E enjte, 24 Shtator, 2026

Ndërron jetë Ismail Kadare, por vepra e tij mbetet e pavdekshme, mesazhet e personaliteteve shqiptare

Share

U nda nga jeta mëngjesin e sotëm, kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare. Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, ishte 88 vjeç.

Personalitete të larta të vendit dhe jo vetëm kanë përcjellë mesazhet e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të shkrimtarit që shqiptarëve u fali dritën kur ishin në errësirën e diktaturës ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa. 

Më poshtë do të jenë të gjitha mesazhet e personaliteteve për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë.

Shuhet Kadare/ Albin Kurti: Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili u shua sot në moshën 88 vjeçare, në Tiranë.  

Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë.

Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë, shkruan Albin Kurti.  Ngushëllime të gjithëve.

Shuhet Kadare/ Edi Rama: Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më
Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij.
“Duke shkruar për të këtë urim, më erdhi në mend se sa shumë njerëz kanë marrë penën që të bëjnë libra, dizertacione, mastera, doktoratura, referate, artikuj, shkrime, jetëshkrime e shkarrashkrime, me ditirambe, vlerësime e deri edhe ofendime, për librat e tij e për të vetë dhe se sa pak gjasë ka, që vargmalet e letrave të tyre të kenë një fat më të mirë se sa kështjellat e rërës, që kalamajtë ngrenë buzë detit, duke parafytyruar heronjtë e përrallave e të balladave apo bajlozët e gogolët e kërcënimeve të dëgjuara përpara gjumit.
Dhe me këtë mendim po e le këtë shënim (që të njëjtin fat me ato kështjella do të ketë) me një falenderim të thjeshtë, pa pretenduar asgjë më shumë se sa shprehjen e mirënjohjes së madhe ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin të flasim e të shkruajmë si gjuhë amtare; për kënaqësinë e jashtëzakonshme të udhëtimeve në botën e ngjarjeve, personazheve, emocioneve që ai ka jetësuar me lehtësinë e një magjistari, nxjerrë në dritë fuqinë e një ekzorcisti dhe magazinuar me saktësinë e një gjirokastriti; për hidhërimet që u ka shkaktuar mediokërve e për buzëplasjen që u ka provokuar xhelozëve me suksesin e tij jehues në dhjetra gjuhë të kësaj bote, e patjetër edhe për debatin e pambarimtë mes barrikadave, ku janë rreshtuar përballë tash 30 vjet, admiruesit e shkrimtarit dhe gjykatësit e qytetarit a thjesht njeriut Ismail Kadare – ku unë vetë kam mësuar e kuptuar jo pak me kalimin e viteve…
Ah, krejt personale kjo, po edhe për Vladimir Majakovskin, gjeniun vullkanik të poezisë ruse, që po të mos ekzistonte Ismail Kadareja nuk do ta kisha njohur kurrën e kurrës dot, në një prej takimeve më të mahnitshme të jetës sime me letërsinë!
Po ndalem këtu dhe duke uruar sot bashkë me ditëlindjen e tij edhe që gojëdhana se Ismaili nuk shkruan më, të jetë vetëm një lojë e tij e radhës me personazhet e jetës reale, ku ai gjithnjë ka qenë si një i huaj me prejardhje e me pashaportë shqiptare, fjalën e fundit të këtij urimi ia le Majakovksit të shqipëruar prej Kadaresë:

Shuhet Kadare/ Ministri i Kulturës Blendi Gonxhe: Do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq

Ministri i Ekonomisë dhe Kulturës e Inovacionit Blendi Gonxhe e quajti lajm të trishtë humbjen e Ismail Kadaresë

Lajm i trishtë ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare! Gjeni i letrave, një figurë madhore e letërsisë shqiptare që bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht!

Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza!

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen! U prehsh në paqe, mjeshtër i madh, shkruan Gonxhe. 

Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, Begaj: Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave

Presidenti Bajram Begaj ka regauar për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë.

Begaj shkruan se: Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!

Shuhet Kadare/ Basha: Patriarku i letrave shqipe mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë

Kryetari i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta ditën e sotme të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare.

“Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar. 

Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.

Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët  mikun e tyre të pazëvendësueshëm. Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar!

Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!”

Te tjera

Lajme te tjera