E premte, 24 Prill, 2026

Negociatat me BE, Rama në Vjenë: Mjedisi, më sfiduesi! Kemi rënë dakord për ‘shtyrjen’ e këtij kapitulli përtej datës së anëtarësimit 

Share

Shqipëria ka rënë dakord me BE-në për të shtyrë afatin për plotësimin e kushteve që lidhen me kapitullin e mjedisit përtej vitit 2030 të synuar për anëtarësimin në Union. Ky fakt u konfirmua nga vetë kryeministri Edi Rama, i ftuar në Konferencën “Shqipëria, Horizonti i ri” që u mbajt në Vjenë.

Duke marrë shembullin e Kroacisë, e cila shtyu afatin për mjedisin pas hyrjes në BE, Rama tha se ky është një ndër kapitujt më sfidues. Me dakordësinë e evropianëve,  vendi do të mund të anëtarësohet, por do të vijojë me plotësimin e kushteve që lidhen me mjedisin, ndërsa është pjesë e BE.

“Procesi ka një lloj elasticiteti që dmth vendet mund të negociojnë një shtyrje përtej datës së anëtarësimit. Psh Kroacia negocioi për të pasur 10 vjet shtyrje përtej datës së anëtarësimit për pjesën e kapitullit të mjedisit, që është mjaft kërkues edhe për vendet në BE dhe që i kanë këto standarte që t’i ruajnë. Ne kemi rënë dakord tashmë për një shtyrje dhe do të jetë sfidë.”, u shpreh Rama.

Duke komentuar shpejtësinë e madhe me të cilën po ecën vendi në hapjen e grupkapitujve, kryeministri deklaroi se kjo ka ardhur jo vetëm prej meritës së Shqipërisë dhe punës që ka bërë, por edhe për shkak të ndryshimit të qasjes nga BE-ja, sidomos pas luftës që nisi Rusia në Ukrainë.

“Jemi në proces që ka përparuar shumë, praktikisht po çelim kapitujt e negociatave me një shpejtësi që nuk është parë ndonjëherë më parë gjatë procesit të anëtarësimit por është kombinim i meritës tonë dhe qasjes së re të BE kundrejt zgjerimit. Falë ose për shkak të luftës në Ukrainë, që e ka tronditur fort Evropën dhe që i ka përcuar udhëheqësve të BE mesazhin që rëndësia gjeopolitike e Evropës së bashkuar është ekzistenciale dhe që Ballkani Perëndimor natyrshëm është pjesë e së ardhmes së organit të BE. ”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama ishte kritik edhe ndaj qeverisjes së Kosovës, teksa tha se nëse vendi nuk bën hapa përpara për të plotësuar kërkesat e BE-së, rrezikon që të shkojë drejt izolimit. Sipas Ramës, dialogu me Serbinë ka dështuar, ndërsa shtoi se është e nevojshme se Kosova të fokusohet në synimet e veta. 

“Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE që është një dështim i madh nga formati i gabuar, vendi duhet të përmbushin kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës ë BE. Nëse Kosova e bën këtë, është në interesin e saj më të mirë për të mos lidhur veten me Serbinë. Në të kundërt, do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë”, tha Rama.

Kritika pati edhe për mënyrën se si disa vende kanë bllokuar negociatat e një vendi tjetër, thjesht sepse kanë probleme të caktuara dypalëshe. Këtë qasje, Rama e cilësoi si pengmarrje, hipokrizi dhe marrëzi. Kritikoi gjithashtu edhe BE se ofron më shumë fonde ndaj vendeve anëtare, në krahasim me vendet kandidate. Por, siç shtoi kryeministri, Unioni po e kompenson këtë “pabarazi” me Planin e Rritjes ndaj vendeve ballkanike. 

Gjatë konferencës, foli edhe për ministren virtuale Diella që do të ‘monitorojë’ prokurimet publike. Rama u shpreh se kompanitë nuk do të jetë më e nevojshme që të mbledhin dokumente për t’i dorëzuar kur kërkojnë të garojnë për të marrë një tender, po këtë gjë do ta bëjë Inteligjenca Artificiale. Sipas tij, kjo do të jetë një lehtësim për kompanitë, por gjithashtu edhe një proces i shpejtë e transparent. 

Te tjera

Lajme te tjera