E premte, 14 Gusht, 2026

3 kërkesa dhe 8 pika, Lajçak-Escobar zbarkojnë në Prishtinë e Beograd, ja çfarë do të kërkojnë nga të dyja palët, zbulohet kthesa e madhe e Perëndimit dhe opsioni i ri i BE, mediat serbe nxjerrin prapaskenat

Share

Media serbe “Blic” i ka kushtuar një artikull ardhjes në Kosovë e Serbi të Lajçak dhe Escobar duke zbuluar dhe prapaskenat e vizitës së tyre. Tensionet në veri të Kosovës janë në vëmendje të ndërkombëtarëve, prej disa ditësh tanimë. Ndonëse situata duket se ka ndryshime drastike dhe është shumë më e qetë që nga dita e parë kur shpërthyen tensionet, ende kërkohet një zgjidhje dhe dakordësi mes dy palëve. Ndaj, dy të dërguarit e posaçëm të SHBA dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi kanë zbarkuar në Prishtinë, e më pas do të vizitojnë edhe Beogradin. I dërguari i SHBA-së, për Ballkanin Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak do të kenë fokus tensionet në veri dhe marrëveshjen e nënshkruar në Ohër mes dy palëve. Bashkimi Europian ia ka bërë të qartë Serbisë dhe Kosovës se duhet të plotësojnë 3 kërkesa, ose në të kundërtën pasojat do të jenë të rënda për të dyja palët. Ato janë: tërheqja e kryetarëve të zgjedhur në mënyrë të paligjshme, largimi i policisë së Kosovës nga ndërtesat e katër komunave dhe puna për formimin e Asociacionit. Edhe nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i përmbush të 3 kërkesat, procesi do të kthehej siç ishte dhjetë ditë më parë, para hyrjes me dhunë të administratës së Prishtinës në katër komunat serbe. Ndaj, është folur për zgjedhje të reja në katër komuna në veri të Kosovës, por, sipas analistëve, në planet e Perëndimit ka edhe një opsion krejtësisht të ri, zgjedhjet në të gjitha nivelet në Kosovë dhe dialogu mes dy vendeve, me “lojtarë” krejtësisht të rinj nga Prishtina.

Sinjalet e Escobar sipas medieve serbe

Escobar, në një intervistë për BBC, para ardhjes së tij në Ballkan, e ka konsideruar kryeministrin Kurti, si gjeneratorin e trazirave të reja në Kosovë. “Ne i kemi dhënë shumë sinjale, të tërheqë kryetarët nga ndërtesat komunale, ta largojë Policinë e Kosovës nga ndërtesat dhe pastaj urgjentisht të hyjë në procedurë për formimin e Unionit të Komunave Serbe”, tha Escobar. “Ky përshkallëzim është pjesërisht rezultat i mungesës së vullnetit nga ana e palës kosovare për të dëgjuar komunitetin ndërkombëtar. Kjo shkaktoi tension të panevojshëm”, shtoi ai.

Thirrja e Amerikës

Pra, është e qartë se çfarë do të kërkojnë Escobar dhe Lajçak nga Prishtina, dhe disi më pak është e qartë kërkesa nga Beogradi. Sipas deklaratës së këshilltarit special në Departamentin e Shtetit Amerikan, Derek Chollet, këto kërkesa do të reduktohen në kontrollin e serbëve të Kosovës. “E inkurajova presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që t’u bëjë thirrje serbëve të Kosovës që të qetësohen, të ndërmarrin hapa për qetësimin e krizës në veri të Kosovës dhe t’i kthehen rrugës së normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e udhëhequr nga BE”, ka shkruar ai në Twitter.

Plani me 8 pika

Një pjesë e rëndësishme e misionit të Escobar dhe Lajçak mund të jenë diskutimet për zbatimin e planit 8-pikësh, për të cilin, ndonëse nuk është konfirmuar zyrtarisht, thuhet është rënë dakord në samitin në Kishinau, gjatë bisedës mes liderëve të QUINT dhe BE me president serb Aleksandër Vuçiç dhe homologes së tij, Vjosa Osmanit. Plani parashikon deeskalim të menjëhershëm të konfliktit, tërheqje të kryetarëve, zgjedhje të reja në katër komuna serbe në veri të Kosovës në fund të verës dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.

Roli i Perëndimit

Dushan Janjiç, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Forumit për Marrëdhënie Etnike, thekson për “Blic” se ardhja e Escobar dhe Lajçak në Beograd dhe Prishtinë paraqet një reagim të shpejtë dhe në kohë. “Perëndimi tani do të pozicionohet krejtësisht ndryshe, nga njëra anë dhe nga tjetra. Ata do të kërkojnë raport për ecurinë e mëtutjeshme të dialogut, ndërsa vetë Macron tha se Vuçiç dhe Osmani kanë shtatë ditë për të paraqitur qëndrimet e tyre se si të kalohet kriza në veri të Kosovës”, analizon Janjiç. Sipas tij, SHBA-të nuk e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë në të gjitha nivelet dhe hyrjes në dialog me lojtarë të rinj.Nga ana tjetër, gazetari dhe analisti nga Prishtina, Ljeart Hodža, ka thënë se Lajçak dhe Escobar po vijnë të paraqesin propozime konkrete, hapa dhe afate. Ai shton se, sipas tij, kthimi në gjendjen që ekzistonte para shpërthimit të krizës së fundit në veri të Kosovës nuk është zgjidhje.

Te tjera

Lajme te tjera