E enjte, 23 Prill, 2026

Progresraporti/ BE vlerëson Shqipërinë: Moment pozitiv me negociatat! Rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit! Klimë e polarizuar politike

Share

Për Bashkimin Evropian, zgjerimi është një objektiv realist i viteve të ardhshme për disa vende kandidate, mes të cilave dhe Shqipëria e cila ka bërë një progres të paprecedentë. Kështu ka deklaruar Marta Kos, Komisionerja për Zgjerim në Komisionin për Punë të Jashtme, ku prezantua progres-raporti për Shqipërinë.

“Viti 2025 ishte një vit i mirë me vendet kandidate. Progres shumë domethënës janë bërë nga vende si Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Kjo tregon se reformat gjithmonë të shpërblejnë. Zgjerimi i suksesshëm është mundësi realiste për vitet në vijim. Mali i Zi kërkon të përfundojë negociatat në fund të 2026-s dhe Shqipëria synon në fund të vitit 2027. Me Këto 4 kandidatë për vitin që po lëmë pas i kanë justifikuar ato ambicie me arritje dhe aksione konkrete”, tha Marta Kos.

Në raport, thuhet se Shqipëria ka ruajtur angazhimin e fortë politik ndaj objektivit strategjik të integrimit edhe përafrimin e plotë me politikën e jashtme dhe sigurisë me Unionin. Ky qëndrim i Shqipërisë, thotë BE, një sinjal të fortë si partner i besueshëm. 

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025 evidenton një klimë të tensionuar politike, ndërsa sjell në vëmendje edhe mungesën e barazisë së subjekteve zgjedhore në parlamentaret e 2025-ës.

“Parlamenti funksionon vetëm pjesërisht në mënyrë efektive, për shkak të polarizimit politik dhe mungesës së dialogut të sinqertë ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Kjo situatë ka kufizuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj ekzekutivit. Emërimet politike në poste të pavarura apo institucione kushtetuese mbeten problem serioz”, thuhet në raport.

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR vlerësuan se zgjedhjet ishin konkurruese dhe të administruara profesionalisht, por evidentuan mungesë të kushteve të barabarta dhe abuzim me burimet publike.

Përparime, raporti evidenton të ketë në luftën kundër korrupsionit me vlerësime për punën e SPAK, e po ashtu funksionimin e gjyqësorit, të cilin e cilëson në nivel të mirë përgatitje, nga mesatarisht I përgatitur në raportin e një viti më parë.

“Shqipëria ka një nivel përgatitjeje ndërmjet mesatar dhe të mirë dhe ka bërë disa përparime në funksionimin e sistemit gjyqësor. SPAK ka forcuar më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe ka bërë përparime të dukshme drejt krijimit të një rekordi të qëndrueshëm në këtë fushë. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në sektorë të ndjeshëm, duke ndikuar si në sferën publike ashtu edhe në atë private”, thuhet në raportin e SPAK.

Me nota pozitive vlerësohet edhe ekonomia.Prokurimet publike vijojnë të mbeten një temë e nxehtë ku Shqipëria vijon të vlerësohet si mesatarisht e përgatitur dhe me përparim të kufizuar, ndërsa me shqetësim shihen ndryshimet në këtë ligj.

“Ekonomia ruajti një vrull të fortë rritjeje në vitin 2024 falë kërkesës së fortë të brendshme dhe turizmit. Inflacioni ra nën objektivin e bankës qendrore, ndërsa konsolidimi fiskal u përshpejtua dhe raporti i borxhit publik vazhdoi të binte. Pavarësisht rritjeve, të ardhurat qeveritare si pjesë e PBB-së mbeten të ulëta, ndërsa shpenzimet për investimet publike janë vazhdimisht të nën-ekzekutuara”, thuhet në raport.

Sa i përket demokracisë dhe reformimit zgjedhor, raporti i vlerëson zgjedhjet e 11 majit si konkurruese dhe të organizuara profesionalisht, por thekson se ka pasur mangësi, përfshirë mungesën e kushteve të barabarta dhe abuzimin me burimet publike, duke shtuar se është e nevojshme një reformë e plotë zgjedhore për të adresuar rekomandimet e e pazbatuara të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Po ashtu polarizimi politik dhe mungesa e dialogut të sinqertë politik vazhdojnë të pengojnë punën e Parlamentit, thuhet në raport.

Te tjera

Lajme te tjera