Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, shënon sot 100 ditët e para në krye të institucionit më të rëndësishëm të rendit në vend, një periudhë e karakterizuar nga angazhim intensiv, rezultate konkrete në luftën kundër kriminalitetit dhe një vizion i qartë për modernizimin e Policisë së Shtetit.
Gjatë këtyre tre muajve të parë, Policia e Shtetit ka dëshmuar kapacitete të larta operacionale, duke menaxhuar me profesionalizëm mbi 40 protesta në mbarë vendin, pa cenuar rendin publik dhe duke garantuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar.
Në frontin e luftës kundër krimit, nën drejtimin e Hitës janë finalizuar dhjetëra operacione policore, janë arrestuar persona të shumëkërkuar, janë zbardhur ngjarje kriminale me rëndësi dhe janë goditur grupe të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, duke forcuar ndjeshëm sigurinë publike.
Por, 100 ditët e para nuk janë shoqëruar vetëm me rezultate operacionale. Nën drejtimin e Skënder Hitës, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë reformash dhe risish që synojnë transformimin e institucionit në një polici më moderne, më efikase dhe më pranë qytetarëve. Investimet në teknologji, përmirësimi i organizimit të brendshëm, rritja e kapaciteteve profesionale dhe modernizimi i shërbimeve janë pjesë e vizionit të ri për forcimin e besimit të publikut.
Me një qasje të fokusuar te profesionalizmi, përgjegjshmëria dhe bashkëpunimi me qytetarët, drejtimi i Skënder Hitës po konsiderohet si një fazë e re për Policinë e Shtetit, ku prioritet mbetet garantimi i rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Ndërsa bilanci i 100 ditëve të para vlerësohet pozitivisht nga drejtuesit e institucionit, pritshmëritë mbeten të larta për vijimin e operacioneve kundër krimit, rritjen e standardeve të shërbimit dhe avancimin e mëtejshëm të reformave që synojnë një polici bashkëkohore dhe në shërbim të qytetarëve.
