Vjosa Osmani duket se do të jetë përballë Albin Kurtit në zgjedhjet e 7 qershorit.
Pasi u largua nga posti i presidentes, Osmani ka vendosur që të rikthehet në politikën aktive në partinë ku aderoi dikur, Lidhja Demokratike e Kosovës. Ka qenë Lumir Abdixhiku i cili tha se dhe është rënë dakord me Osmanin që të hyjnë në zgjedhje me një listë të përbashkët.
“Me votim në këtë trup u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar proceset. Pikë ishte edhe bashkimi i madh për të cilin jemi angazhuar, i njoftova me procesin. U dakorduam të formalizojmë me Vjosa Osmanin garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme”, tha Abdixhiku në një prononcim të dhënë për mediat vendase.
Në fjalën e mbajtur para gazetarëve, kreu i LDK-së u shpreh se temat kryesore e mbledhjes së sotme ishte “bashkimi i madh”, që sipas tij, LDK-ja është angazhuar në periudhën e fundit.
“Pikë e veçantë e këtij takimi ishte edhe natyrisht bashkimi i madh për të cilin po flasim e për të cilin jemi angazhuar”, deklaroi ai.
Po ashtu, politikani bëri me dije se anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e degëve janë informuar për procesin e deritanishëm të diskutimeve. Ndërsa nënvizoi për të dytën herë se gjatë mbledhjes pati dakordësime për garimin e përbashkët me Osmanin.
“I njoftova edhe Kryesinë edhe kryetarët e degëve me procesin e deritanishëm. Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”, tha më tej Abdixhiku.
Mediat bëjnë me dije se bëhet fjalë për dakoërdsim të dyshes për ndarjen e saktë të roleve në nivel shtetëror, ku Vjosa Osmani pritet të jetë kandidate për Presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku synon postin e Kryeministrit.
