Një lajm bombë ka ardhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pas një pauze gati 8-mujore, ku SHBA u distancua nga punët e brendshme të Shqipërisë, duket se administrata Trump ka filluar të vihet në lëvizje.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, është thirrur ditën e sotme në Departamentin Amerikan të Shtetit. Lajmi është bërë vetë i ditur nga DASH, ku bëhet me dije se në orën 16:30 me orën lokale, Zyrtari i Lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan P. Hanrahan do të presë në takim Altin Dumanin.
“Zyrtari i Lartë i Byrosë Hanrahan takohet me Shefin e Strukturës Speciale Shqiptare Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, në Departamentin e Shtetit”, thuhet në faqen e DASH.
Njoftimi DASH
Por vizita e tij në DASH duket se do të jetë një tërmet për politikën shqiptare. Fakti që Dumani thirret aty do të thotë se nuk është pa gjë. Sinjalet janë se ndoshta SHBA do të nisë një fazë të re mbështetjeje ndaj SPAK dhe do të thotë se tani mund të kemi të tjera arrestime të bujshme.
Takimi vjen në një moment shumë delikat. Dumani në dhjetor do të duhet të largohet nga detyra. Ndërkohë që Rama dhe Berisha janë bërë bashkë kundër drejtësisë, ku secili sulmon për hesap të vet. E gjithë kjo ndodhte sepse SHBA nuk reagonte më si më parë. Madje, në disa qarqe politike dhe mediatike në Tiranë, kishte nisur të qarkullonte ideja se me rikthimin e Donald Trump në pushtet, Uashingtoni do të tërhiqej përfundimisht nga mbështetja për SPAK.
Por takimi i sotëm në DASH fshin çdo iluzion: SHBA jo vetëm që nuk është tërhequr, por po rikthehet në mënyrë aktive dhe me sinjale të qarta. Ftesa për Altin Dumanin është një mesazh i drejtpërdrejtë për të gjithë klasën politike shqiptare: drejtësia është ende në fokusin e aleatëve strategjikë dhe mbështetja për SPAK nuk ka përfunduar, përkundrazi, mund të hyjë në një fazë të re dhe më agresive.
Ky takim nuk është as protokollar dhe as thjesht simbolik. Në përkthimin diplomatik, thirrja e Dumanit në Uashington do të thotë një gjë: “SPAK nuk është vetëm”. Dhe kjo do të thotë se në ditët në vijim, politika shqiptare nuk do të jetë më e qetë. Sepse kur SHBA lë heshtjen dhe kthehet në lojë, zakonisht bien “të paprekshmit”.
Pra, pyetja është: Kush do të arrestohet me kthimin e Dumanit?
