Ja çfarë po ndodh me dosjet e “peshave të rënda” në SPAK, nga Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta, te Erion Veliaj, Frida Krifca dhe Belinda Balluku, Altin Dumani paralajmëron se askush nuk është i paprekshëm dhe i bën thirrje Arben Ahmetajt të bashkëpunojë me drejtësinë
Rigels Seliman
Kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), Altin Dumani raportoi këtë të hënë (dje) në Kuvend mbi punën e kryer nga SPAK gjatë vitit 2024, i cili pritet të jetë dhe raportimi i tij i fundit si drejtuesi i këtij institucioni të drejtësisë. Përpos raportimit, Dumani i është përgjigjur dhe 57 pyetjeve të depozituara në Kuvend nga opozita, ndërsa interesi i mazhorancës për çështje të caktuara, mesa duket ka qenë zero, pasi asnjë pyetje nuk është ngritur nga asnjë deputet. Dumani tha se SPAK “konsolidoi kapacitetet duke rritur numrin e prokurorëve nga 17 në 20, shtimin e ekspertizës së BKH-së dhe shtimin e trajnimeve”, çka sipas Dumanit ka sjellë një “rritje me 80% të çështjeve në hetim dhe 21% të hetimeve për personat e hetuar”. Më tej ai shtoi se Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) “ka vlerësuar punën e SPAK-ut”. Po ashtu Dumani theksoi indeksi i perceptimit të korrupsionit është përmirësuar në Shqipëri. “Në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria vlerësohet me 42 pikë, duke e përmirësuar indeksin e perceptimit të korrupsionit me 5 pikë në raport me një vit më parë. Transparency International ka njohur rolin e SPAK në rritjen e besimit të publikut. SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar”, ka deklaruar Dumani gjatë fjalës së tij. Po ashtu ai tha se vlera e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara është 65.5 milionë euro. Gjatë fjalës së tij, Dumani tha se SPAK ka presonin nga krimi i organizuar, politika dhe media, gjë që sipas tij ndikon në efektivitetin e hetimeve. Më tej kreu i SPAK shtoi se nuk janë adresuar ende problematikat mbi statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre dhe faktin që vazhdon dhe mbetet problematike çështja e mos ekstradimit të shtetasve shqiptarë të lokalizuar apo arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, siç është argumentuar në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023.
INCENRATORI I TIRANËS DHE FTESA PËR AHMETAJN
Gjatë raportimit në Kuvend, Altin Dumani u pyet nga deputetët se pse afera e inceneratorëve nuk po hetohet si grup i strukturuar kriminal, kreu i SPAK tha se hetimet janë duke vijuar ende. “SPAK ka hetuar në kuadër të 3 procedimeve penale 71 persona të të gjitha nivele disa janë me vendim formë penale, disa janë në hetim dhe po hetohen persona të tjerë. Po hetohet edhe për fakte penale dhe persona të tjerë, për t’i trajtuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Lidhur me pyetjen për ta trajtuar si grup kriminal, për Elbasanin, Fierin këto dy procedime penal kanë kaluar të gjithë fazat e shqyrtimin gjyqësor. I kanë gjetur të drejtë kualifikimin ligjor të bërë nga ana e SPAK”, tha kreu i SPAK. I pyetur se pse Erion Veliaj nuk është marrë i pandehur në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës, Dumani tha se hetimet po vijojnë ende. “Lidhur me pyetjen që nuk kam marrë ende të pandehur Veliajn, dua të them se, siç ju e dini, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar për këto procedime penale” Dumani u pyet dhe se përse nuk i është marrë ende një dëshmi e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajt, në arrati. Duke u ndalur tek kjo pyetje, kreu i SPAK tha se Ahmetaj mbetet person në kërkim ndërkombëtar, por megjithatë shtoi se “kushdo që dëshiron të marrë statusin e të penduarit dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është i mirëpritur”. “Lidhur me pyetjen për ish-ministrin Arben Ahmetaj, deklarimet publike të tij vlerësohen rast pas rasti. Për ne ai është një person në kërkim ndërkombëtar në lidhje me veprat e pastrimit të produkteve penale. Në çdo moment që një subjekt dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë është mëse i mirëpritur.”, tha Dumani.
EDI RAMA I PAPREKSHËM?
Gjatë raportimit në Kuvend, Altin Dumani, është pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, i cili kërkoi sqarime mbi arsyet pse, sipas opozitës, kryeministri Edi Rama “është shpallur i paprekshëm” nga drejtësia. Dumani u shpreh se për SPAK nuk ekzistojnë të paprekshëm, duke theksuar se çdo hetim zhvillohet mbi bazën e provave dhe jo të emrave.
Pyetja e Luçiano Boçit: Pse SPAK e ka shpallur të paprekshëm Edi Ramën?
Dumani: Për SPAK nuk ka të paprekshëm! Në çdo procedim penal hetohet fillimisht në drejtim të faktit penal dhe më tej një drejtim të autorëve të veprës penale. Të gjitha këto raste që përmendi prokurorët kryejnë hetime të gjithanshëm. Siç e kam thënë edhe më parë, për prokurorët e posaçëm nuk kanë rendësi emrat por vetëm provat.
Hetimi ndaj ndërtuesve
Dumani ka konfirmuar se SPAK ka nisur hetime për pastrim parash jo vetëm në sektorin e ndërtimit, por edhe në turizëm hotelier. Ai ka bërë të ditur se janë konfiskuar tashmë disa hotele, apartamente luksoze, vila dhe njësi tregtare, duke i futur këto asete në portofolin e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara. “Kemi nisur hetime për pastrim parash, patjetër edhe për ndërtim dhe në hoteleri-turizëm, ku mund t’ju them, nuk e di, rreth të paktën katër hotele janë konfiskuar tashmë si produkte të veprës penale. Në ndërtim, sepse ne kemi parë raste, madje kemi sekuestruar, disa janë konfiskuar, disa janë në proces konfiskimi, ku kanë investuar eksponentë të krimit të organizuar, në njësi tregtare, në apartamente luksoze, në vila. Ne kemi futur pjesë të portofolit të aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara pikërisht në njësi tregtare, vila, apartamente e të tjera”, tha ai. Arrestimi i Ilir Metës ishte një nga pyetjet që iu drejtua kreut të SPAK, Altin Dumani, gjatë seancës në Kuvendin e Shqipërisë. Më konkretisht, deputeti Tedi Blushi e pyeti Dumanin pse SPAK e shmangu BKH dhe i la dorë të lirë policisë, në rastin e arrestimit të presidentit të PL-së Ilir Meta. Dumani në përgjigjen e tij tha se ekzekutimi i masave është përgjegjësi e Policisë së Shtetit.
OLSI RAMA PËR XIBRAKËN
Altin Dumani i është përgjigjur në Kuvend pyetjes së deputetit Klevis Balliu lidhur me hetimet për vëllain e kryeministrit Rama, Olsi Rama, si i përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Dumani tha se hetimet lidhur me atë çështje janë mbyllur pasi nuk janë gjetur provat që të vërtetojnë se kush është personi i paidentifikuar dhe hetimet i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Policisë së Shtetit.
Klevis Balliu: Në këtë sallë me 140 deuterëve është njëri që quhet Taulant Balla, dikur ministër i Brendshëm. Në atë foltore në seancën penale të 4 prillit 2024 ka thënën: Unë e di kush është Tani. Ju a kishit qëllim ta identifikonit personin që kishte 10 vite që ishte personi i moshës 45 vjeç i paidentifikuar. Nëse kishit për qëllim ta identifikonit pse nuk thirrët Ballën për ta pyetur që tha publikisht këtë? Nëse Balla e di pse ju nuk e dini? Keni nisur ju një hetim për këtë?
Altin Dumani: Kjo ka të bëjë me laboratorin e Xibrakës dhe Balliu i referohet një hetimit të SPAK për implikimin e mundshëm të Olsi Ramës në trafikim të narkotikëve. SPAK rifillo hetimet, kreu veprimet e nevojshme dhe në përfundim konkludoi me pezullim të hetimeve për shkak se nuk u zbuluan autorët e veprës penale dhe hetimet i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Policisë së Shtetit.
PRCOEDIMI PENAL NDAJ BALLUKUT DHE AFERAT E SAJ
Gjithashtu, Dumani u pyet nga deputetë e opozitës edhe për marrjen si të pandehur të Belinda Ballukut dhe thirrjen e saj në SPAK. Dumani tha se nuk ka për të dhënë asnjë koment dhe theksoi se nuk ka pasur asnjë shqetësim nga prokurori Dritan Prençi për kërcënime.
Pyetje: Në media është raportuar për presion nga nivele të larta të ekzekutivit apo eksponentë të krimit të organizuar ndaj prokurorit të posaçëm Dritan Prenci lidhur me një çështje që përfshin zv/kryeministren Balluku. A ju ka njoftuar prokuroi mbi këto presione dhe çfarë masash keni marrë? E thotë Balluku kudo ku shkel, në fushatë mbledh vota duke ofruar mbrojtje nga SPAK në emrin tuaj
Dumani: Për çështje në hetim s’kam për të dhënë asnjë koment. Prenci dhe të gjithë prokurorët kanë të gjithë mbështetjen time dhe përkrahjen time si prokurorë të posaçëm. S’më ka paraqitur shqetësim për kërcënime për shkak të funksionit të tim ka mbështetjen time dhe solidaritetin tim në hetimin e çdo çështje dhe siç thashë jo vetëm Prençi, por të gjithë prokurorët. Jam munduar të krijoj një ambient ku prokurorët janë të lirë të ushtrojnë ndjekje penale. Patjetër të gjithë i kam mbështetur dhe do i mbështes deri ditët e fundit që do jem në krye të SPAK. Deputetët e opozitës e pyetën Dumanin dhe nëse SPAK po heton disa dosje që lidhen me Ballukun, përfshirë çështjet mbi shitblerjen e energjisë, projektet e rrugëve, parqet fotovoltaike, tunelin e Llogarasë, si edhe termocentralet “Tigri 1” dhe “Tigri 3”. Në përgjigjen e tij, Dumani deklaroi se për sa kohë çështjet ndodhen në fazën e hetimit paraprak, nuk mund të jepen detaje apo informacione për ecurinë e tyre. Sa i përket afateve për hetimin e çështjeve, Dumani theksoi se hetimet nuk janë zvarritur, por duhet marrë në konsideratë rëndësia, specifika e çështjes, ngarkesa e prokurorëve, e të tjera.
Pyetje: Për zonjën Balluku ka disa kallëzime penale në SPAK që nga shitblerja e energjisë, rrugët, parqet fotovoltaike, tuneli i Llogarasë apo dhe termocentralet “Tigri 1” dhe Tigri 3”. A janë nën hetim këto çështje? Sa kohë duhet për t’i hetuar kur bëhet fjalë për miliona euro të shpërdoruara?
Altin Dumani: Sa kohë që janë çështje në hetim paraprak, nuk mund të jap asnjë lloj të dhëne dhe asnjë lloj informacioni. Koha është e rëndësishme dhe në hetimin e çështjeve penale, por ajo që prokurorët e posaçëm kanë parasysh në hetimet e procedimeve penale është respektimi i kodeve të procedurës penale që parashikojnë afatet e hetimeve. Çdo prokuror duhet të respektojë ato afate, nuk është taksative. Edhe unë të isha në vendit tuaj do më dukej kohë gjatë, por duhet marrë në konsideratë rëndësia e çështjes, specifika e çështjes, ngarkesa e prokurorëve, e të tjera. Sa kohë janë brenda afateve procedurale, nuk mund të them që janë zvarritur.
PATRONAZHISTËT
Gjatë raportimit në Kuvend, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë veprime mbi vendimin e qeverisë për faljen e gjobave para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit dhe është konkluduar me mosfillim të procedimit penal. “Sa i takon çështjes së gjobave, është hetuar dhe është vendosur mosfillim i procedimit penal. Prokurori i çështjes e ka konkluduar me mosfillim procedimi penal. Nuk është ankimuar në gjykatë”, tha Dumani. Pretendimeve të deputetit Flamur Noka për rrjetin e patronazhimit të Partisë Socialiste, Dumani iu përgjigj se për sa kohë nuk ekziston vepra penale e korrupsionit aktiv apo pasiv, nuk mund të ketë ndërhyrje të SPAK. “Sa i takon patronazhistëve, në momentin që patronazhisti evidentohet në rolin që ju përshkruani, që përfshin legalizim, shpërndarje parash apo regjistrim të pronës në hipotekë, këtu bëjmë fjalë për patronazhizëm, i cili përbën korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje. Ne nuk kemi kod penal për patronazhizmin. Penalizojeni në Kuvend dhe më pas ne ndërhyjmë”, tha Dumani. Për krimet zgjedhore, kreu i SPAK tha se është verifikuar çdo pretendim dhe kallëzim. “Unë e kam përmendur edhe herë të tjera: SPAK ka verifikuar çdo pretendim të kallëzuesve. Në çdo rast, dhe ky ka qenë edhe objektivi i Task-Forcës së ngritur, verifikimet të bëheshin në kohë rekord, dhe ne kemi vendosur në 43 raste mosfillim procedimi penal. Nga 43 rastet janë ankimuar në gjykatë vetëm 3. Kryesisht këto kallëzime penale kanë pasur për objektiv punësimin e paligjshëm, asfaltin elektoral dhe përdorimin e administratës publike”, tha Dumani. Lidhur me kërcënimet nga “banda e Xhabaftëve” ditën e zgjedhjeve ndaj Flamur Nokës dhe Albana Vokshit, Dumani deklaroi se dhuna ndaj deputetëve nuk është kompetencë e SPAK dhe ia kanë referuar Prokurorisë së Tiranës. “Prokurori i ngarkuar që mbulonte Tiranën ka marrë kontakt direkt, ka qartësuar situatën dhe kemi verifikuar se nuk ishte kompetencë e jonë. Ne kemi deputetin subjekt të posaçëm, jo dhunën që ushtrohet ndaj një deputeti. Ne kemi verifikuar prokurorinë e Tiranës dhe i kemi kërkuar verifikimeve të shpejta”, tha Dumani.
KALLËZIM I RREMË NGA BALLA?
Altin Dumani është pyetur nga deputetët e opozitës dhe lidhur me mënyrën e trajtimit të një kallëzimi nga ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cilësuar si i rremë nga demokratët, për çështjen “Partizani”. Kreu i SPAK deklaroi se vlerësimi nëse një kallëzim penal është i rremë apo jo mbetet në kompetencë të prokurorëve që po hetojnë çështjen konkrete.
Pyetje: Si ka mundësi që Taulant Balla, beri kallëzim të cilit u provua që ishte i rremë dhe nuk është thirrur në SPAK qoftë edhe një herë?
Altin Dumani: Është në vlerësimin e Prokurorëve që kanë hetuar çështjen penale në fjalë për të konkluduar që jemi para kallëzimit të rremë, apo para një kallëzimi që ka substancë dhe vlerësohet nga ata për qëllimet e hetimit paraprak!
FONDET IPARD DHE FRIDA KRIFCA
Altin Dumani, gjatë raportimi në Kuvend është pyetur dhe në lidhje me hetimet për fondet IPARD, ku tha se janë në fazën e hetimit paraprak. I pyetur se pse nuk hetohet ish-ministrja dhe ish-drejtuesja e AZHBR-së, Frida Krifca, kreu i SPAK tha se çdo person që ka shkelur ligjin do të hetohet, por shtoi se hetimet janë të kushtëzuara nga veprimet e autoriteteve të huaja.
Pyetja: A ka procedim penal për IPARD?
Altin Dumani: SPAK ka regjistruar një procedim penal për IPARD. Çështja është në hetim, po bashkëpunohet ngushtë me OLAF.
Pyetja: Pse nuk hetohet Frida Krifca?
Altin Dumani: Të garantojë që do hetohet çdo person që dyshohet se gjatë detyrës ka kryer veprime të kundërligjshme. Kushtëzohemi nga veprimet e autoriteteve të huaja.
Pyetja: Pse nuk ka asnjë reagim publik në rastin e Krifcës, ndërsa kur përfshihet opozita ka reagim publik?
Altin Dumani: Ky është një vlerësim i juaji, jemi të ftohtë në hetimin e çështjeve penale. Nuk na intereson nga cili kamp politik. Lidhur me IPARD, jemi në fazën e hetimeve paraprake.
KRIMI I ORGANIZUAR SHQIPTAR
Kreu i SPAK u pyet nga deputeti i PD, Besart Xhaferri, nëse kanë nisur hetime nga SPAK për bashkëpunim të krimit të organizuar në Serbi dhe Mal të Zi me krimin e organizuar shqiptar për trafikim të lëndëve nartkotike. Dumani konfirmoi se krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin e organizuar në Serbi dhe në Malin e Zi kryesisht në trafikimin e kokainës. Ai tha se me këto vende është thelluar bashkëpunimi për të luftuar krimin e organizuar.
Altin Dumani: Vizita ime në Malin e Zi në prokurorinë atje, ka qenë një ndër të mirat që kanë realizuar. Se çfarë është biseduar në këto takime ne kemi bërë një komunikim me median dhe s’mund të them asgjë më shumë se ajo që është thënë në media. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me prokurorinë e Malit të Zi dhe atë të Kosovës. Me Malin e Zi kemi bashkëpunim të mirë me hetime paralele dhe shkëmbim informacioni. Krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin në Mal të Zi dhe me atë serb dhe mënyra më e mirë për ta luftuar është bashkëpunimi. Vizita e kryeprokurorit të posaçëm serb ishte nevojë për të bashkëpunuar sepse para këtij takimi bashkëpunimi ishte sporadik, ishte nevojë sepse krimi i organizuar shqiptarë bashkëpunon me atë serb për trafikimin e kokainës. Kemi vendosur bashkëpunim konkret për luftën kundër krimit të organizuar. Një nga pyetjet që iu bë Altin Dumanit në Kuvend ishte një deklaratë e Donald Lu se në vend ekzistojnë 4 familje mafioze dhe 20 grupe kriminale.
Pyetja: Një nga krimet më të mëdha të pazbardhura është kanabizimi i vendit. A keni filluar një hetim konkret me autor kryeministrin?
Altin Dumani: Jo nuk e kemi filluar.
Pyetja: Ish-ambasadori Lu deklaroi se në Shqipëri ekzistonin 4 familje mafioze dhe 20 grupe kriminale. A keni sot një rezultat konkret se cilën familje keni neutralizuar?
Altin Dumani: Sa i takon rezultateve të prokurorisë së Posaçme, një ndër gjërat për të cilat duhet të ndihemi krenarë është lufta kundër krimit të organizuar. Falë bashkëpunimit me asgjensitë partnere,e Britaninë, SHBA, vendet e Amerikës Latine, kemi bërë hetime të suksesshme me të cilat mburremi edhe në EuroJust. Kemi bashkëpunuar me agjencitë partnere që na kanë besuar. Ky besim nuk është apriori. Kam dëgjuar që bëhet krahasim mes SPAK dhe Krimeve të Rënda. Kam qenë pjesë edhe atje, jam krenar. U jap vetëm një shifër, nga 2004-2019 nga Krimet e Rënda janë trajtuar 780 subjekte. Në 5 vite SPAK e ka tejkaluar këtë shifër. Altin Dumani iu përgjigj dhe akuzave të deputetit Flamur Noka se SPAK mbajti në sirtar urdhëarrestet për operacionin “Ura” me qëllim që të mos realizohej para zgjedhjeve të 11 majit. Nga ky operacion është ende në kërkim Visi i Pojës, por Dumani sqaroi se vendimi për të ekzekutuar masat me datë 21 maj është marrë në bashkëpunim me Barin.
Altin Dumani: Ka qenë e skuadër e përbashkët hetimore mes nesh dhe Barit. Kemi bashkëpunuar me ta në hetimin e kësaj çështje hetim i suksesshëm kemi depozituar kërkesën që në datë 19 mars 2025 për masën e sigurimit. Vendimi i na është dhënë me 5.05.2025, më datë 7 maj jemi takuar me prokurorin e çështjes së antimafias së barit dhe disa hetues të DIA-s. Në atë takim u konkludua se si do ekzekutoheshin masat dhe kur.
Pyetjes se a ndihen përgjegjës përse bandat e lidhura me pushtetin shijojnë lirinë, Dumani ju përgjigj se është Policia e Shtetit ajo që ekzekuton urdhërarrestet.
Altin Dumani: Përgjegjësia e një prokurori, se ke qenë edhe ministër i brendshëm, është të hetojë, grumbullojë prova të bëjë hetim të plotë, të ngrejë akuzë dhe të përfaqësojë akuzën në gjykim, në çdo rast kur prokurori merr vendim për caktim mase apo ekzekutim vendimi, i vetmi që bën prokurori është urdhër ekzekutimi dhe ja dërgon policisë së shtetit. Kur nuk gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë, prokurori investohet me një urdhër kërkimi ndërkombëtar. Kjo ka qenë praktikë që 25 vite që jam unë në prokurori. Sa i përket takimit në Aruba, kreu i SPAK u shpreh sërish se nuk mund të japë asnjë koment për këtë çështje. Altin Dumani: Nuk kam asnjë koment lidhur me këtë pyetje.
PËRVETËSIMI I PRONAVE, “KËMBANË ALARMI”
Kreu i SPAK, Altin Dumani, pranoi dje nga salla e Kuvendit se çështja e pronave është e komplikuar, por tashmë është në fokusin e SPAK, ku këto vite ka disa precedentë të ndjekur penalisht, gjykuar, dënuar dhe deri në kthimin e sipërfaqeve të konsiderueshme përsëri tek shteti, të cilat ishin përvetësuar me skema të mirëorganizuara falsifikimi. I pyetur nga Agron Shehaj, nëse kishte edhe zyrtarë të përfshirë apo njerëz të drejtësisë, ai tha: “Në këto vite, nga ana e SPAK janë 6 prokurorë, 10 gjyqtarë dhe 11 oficerë gjyqësorë që janë dërguar, gjykuar, hetuar dhe lidhen me rastin e korrupsionit pasiv për këtë vepër”. Por Dumani nënvizoi se çështja e pronave është alarmante dhe që duhet t’i shqetësojë të gjitha institucionet e shtetit e jo vetëm SPAK. Ai përmendi edhe disa raste konkrete në fjalën e tij. “Çështja e pronave është në fokusin e SPAK, është problematike, e komplikuar. Kemi rastin e Lezhës, ku mijëra metra katrorë tokë u provua se ishin përvetësuar nëpërmjet falsifikimit dhe u arrit që kjo sipërfaqe t’i kalojë shtetit me vendim gjykate. Një tjetër çështje që duhet të na alarmojë të gjithë, edhe pse është nën hetim paraprake, për një zonë me mijëra metra katrorë tokë, zonë e preferuar. Falsifikim masiv të mijëra metra katrorë tokë të Durrësit, çështje që është nën hetim, e vetëm me atë procedim penal, nuk mund ta parashikoj se si do shkojë procedimi penal, por SPAK ka sekuestruar rreth 600 mijë metra katrorë tokë, nëpërmjet skemave të organizuara të falsifikimit të dokumenteve. Tjetër, e njëjta situatë, kemi evidentuar raste në Vlorë dhe në qytete të tjera, ku edhe vlera e pronës vitet e fundit është rritur. Është në fokusin e SPAK”, tha kreu i SPAK-ut. Ai apeloi që të gjitha institucionet shtetërore të vepronin në çështjen e goditjes së abuzimeve me pronat shtetërore, pasi organi i akuzës kishte vetëm procedimin penal. Dumani e cilësoi një kambanë alarmi dhe një fenomen që duhet të merrte fund njëherë e mirë. “Kjo është kambanë alarmi jo vetëm për SPAK, sepse SPAK ka ndjekjen penale, por për të gjitha institucionet duhet të marrin masa të menjëhershme për të ndaluar abuzimin me pronën një herë e mirë, nëpërmjet falsifikimeve, që të marri njëherë e mirë fund abuzimi i pronës shtetërore”, tha ai.
Pastrimi i parave
Ndërkohë Dumani zbuloi se janë shënuar rritje progresive lidhur me procedimet ndaj grupeve kriminale dhe pastrimit të parave, u shpreh në Kuvend, Altin Dumani, kreu i SPAK-ut, teksa paraqiti raportin vjetor para deputetëve. Ai tha se grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive në trafikun e narkotikëve, ndërsa kanë aktivitetin e tyre në vendet e Bashkimit Europian. Ai tha se janë në kërkim ndërkombëtar 117 persona si pjesë e grupeve kriminale. “Lufta kundër krimit të organizuar edhe për këtë vit, krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar arritje të rëndësishme me një rritje prej rreth 18,8% të regjistrimeve të këtyre procedimeve penale. Po kështu, është rritur edhe numri i personave të cilët janë nën hetim për këto procedime me rreth 21,6%, krahasuar me vitin 2023. Nga ana tjetër, ka një rënie me rreth 7,3% të çështjeve të dërguara për gjykim për shkak të volumit dhe kompleksitetit të tyre”, tha kreu i SPAK. Lidhur me luftën ndaj korrupsionit, Dumani u shpreh se SPAK ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. “Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33-ish zyrtarë të lartë (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Nga numri total i ish- zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve. Bashkëpunimi nga institucionet publike në lidhje me referimet e ardhura prej tyre ka nevojë ende të përmirësohet. Kështu numri i procedimeve të filluara nga referimet e përcjella nga institucionet publike mbetet i ulët, duke zënë vetëm 15,1% të totalit të referimeve të dërguara pranë SPAK nga të gjitha subjektet publike dhe private. Është për t’u theksuar se, referimet e ardhura nga policia e shtetit, krahasuar me vitin 2023, kanë shënuar gjithashtu një rënie shqetësuese me 53,8%”, tha Dumani. Shkelja e barazisë në tendera dhe pastrimi i produkteve të veprës penale, u vlerësuan nga Kreu i SPAK, si më të përhapurat ndër veprat penale të ndjekura nga Prokuroria Speciale. “SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK. Ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro. Kështu, vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2% të vlerës totale. Krahasuar gjithashtu me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023)”, tha Dumani, duke paraqitur raportin vjetor.
