Në Katedralën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u zhvillua mëngjesin e kësaj të enjteje të 25 dhjetorit, Liturgjia Hyjnore për Lindjen e Krishtit.
Mesha e Shenjtë e Krishtlindjeve u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, bashkë me klerikë të kryepeshkopatës.
Besimtarët e shumtë që mbushën Katedralen, morën mesazhe shprese në ditën e lindjes së Jezu Krishtit.
Pas meshës, At Grigor Peleshi në një prononcim për “Ora News” solli në vëmendje rëndësinë e kësaj dite të shënuar.
“Është dita kur Perëndia vend të përmbushë premtimin e tij”, u shpreh At Grigor Pelushi.
Pjesë nga intervista e At Grigorit:
Gazetari: Pranë meje është At Grigor Pelushi, mbi të gjitha një mik i medias. Atë, fillimisht gëzuar Krishtlindjen! Çfarë simbolizon kjo ditë për të gjithë besimtarët e krishterë?
At Grigor Pelushi: Gëzuar të gjithë besimtarëve dhe gjithë shqiptarëve kudo ku ata janë dhe jetojnë! Sot është një ditë shumë e veçantë e kalendarit ortodoks. Është festa e Krishtlindjes, një festë mjaft e gëzueshme sepse ka të bëjë me themelimin e këtij besimi; aty zë fill krishtërimi. Është një ditë e veçantë sepse Perëndia vendos të përmbushë premtimin e Tij. Ne kemi lexuar në Shkrimin e Shenjtë se çdo gjë që Perëndia thotë, do të përmbushet. Perëndia u kishte premtuar njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, se nga fara e gruas do të lindë një Shpëtimtar që do të shtypë kokën e gjarprit. Ky Shpëtimtar, i cili pritej prej kohësh, kërkoi shekuj që të përgatitej gjendja njerëzore për ta pritur Atë.
U zgjodh një popull siç ishte ai judaik, populli hebre. Pas qindra e qindra viteve, mbasi njerëzimi kaloi në peripeci dhe situata të ndryshme, vjen lajmi i madh i lindjes së Krishtit. Krishti lindi në Betlehem, pikërisht aty ku ishte origjina e nënës së Tij dhe e kujdestarit të Tij, Shën Josifit. Të parët që e morën lajmin e lindjes së Zotit ishin barinjtë, sepse ata ishin duke kullotur bagëtitë e tyre kur iu shfaq një mori engjësh. Ata dëgjuan himnin: “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, njerëzve mirëdashje!”. Më pas ishin magët, disa mbretër që erdhën nga Babilonia e largët, të cilët kishin parë një yll që lëvizte në formë të çuditshme dhe e ndoqën atë deri në shpellën e Betlehemit, atje ku lindi foshnja.
Ajo që na bën përshtypje është fakti se si Perëndia nuk shfaqet siç ishte shfaqur herë pas here në historinë njerëzore, shpesh duke i qortuar njerëzit, por këtë radhë vjen në një formë krejt të pafajshme, si një foshnje. Ky është një mesazh shumë i madh. Para kësaj foshnjeje të parët që u gjunjëzuan ishin barinjtë, pastaj magët që i ofruan dhurata. Më pas pamë që të gjithë kombet filluan t’i bien në gjunjë kësaj foshnjeje. Ndonëse në fillim u përpoqën ta vrisnin – siç e dimë mbreti i kohës, Herodi, urdhëroi vrasjen e fëmijëve deri në moshën dy vjeç – pavarësisht ligësisë së pushtetit, kjo dritë që lindi në Betlehem u shfaq në të gjithë botën.
Drita që shndriti errësirën e asaj shpelle në Betlehem filloi të ndriçonte edhe zemrat njerëzore. Zemrat e ngurtësuara filluan të zbuten. Njerëzit që jepeshin pas ligësisë, padrejtësive dhe dhunës u bënë njerëz të urtë e të ditur. Kombet e pranuan Krishtin jo vetëm si profet apo mësues, por si Zotin e tyre. Në rrjedhën e këtyre 2000 viteve, shohim se si qytetërimi që njohim sot u themelua mbi bazat e krishtërimit. Ky është një mesazh i madh gëzimi: Perëndia bëhet mish për të na shpëtuar. Ne nuk jemi vetëm në këtë botë, pavarësisht dështimeve, sfidave apo padrejtësive.
Kemi një mesazh të fortë: Perëndia është pranë nesh dhe Perëndia është dashuri. Mjafton që ne t’i drejtohemi Atij, të ulemi në gjunjë si magët dhe t’i drejtohemi me lutje për fëmijët tanë kur ecin në rrugë të gabuar, apo për njerëzit që ecin të shkujdesur. Është një mesazh për të vetmuarit dhe të dëshpëruarit se ka shpresë. Shën Johani thotë: “Kaq shumë e deshi Perëndia botën, saqë dha Birin e Tij të vetëmlindur, që askush të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme”. Kjo foshnje na fton të gjithëve me përulësi dhe mirësi, duke na bërë pjesë të mbretërisë së Tij. Në fund kuptojmë se njeriu nuk është krijuar për të jetuar vetëm disa vite këtu, por për të jetuar përjetësisht me Zotin.
Gazetari: Duke ditur që jeni shumë i zënë, kam edhe një pyetje të fundit. Në 2000 vitet e fundit kanë ndodhur ndryshime në civilizim dhe teknologji, por e vetmja gjë që duket se nuk ka ndryshuar është besimi te Krishti. Cili është mesazhi juaj për këtë, duke qenë se perandori janë shembur e ngritur, por besimi mbetet?
At Grigor Pelushi: Në fakt, besimi nuk ka ndryshuar. Adhurimi që bëmë sot është i njëjti adhurim që është bërë përpara 2000 viteve. Nuk ka ndryshuar asnjë presje. Ky mesazh mirëpritet vazhdimisht. Kur populli i Izraelit largohej nga udha e Perëndisë, Ai dërgonte profetë që t’i kërkonin të hiqnin dorë nga ligësitë. Mesazhi i Krishtlindjes është ardhja e dritës në një botë që shpesh mbyllet në errësirën e veprave të veta. Shpirti ynë errësohet nga inatet dhe mëritë. Sot shohim sa të paduruar jemi bërë; nuk dëgjojmë dot më as këshillat e prindërve apo mësuesve.
Ky mesazh na fton t’i largojmë inatet, mëritë dhe cmiral nga shpirti, që ai të ndriçohet nga drita e Betlehemit dhe e Jordanit, ku Krishti nisi misionin e Tij paqësor. Për pushtetarët e kohës u duk si diçka që do t’u humbiste lavdinë, por krishtërimi na fton në mbretërinë e qiejve, të cilën askush nuk mund të na e heqë dhe që do të mbetet përjetësisht.
Gazetari: Faleminderit shumë, At Grigor! Me këtë mesazh u urojmë gëzuar të gjithë teleshikuesve të Ora News. Gëzuar! Faleminderit për mundësinë e lidhjes së drejtpërdrejtë. Ndërkohë, do të mbetemi te i njëjti argument, teksa Krishtlindja nuk është thjesht dita për të shkëmbyer dhurata, por është më shumë se aq.
