E enjte, 23 Prill, 2026

Lamtumirë Fatos Nano! Shqipëria në zi përcjell ish-kryeministrin! Rama: Të dashkan edhe ata që të kallën në burg! Bashkëshortja Xhoana: Ditë e errët

Share

Ish-kryeministrit dhe liderit historik të PS, Fatos Nanos iu dha lamtumira e fundit në një ceremoni që zgjati gati 5 orë dhe që mblodhi mijëra qytetarë, socialistë, krerët e shtetit, politikanë të majtë e të djathtë, por edhe personalitete nga rajoni, mes tyre kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, zv.kryeministri i Maqedonisë, Izet Mexhiti e kreu i BDI, Ali Ahmeti.

E ulur në reshtin e parë, bashkëshortja Xhoana Nano me dy fëmijët, Edlira dhe Sokoli, pritën mijëra qytetarë e politikanë që u përkulën para njeriut që la gjurmë të thella në politikën shqiptare të pas viteve 1990.

Xhoana Nano lotët nuk i mbajti dot kur renditi cilësitë e bashkëshortit, kur foli për dashurinë e sfidat që kanë kaluar bashkë në çerekshekulli jetë sëbashku. Duke e cilësuar si ditën me të errët të jetës së saj, Xhoana Nano tha se ish-kryeministri nuk ishte hakmarrës dhe këtë e dëshmoi edhe me burgimin e padrejtë në vitin 1993, kur nga Sali Berisha u akuzua për vjedhjen e ndihmave italiane.

“Këtu e një çerek shekulli më parë unë, një vajzë fare e re me intuitën e moshës së pafajshme, rashë në dashuri me Fatosin. Atëherë nuk e kuptoja pse, por tani e di: kisha rënë në dashuri jo thjesht me Fatosin si person, por shumë më shumë se kaq. Kisha rënë në dashuri me vizionin e një Shqipërie ndryshe. Hakmarrja ishte cilësi që nuk e kishte e nuk pranonte ta njihje. Këtë e dëshmoi pas burgimit të padrejtë”, tha Xhoana Nano.

Kryeministri Edi Rama, i cili është edhe pasuesi i Fatos Nanos në drejtimin e PS, zgjodhi që ta shprehë mallëngjimin e tij për pjesëmarrjen e lartë në homazhe me këto rreshta “sa të paskan dashur e të paskan admiruar mor burr i dheut”. Por, duke i dhënë lamtumirën e fundit kryetarit që i drejtoi socialistët për 14 vite me radhë, Rama nuk la pa përmendur edhe hipokrizinë e kundërshtarëve të tij politik. Ai tha se sot e nderuan edhe ata që e kallën në burg, e ata që i shkuan në zyrë për ta vrarë.

“Edhe ata që s’të lanë shkop ndër rrota pa të vënë dhe gurë në kurriz pa të hedhur! Mezi ç’paskeshin pritur të ta tregonin dashurinë dhe adhurimin sapo ta merrnin vesh që nuk do ti hapësh më sytë.

More deri te ata që të kallën në burg duke të akuzuar si vjedhës dhe që erdhën të të vrasin në zyrë duke të mallkuar si vrasës, e që t’i lëshuan mbi fytyrë për vite e vite të tëra me radhë, tërë të zezat e gjuhës shqipe, – veç ta shije si t’i kanë qëndisur aq bukur fjalët e admiratës së tyre”, tha Rama.

Një rrugëtim me ulje e ngritje të shpeshta, të cilat Rama i kujtoi me mirënjohje e nostalgji.

“Me Fatosin, ne ndamë, thyem dhe rindamë bukë, por historia e marrëdhënies sonë, zhvilluar mes ekstremesh nga “birësimi” im në familjen socialiste, me bekimin e tij, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij nuk ka vend këtu në këtë eulogji.

I dashur Fatos, Do të më mungojnë darkat e rralla miqësore, komunikimi ynë si mes shoferit të turnit të parë me shoferin e turnit të dytë për të njëjtën makinë, ku e kuptonim njeri-tjetrin në ajër dhe ku, kur ndodhte të ndanim ndonjë dilemë strategjike, këshillat e tua vinin të qëruara mirë, duke më ndihmuar shumë për të vënë pikën mbi “i”, tha Rama.

Mes duartrokitjeve dhe me karafilë të bardhë mbi arkëmot, Nano u përcjell për në banesën e fundit me tingujt e këngës “I did it my way” (unë e bëra sipas mënyrës sime). Në respekt për kontributin e Fatos Nanos në jetën publike dhe politike të vendit, 2 nëntori është shpallur edhe ditë zie kombëtare. Të gjithë flamujt në institucionet shtetërore u ulën në gjysmë shtizë.

4 herë kryeministër i Shqipërisë, Fatos Nano do të mbahet mend si një lider historik i të majtës, vizionar për Shqipërinë dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës gjatë periudhës së tranzicionit. Ai ndërroi jetë të premten e 31 tetorit në një prej spitaleve private në kryeqytet ku po qëndronte prej 24 ditësh. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm pas problemeve kronike kronike respiratorë.

Te tjera

Lajme te tjera