SPAK ka zbardhur detaje nga vizita e kreut të saj, Altin Dumani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përveç vizitës në DASH, ka pasur takime të nivelit të lartë me zyrtarë të FBI dhe DEA dhe Departamentit të Drejtësisë. Në fokus të diskutimeve ishte goditja e organizatave kriminale shqiptare me aktivitet ndërkombëtar, veçanërisht në fushën e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.
Vizita zyrtare e Dumanit në Washington më 2 dhe 3 shtator, sipas SPAK, u zhvillua me ftesë të qeverisë amerikane dhe synonte forcimin e bashkëpunimit strategjik në hetime të përbashkëta, shkëmbim informacioni dhe koordinim në operacionet kundër krimit të organizuar transnacional. Sipas deklaratës, Dumani u prit nga zyrtarë të lartë të FBI-së dhe Departamentit të Shtetit, të cilët vlerësuan rolin e SPAK në çmontimin e rrjeteve kriminale me lidhje në Shqipëri dhe diasporë.
Në një tjetër zhvillim, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mori pjesë edhe në Konferencën Ndërkombëtare të DEA-s në Nashville, Tennessee më 26-28 gusht. Në këtë event, i cili mblodhi drejtues të agjencive ligjzbatuese nga e gjithë bota, Dumani zhvilloi takim me administratorin e DEA-s, Terrance Cole. Sipas SPAK, takimi kishte si objekt forcimin e aleancës kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit me shtetet partnere.
Kjo vizitë konfirmon se SPAK po tenton të rrisë nivelin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa SHBA vijon të jetë aleati kryesor në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Njoftimi i SPAK
Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani me ftesë të zyrtarëve të qeverisë amerikane zhvilloi takime në SHBA
Wshington D.C- Në cilësinë e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z.Altin Dumani zhvilloi takime të nivelit të lartë gjatë vizitës zyrtare në Washington D.C, në Shtetet e Bashkuara, më 2 dhe 3 shtator.
Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Z.Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik.
Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, më 26-28 Gusht
Nashville Tennessee– Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht.
Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, znj. Pamela J. Bondi.
Gjatë konferencës, z.Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z.Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
