Pas gati 5 muajsh seancash konstituive, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha, është zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës. Ai mori 73 vota pro, 30 kundër, ndërsa 3 deputetë abstenuan. Zgjedhja e tij i hap rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re pas një krize të gjatë politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pro tij votuan edhe disa deputetë të PDK-së, AAK-së dhe një pjesë e pakicave, ndërsa LDK dhe Lista Serbe u shprehën kundër.
Në fjalimin e tij të parë si kreu i parlamentit, Basha tha se shpreson për një Serbi demokratike që njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa partive në kuvend u bëri thirrje për bashkëpunim në të mirë të vendit.
