Nga Ilves Seliman
Çdo vit festohet 7 Marsi- Dita e Mësuesit, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887, u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ( jo fetar ) ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Festë Dita e Mësuesit është festë kombëtare, nuk është vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar tek populli ynë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar, kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha, për zhvillimin e arsimit kombëtar. Duke kujtuar 7 marsin –Ditën e Mësuesit, nuk mund të lëmë në heshtje e të mos nderojmë edhe rolin e kontributin e mësuesve të palodhur sidomos ata të shkollës 9-vjeçare “Klodian Tanushi”, Qesarakë/Fresku, Tiranë, të cilët u uroj gëzuar Festën dhe qofshi gjithmonë të lumtur!
Ndërkohë në këtë ditë të shënuar, një urim special e kam edhe për mësuesen time, Matilda Braho. Urime 7 dhe 8 Marsi mësuesja ime e dashur! Mësuese sado që të falënderoj është pak për ty, sepse ti je shtylla e shoqërisë, je nëna ime e dytë! Mësuese, ti e di se emri nënë është i shenjtë dhe i vetmi emër që përbrenda mban dashurinë, sakrificën, dhimbjen, gëzimin, etj, andaj shpesh herë të konsideroj si mami, sepse ashtu të dua dhe të vlerësoj! Në këtë ditë feste për ty, dua të të falënderoj për çdo gjë, për shkronjat e para, numrat e parë, disiplinën dhe edukatën, përrallëzat e këngët që i thua me shumë dashuri. Të falënderoj edhe për guximin që më ke dhënë gjatë këtyre 5 viteve, sepse fal teje sot jam një nxënës i mirë në mësime. Dua të të uroj mësuese, por vërtetë nuk po mundem të gjejë fjalët e duhura për të të uruar. Je mësuesja më e mirë që kam parë e dëgjuar deri më sot. Mundi yt, sakrifica jote, dashuria e respekti ndaj punës dhe neve, të bënë të quhesh Mbretëreshë. Prandaj urime 7 dhe 8-Marsin e dashur mësuese! Festofsh e gëzofsh çdo ditë dhe qofsh gjithmonë e lumtur familjarisht! Mos harro se ti je shembulli më i mirë i një gruaje, i një mësueseje e mbi të gjitha i një nëne të përkushtuar. Të dua shumë! 7 dhe 8-Marsi qofshin jo vetëm ditë kalendarike të shënuar për ty, jeta jote qoftë me lule në çdo minutë të jetës tënde! Nxënësi juaj Ilves, Seliman, klasa e VB, shkolla “Klodian Tanushi”.
