E shtunë, 18 Prill, 2026

Osmani në garë për mandatin e dytë, Kurti me sytë nga familja Jashari, ngërçi për presidentin e shtyn Kosovën drejt një krize të re politike! Si funksionon zgjedhja e presidentit dhe pse duhen 80 vota

Share

Kosova ka hyrë në ditët vendimtare. Presidenti i ri i vendit duhet të zgjidhet deri më 4 mars. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pa shumë dramë, pa shumë zhurmë, thjesht bie Kuvendi dhe nis një tjetër fushatë.

Si funksionon zgjedhja e presidentit dhe pse duhen 80 vota

Problemi është i thjeshtë në letër, por i ndërlikuar në politikë: në dy raundet e para duhen 80 deputetë në sallë.

Vetëm nëse këto dy raunde “konsumohen” me kuorum të plotë, atëherë në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota. Nëse në dy raundet e para nuk janë prezentë 80 deputetë që votojnë, procesi bie dhe nuk vazhdohet fare.

Këtë e ka sqaruar në detaje Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në aktgjykimin për rastin e Hashim Thaçi, pas polemikave që patën lindur më herët edhe me rastin e Behgjet Pacollit. 

Në atë rast, Gjykata Kushtetuese zbuloi shkelje, sepse në raundin e parë kishin marrë pjesë më pak se 80 deputetë dhe nuk kishte dy kandidatë në garë.

Në pikën 64 të të njëjtit aktgjykim thuhet: “Në mënyrë që raundi i parë i votimit të jetë i vlefshëm, të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i parë do të jetë i pavlefshëm. Rrjedhimisht, nuk mund të mbahet raundi i dytë. Në mënyrë që raundi i dytë i votimit të jetë i vlefshëm, i njëjti numër, pra të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit, duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Nëse ky kusht nuk plotësohet, raundi i dytë i votimit do të jetë i pavlefshëm. Vetëm atëherë kur raundi i parë dhe raundi i dytë janë të vlefshëm, mbahet raundi i tretë. Për të qenë i vlefshëm, raundi i tretë kërkon të paktën praninë dhe votimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.”

Pra, nuk mjafton vetëm të mblidhen 61 vota për një emër. Së pari duhet të sigurohen 80 deputetë në sallë që votojnë. Dhe këtu nis ngërçi.

Asnjë parti s’ka shumicën, nisin negociatat politike

Pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2025, asnjë parti në Kosovë sot nuk i ka e vetme 80 votat. As mazhoranca, as opozita. Për këtë arsye kanë nisur takimet intensive mes liderëve.

Në fillim Kryeministri Albin Kurti takoi  kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i cili tha se PDK nuk do të jetë pengesë për procese shtetërore, por nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitet qytetar dhe frymë kushtetuese.

Ai ishte i kujdesshëm sidomos kur u përmend familja Jashari, duke thënë se për atë familje flet gjithmonë me respekt dhe nuk hyn në emra përpara se të ketë një kandidaturë zyrtare në Kuvend.

Nga ana tjetër, Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar një marrëveshje klasike politike. Ai ka lënë të hapur disa opsione: nga një vendim i përbashkët i partisë, deri te mundësia që deputetët të votojnë sipas bindjes së tyre individuale. Por një gjë ama e ka pranuar,  nuk ka ende një orientim për çështjen e presidentit.

Osmani dhe karta pro-amerikane

Në këtë mes është presidentja aktuale Vjosa Osmani, e cila kërkon një mandat të dytë. Ajo synon të qëndrojë edhe pesë vite në krye të shtetit, duke e mbështetur pretendimin e saj te “punët e mira që janë nisur” gjatë mandatit aktual dhe te profili i saj i theksuar pro-amerikan.

Por sinjalet nga shumica nuk janë të qarta. Albin Kurti ka deklaruar se Vetëvendosje nuk ka mbledhur nënshkrime për asnjë emër, përfshirë Osmanin. Sipas raportimeve në media, ai i ka kërkuar presidentes që të sigurojë fillimisht 30 nënshkrime për ta futur kandidaturën në procedurë parlamentare, e më pas do të mund të llogarisë në votat e LVV-së.

Në të njëjtën kohë, Osmani është shfaqur pranë presidentit Donald Trump dhe ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes në Davos, si pjesë e angazhimit të saj ndërkombëtar.

Megjithatë, kjo lëvizje nuk ka marrë ndonjë mbështetje publike nga Vetëvendosje. Kurti ka qenë i rezervuar në komente specifike mbi Bordin e Paqes ndërkohë që partia nuk ka dhënë as sinjale se rizgjedhja e saj është punë e mbyllur.

Edhe vetë Osmani, në një paraqitje të fundit publike, është shprehur se “rizgjedhja ime është në duart e deputetëve”, duke e lënë të hapur rezultatin.

Opozita kundër mandatit të dytë

Paralelisht, opozita e sheh të papranueshëm një mandat të dytë për të, çka e bën matematikën parlamentare edhe më të vështirë. Nëse ajo nuk arrin t’i sigurojë 30 nënshkrimet për ta shpallur kandidaturën dhe më pas 80 deputetë në sallë për raundet e para, skenari i zgjedhjeve mbetet plotësisht real.

Analisti Afrim Kasolli e sheh situatën si një përsëritje të vitit të kaluar. Në një intervistë për RTV21, ai tha se partitë opozitare po bëjnë llogari se kush do të ketë më pak faj nëse vendi përfundon në krizë.

Ai vlerëson se LVV nuk ka interes ta mbështesë Osmanin për një mandat tjetër dhe se Kurtit do t’i leverdiste më shumë një president me sfond heroik apo patriotik, sidomos në kontekstin e zotimeve që ka marrë në Bruksel. Sipas tij, mes Kurtit dhe Osmanit ka pasur rivalitet, sidomos në performancën ndërkombëtare.

Emrat nga familja Jashari që përmenden në media

Vijmë tani tek familja Jashari. Ditët e fundit, Kurti ka shkuar në kullën e Jasharëve dhe ka takuar Rifat Jasharin. Vetë ai e ka pranuar vizitën dhe ka thënë se kanë folur për zhvillime politike, por pa dhënë detaje.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, preferencat e Kurtit janë për Bashkim Jasharin, komandantin aktual të FSK-së, ose për Bekim Jasharin, ish-kryetar i Skenderajt. Ndërsa Rifat Jashari preferon Murat Jasharin si kandidat për president.

Deri tani, asnjë parti nuk e ka kundërshtuar hapur një emër nga familja Jashari. Por asnjëra nuk është rreshtuar qartë pas një kandidature konkrete.

President i ri ose fushatë e re, skenari final sipas ekspertëve

Ndërkohë, hulumtuesi i KDI-së Eugen Cakolli e thotë qartë për RTV21: zgjedhjet janë opsion real, po aq sa zgjedhja e presidentit. Sipas tij, nëse dështojnë raundet dhe nuk ka kuorum sipas rregullave të vendosura nga Gjykata Kushtetuese, vendi shkon në zgjedhje, me data të mundshme në prill ose maj.

Pra skenari është i prerë. Ose arrihet një marrëveshje politike që siguron 80 deputetë në sallë dhe një emër që kalon në votim, ose 4 marsi e çon vendin drejt një tjetër cikli elektoral. Dhe në këtë fazë, gjithçka duket e hapur, nga mandati i dytë i Osmanit, te një emër nga familja Jashari, deri te zgjedhjet e reja.

Te tjera

Lajme te tjera