E diel, 20 Prill, 2025

29 Nëntori/ Krerët e shtetit homazhe në Varrezat e Dëshmorëve! Ambasada e SHBA-së: Koha për të nderuar sakrificat që i dhanë formë historisë!

Share

Shqipëria festoi sot 80 vjetorin e çlirimit. Krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ministra deputetë e pasardhës të veteranëve të luftës Nacional Çlirimtare zhvilluan sot paradite ceremoninë e përvitshme te Varrezat e Dëshmorëve si dhe vendosën kurora me lule në memorialin “Nëna Shqipëri”

Presidenti Bajram Begaj uroi edhe përmes një postimi në rrjetet sociale, duke thënë se sakrifica e të rënëve për çlirimin është amanet për Shqipërinë e lirë dhe të përparuar.

“80 vite më parë vendi ynë doli triumfues në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit, i rreshtuar në anën e duhur të historisë. Mijëra shqiptarë, djem e vajza të vendit tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore  sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë, jetën, për diçka që ata e kishin edhe më të shtrenjtë, lirinë. Sakrifica e tyre është amaneti ynë. Aspirata e tyre për liri mbetet detyrimi ynë për një Shqipëri të lirë e të përparuar”.

Të rënët për çlirimin i nderuan edhe përfaqësuesit e Partisë së Lirisë. Në mungesë të Ilir Metës, kurorat me lule I vendosën Sekretari i Përgjithshëm i PL Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho.

Meta uroi me një postim në rrjetet sociale nga qelia e burgut, duke shkruar se sot vendi rrezikohet nga tradhtarët që shesin kufijtë. Përmes një mesazhi urimi në facebook ambasada amerikane shkruan se është kohë për të nderuar sakrificat dhe për të festuar qëndrueshmërinë që i dha formë historisë së saj.

Këtë vit, Shqipëria shënon 80 vjet nga çlirimi i saj prej pushtimit nazist në Luftën e Dytë Botërore – kohë për të nderuar sakrificat dhe për të festuar qëndrueshmërinë që i dha formë historisë së saj. Gëzuar 80-vjetorin e Çlirimit, Shqipëri! shkruhet në mesazhin e ambasadës amerikane.

Politika shqiptare vijon të festojë e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.  

Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

Pak histori

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë.

 Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.

Te tjera

Lajme te tjera