Nga Rigels Seliman
Policia e Shtetit në Shqipëri, institucioni që duhet të jetë shtylla e parë e mbrojtjes së ligjit dhe sigurisë publike, duket se ka dështuar të përmbushë detyrën e saj, duke lënë vendin të përballet me një klimë të rëndë kriminale. Krimet e mëdha, të cilat minojnë çdo shtyllë të shtetit, janë zbuluar dhe goditur më shumë nga agjencitë ndërkombëtare dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) sesa nga uniformat blu të Shqipërisë. Kjo situatë ka arritur një pikë kritike, ku qytetarët ndihen të pafuqishëm, ndërsa ata që janë të ngarkuar me detyrën për të garantuar rendin dhe ligjin, vetëm sa përpiqen të mbulojnë papërgjegjshmërinë e tyre me “arrestime” të rasteve ordinere dhe hajdutëve të xhepave. Ndërsa krimi i organizuar dhe grupe të fuqishme mafioze janë shpërndarë në çdo cep të vendit, Policia e Shtetit është duke mbajtur vetëm një status të dytë, pothuajse të padukshëm në përballjen me këto kërcënime të mëdha.
Shumë prej këtyre grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri janë identifikuar dhe goditur nga agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare dhe SPAK, të cilët janë treguar më efikasë dhe më të angazhuar për të zbardhur dosjet e mëdha të korrupsionit dhe trafikut të drogës. Kjo ka hedhur dyshime në lidhje me aftësinë e Policisë së Shtetit për të kryer hetime të thella dhe për të adresuar kërcënimet e brendshme të sigurisë. Policia e Shtetit është e mbyllur në një spirale të tërë mangësish, që varion nga korrupsioni brenda strukturave të saj, tek paaftësia për të koordinuar një luftë të qëndrueshme kundër krimit të organizuar, kjo edhe për shkak se shumë efektivë kanë bashkëpunuar me kriminelë, sikundër e treguan përgjimet e “SKY ECC”. Ata mund të kthehen në “heronj” kur bëhet fjalë për të arrestuar individë të pa fuqishëm, si hajdutët e xhepave, por nuk mund të vihen në lëvizje për të kapur bosët e krimit të organizuar. Kur bëhet fjalë për operacione të mëdha, të tilla si ato që kanë të bëjnë me trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, Policia e Shtetit duket se është jashtë loje, duke lënë një hapësirë që plotësohet nga shërbime të huaja dhe SPAK-un. Ky dështim i thellë i institucioneve të sigurisë ka krijuar një klimë frike dhe pasigurie në vend, ku krimi duket se është gjithnjë e më i paprekshëm. Pra ky dështim i thellë i policisë është një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e shtetit dhe integritetin e shoqërisë shqiptare. Në këtë kuadër, ky realitet është një pasqyrë e hidhur e paaftësisë së institucioneve të brendshme për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin që ka mbërthyer Shqipërinë. Thënë troç, kjo situatë ka arritur në një pikë kritike, ku e vetmja shpresë për një drejtësi të vërtetë dhe për një luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar duket se varet nga agjencitë ndërkombëtare dhe SPAK-u, ndërsa Policia e Shtetit mbetet një spektator i heshtur i një loje që nuk arrin ta fitojë.
