E mërkurë, 20 Maj, 2026

Lufta zbraz Dubain, milionerët dhe bosët e krimit kërkojnë strehë të re!

Share

Jeta në Dubai dikur konsiderohej një nga format më të rehatshme të ekzistencës për të huajt e pasur, por edhe personazhe të krimit.

Shkollat private cilësoheshin ndër më të mirat, plazhet tërheqëse, lidhjet ajrore të shumta dhe alkooli i ligjshëm për shumicën e banorëve të huaj. Nuk kishte tatim mbi të ardhurat, kontrolle të bezdisshme financiare apo paragjykime sociale që pengonin bashkëjetesën mes milionerëve kinezë të kriptomonedhave, oligarkëve rusë, bankierëve perëndimorë, investitorëve arabë të pasurive të paluajtshme dhe sipërmarrësve izraelitë.

Për shumë vite, shqetësimi më i madh i të huajve në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte vetëm forca e kremit kundër diellit. Por kjo atmosferë ka nisur të ndryshojë pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit dhe tensioneve që pasuan në rajon.

Tashmë avantazhet e Dubait po peshohen kundrejt një rreziku të ri: mundësisë që raketa apo dronë iranianë të godasin hotele, rezidenca luksoze apo infrastrukturë kritike në Emirate. Një incident i 18 majit, sipas raportimeve, mund të ketë pasur në shënjestër edhe centralin e vetëm bërthamor të Emirateve.

Edhe pse shumica e sulmeve janë neutralizuar përpara se të shkaktojnë dëme serioze, shumë të huaj me mundësi financiare kanë zgjedhur të largohen përkohësisht, në vend që të presin një përshkallëzim të mëtejshëm. Disa siguruan vendet e fundit në fluturimet drejt Europës dhe SHBA-së. Të tjerë udhëtuan me makinë drejt Omanit, në kërkim të rrugëve alternative të largimit.

Fillimisht, shumë prej tyre mendonin të riktheheshin sapo tensionet të uleshin. Por me vazhdimin e krizës, gjithnjë e më shumë po kërkojnë një destinacion të ri, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.

Sipas vlerësimeve, para luftës në Emirate jetonin rreth 3 deri në 4 milionë të huaj të pasur dhe familjet e tyre, ndërsa mbi 240 mijë prej tyre ishin milionerë. Pjesa më e madhe ishte përqendruar në Dubai, i cili tani po përjeton edhe pjesën më të madhe të largimeve.

Këshilltarët financiarë dhe firmat që merren me migrimin e personave me pasuri të lartë raportojnë rritje të fortë të interesit për vende të tjera. Sipas kompanisë Henley & Partners, kërkesat nga banorët e Emirateve për alternativa të reja janë rritur me mbi 40% gjatë javëve të fundit.

Në garën për tërheqjen e të pasurve janë futur më shumë se 35 vende. Destinacione tradicionale si Zelanda e Re dhe Malta po konkurrohen nga vende si Maldivet, që po lançojnë skema të reja rezidence për investitorët, apo Argjentina, e cila pritet të ofrojë shtetësi për investitorë të mëdhenj.

Një nga destinacionet që po fiton më shumë terren është Milano. Avokatë fiskalë dhe agjentë të pasurive të paluajtshme në Itali raportojnë rritje të ndjeshme të interesit nga banorët e Gjirit Persik.

Për shumë të pasur, Milano ofron një kombinim tërheqës mes luksit, rrjeteve financiare dhe avantazheve tatimore. Qyteti është kthyer vitet e fundit në një qendër të rëndësishme për fondet amerikane të investimeve, ndërsa sistemi italian i taksimit për të huajt me të ardhura të larta konsiderohet relativisht favorizues.

Prindërit mund të zgjedhin mes shkollave ndërkombëtare amerikane, britanike, franceze apo gjermane, ndërsa klima dhe stili europian i jetesës mbeten një tjetër faktor tërheqës.

Për qytetarët jashtë Bashkimit Europian, rezidenca në Itali mund të sigurohet përmes investimeve në kompani italiane, startup-e apo bono qeveritare.

Një alternativë tjetër gjithnjë e më e preferuar, sidomos për aziatikët, është Singapori. Në vitet e fundit Dubai kishte tërhequr shumë investitorë indianë dhe kinezë falë luksit të pakufizuar dhe rregullave më fleksibël. Por tani imazhi më konservator i Singaporit po shihet si avantazh.

Sistemi ligjor i parashikueshëm, administrata efikase dhe infrastruktura e zhvilluar financiare po tërheqin kapital të ri. Bankat e mëdha në Singapor raportojnë rritje të hyrjes së pasurisë nga Emiratet, ndërsa importet e arit nga Emiratet drejt Singaporit janë katërfishuar që nga janari.

Megjithatë, as Milano dhe as Singapori nuk konsiderohen zëvendësime perfekte për Dubain. Në Europë, oligarkët rusë përballen me kufizime dhe presion politik për shkak të luftës në Ukrainë. Ndërkohë Singapori aplikon taksa të larta mbi të ardhurat dhe rregulla shumë më të rrepta për kontrollin e kapitalit dhe burimin e pasurisë.

Ekspertët vlerësojnë se një pjesë e kapitalit të lidhur me kriptomonedhat dhe bizneset më pak transparente do të mbetet në Lindjen e Mesme, pikërisht për shkak të fleksibilitetit që ofrojnë Emiratet.

Shumë kompani ndërkombëtare që lejuan punonjësit e tyre të pasur të largoheshin përkohësisht në qytete si Milano apo Londra, pritet t’i rikthejnë ata në Dubai sapo situata të stabilizohet.

Megjithatë, ndërsa lufta vazhdon, ndjenja e sigurisë që dikur e bënte Dubain magnet për elitën globale financiare duket se është tronditur. Dhe sa më gjatë të zgjasë pasiguria, aq më shumë të huaj do të fillojnë të ndërtojnë jetën diku tjetër. /Përshtatur nga “Economist

Te tjera

Lajme te tjera