E enjte, 24 Shtator, 2026

247 vjet nga Pavarësia e SHBA-ve, urojnë ambasada amerikane dhe presidenti Bajram Begaj

Share

Shtetet e Bashkuara të Amerikës festuan dje 4 Korrikun, Dita e Pavarësisë. 247 vjet më parë u ratifikua Dokumenti i Pavarësisë, një dokument ku 13 kolonitë  nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787, përshkruan më pas bazën dhe strukturën e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, në ato ekzekutive, legjislative dhe juridike – Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë. Çfarë ndodhi më 4 korrik 1776? Kongresi Kontinental miratoi formulimin përfundimtar të Deklaratës së Pavarësisë më 4 korrik 1776. Ata kishin punuar për të për disa ditë pasi drafti u dorëzua më 2 korrik dhe më në fund ranë dakord për të gjitha redaktimet dhe ndryshimet. 4 korriku 1776, u bë data që u përfshi në Deklaratën e Pavarësisë dhe kopja e zbukuruar e shkruar me dorë që u nënshkrua në gusht. Është gjithashtu data që u shtyp në Dunlap Broadsides, kopjet origjinale të shtypura të Deklaratës që u qarkulluan në të gjithë shtetin e ri. Të nesërmen, kopjet e Deklaratës së Pavarësisë u shpërndanë dhe më 6 korrik, The Pennsylvania Evening Post u bë gazeta e parë që shtypi dokumentin e jashtëzakonshëm. Deklarata e Pavarësisë është bërë që atëherë simboli më i dashur i lirisë në SHBA. Dita e Pavarësisë në SHBA kremtohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve.

Ndërkohë sa i takon kësaj feste dje ka bërë një urim edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë së SHBA! Çdo 4 korrik, miliona njerëz në të gjithë Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë së Amerikës me fishekzjarre, parada dhe gatime. Ka festime edhe në vende të tjera – jo çuditërisht në shumë vende demokratike, secila me traditat e veta të veçanta dhe të gjitha me respekt për liritë e sanksionuara në sistemin e SHBA”, shkroi ambasada e SHBA në rrjetet sociale. Ndërkaq edhe presidenti i Bajram Begaj ka uruar dje Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë. “Gëzuar 4 Korrikun SHBA! Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara. Si partnerë strategjikë, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme në të cilën ruajmë dhe forcojmë së bashku vlerat e demokracisë”, shkroi dje Begaj në rrjetet sociale.

Te tjera

Lajme te tjera