E shtunë, 31 Janar, 2026

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ vendos për rinumërim të plotë të votave për kandidatët në 28 komuna

Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur rinumërim të plotë të të gjitha votave në të 28 komuna.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniç deklaroi se procesi i rinumërimit të votave nxorri në pah pasaktësi të theksuara në numërimin e votave për kandidatët, ndërsa votat e subjekteve politike rezultojnë kryesisht të sakta.

Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.

Vendimi i sotëm vjen pasi gjatë rinumërimit të pjesshëm u vërejtën dallime të mëdha në votat për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit 2025. Për shkak të këtyre pasaktësive, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave.

“Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për Operacione Zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore: Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat tjera; Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit. Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksojmë se gjetjet nga procesi i rinumërimit do t’i adresojmë në Prokurorinë e Shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrojmë bashkëpunimin e plotë institucional në procesin hetimor”, u shpreh Radoniçi.

Kujtojmë që partia e cila triumfoi në zgjedhje ishte Lëvizja Vetëvendosje, duke marrë 57 mandate. Partia e Albin Kurtit arriti të marrë sërish besimin e publikut pas muajsh të tërë krize politike.

Te tjera

Lajme te tjera