fragmentim të sistemit të parandalimit ushtarak,” deklaroi Luis Simón, drejtor i Qendrës për Siguri, Diplomaci dhe Strategji në Universitetin e Lirë të Brukselit.

Për këtë arsye, një “plan B” europian nuk nënkupton vetëm më shumë armë, por edhe krijimin e një strukture të re komanduese.

Sipas analizës, bërthama e një sistemi alternativ do të mund të përbëhej nga vendet baltike dhe nordike, së bashku me Poloninë. Këto shtete ndajnë të njëjtin perceptim të kërcënimit rus dhe kanë interesa të përbashkëta sigurie.

Një nga alternativat më të diskutuara është Forca e Përbashkët Ekspeditare (JEF), një koalicion prej dhjetë vendesh të udhëhequr nga Britania e Madhe, me seli pranë Londrës.

E krijuar në vitin 2014, JEF fillimisht synonte reagim të shpejtë ndaj krizave që nuk arrinin pragun e aktivizimit të nenit 5 të NATO-s. Pas anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në vitin 2017, roli i saj është zgjeruar ndjeshëm.

Ndryshe nga NATO, JEF mund të veprojë pa nevojën e konsensusit unanim të të gjitha vendeve anëtare.

Struktura ka tashmë kapacitete të veta në inteligjencë, planifikim dhe logjistikë, si edhe rrjete të sigurta komunikimi që nuk varen drejtpërdrejt nga NATO. Për më tepër, prania britanike ofron edhe një element të frenimit bërthamor.

Megjithatë, analistët vërejnë se JEF mbetet e përqendruar kryesisht në rajonin nordik dhe baltik, ndërsa i mungojnë fuqi të mëdha europiane si Franca, Gjermania dhe Polonia.

Ka gjithashtu shqetësime mbi gatishmërinë ushtarake britanike pas viteve të nënfinancimit.

“Anglia është xhaxhai i preferuar i të gjithëve,” tha me ironi një zyrtar europian.

“Por po vuan nga sindroma ‘Downton Abbey’: ruan fasadën, por nuk ka fondet e nevojshme.”

Sipas analizës, përfshirja e Gjermanisë, e cila po rrit ndjeshëm buxhetin ushtarak, mund të zbusë disa nga këto dobësi.

Megjithatë, përfundimi i shumë zyrtarëve europianë është i qartë: Europa do të duhet të ndërtojë një formë të re mbrojtjeje të përbashkët nëse SHBA-ja tërhiqet gradualisht nga kontinenti.

Sepse, siç theksohet në analizë, “një parandalim ushtarak i mbështetur tek dikush që mund të mos paraqitet fare, nuk është parandalim i vërtetë.”

Te tjera

Lajme te tjera