E premte, 6 Nëntor, 2026

Zgjedhjet në SHBA, votimi i parakohshëm tejkalon shifrat e vitit 2022! Trump: Më të rëndësishmet në histori! Në mesnatë mbyllen qendrat e para!

Share

Fati i Kongresit amerikan dhe dy vitet e mbetura të presidencës së Donald Trump janë në duart e votuesve, të cilët këtë të martë po marrin pjesë në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Gara zhvillohet mes një pjesëmarrjeje të lartë, me mbi 59 milionë vota të hedhura para kohe, ndërsa demokratët synojnë t’u marrin republikanëve kontrollin e njërës ose të dyja dhomave të Kongresit.

Presidenti Donald Trump i ka cilësuar këto zgjedhje si më të rëndësishmet në historinë amerikane, ndërsa ka njoftuar në rrjetin e tij social Truth Social atë që e konsideron fitoren e parë të republikanëve në Guam, një territor amerikan në Oqeanin Paqësor.

Sipas Trump, republikanët kanë fituar garën për guvernatorin e ishullit, si dhe shumicën në Senatin lokal, duke marrë kontrollin e një territori që ai e përshkruan si tradicionalisht demokrat.

“Guam, i konsideruar prej kohësh një territor shumë demokrat, sapo ka parë shpalljen e parakohshme të fitores së republikanëve për postin më të rëndësishëm, atë të guvernatorit. Urime Tony Ada! Për më tepër, republikanët kanë siguruar shumicën në Senatin lokal”, shkroi Trump.

“Shpresojmë që ky të jetë një sinjal për atë që do të ndodhë!”, shtoi presidenti amerikan.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Universitetit të Floridës, të raportuara nga mediat amerikane, numri i votave të parakohshme ka tejkaluar shifrën prej 50.5 milionësh të regjistruar në të njëjtën periudhë të zgjedhjeve të vitit 2022. Miliona qytetarë të tjerë po votojnë gjatë ditës së martë, ndërsa pjesëmarrja përfundimtare do të përcaktohet pas mbylljes së qendrave dhe përpunimit të fletëve të votimit.

Teksasi është ndër shtetet me pjesëmarrjen më të lartë, me mbi 7.7 milionë vota të parakohshme. Në Miçigan, 32.9% e votuesve aktivë të regjistruar kishin votuar përpara hapjes së qendrave këtë të martë, ndërsa Minesota ka shënuar rekord për zgjedhjet e mesmandatit, me mbi 886 mijë vota të hedhura paraprakisht.

Procesi zgjedhor po zhvillohet përgjithësisht pa incidente madhore, megjithëse janë raportuar probleme teknike në disa zona. Në kontenë Westchester të Nju Jorkut, ku zhvillohet një garë e fortë për Dhomën e Përfaqësuesve, pajisjet e skanimit të fletëve të votimit kanë shfaqur defekte. Autoritetet lokale kanë aktivizuar sistemet rezervë dhe kanë garantuar se të gjitha votat do të përpunohen.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka angazhuar rreth 1 mijë monitorues federalë në të 50 shtetet, në kuadër të një operacioni të gjerë për mbikëqyrjen e respektimit të rregullave zgjedhore.

Vëmendja është përqendruar te garat e ngushta për Senatin në Teksas, Ohajo, Miçigan, Ajova dhe Kanzas, si dhe te zonat zgjedhore ku demokratët kërkojnë të fitojnë vendet e nevojshme për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.

Por çfarë po votojnë amerikanët dhe pse kanë rëndësi këto zgjedhje?

Amerikanët nuk po votojnë për presidentin, pasi Donald Trump është në mandatin e tij të dytë, por për përbërjen e re të Kongresit, parlamentit amerikan që përbëhet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.

Në këto zgjedhje janë në garë të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, ku mandati zgjat dy vjet, si dhe 35 vende në Senat, ku senatorët zgjidhen për gjashtë vjet. Ndryshe nga Dhoma e Përfaqësuesve, Senati rinovohet pjesërisht çdo dy vjet.

Për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve nevojiten 218 vende, ndërsa në Senat 51. Aktualisht, republikanët kontrollojnë të dyja dhomat, me 219 deputetë dhe 53 senatorë, kundrejt 214 deputetëve demokratë dhe 45 senatorëve demokratë, si dhe dy të pavarurve.

Demokratëve u duhen edhe tre vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe katër vende në Senat.

Kur do të mësohen rezultatet?

Qendrat e para të votimit pritet të mbyllen në orën 00:00 të së mërkurës, 4 nëntor, sipas orës shqiptare. Për shkak të zonave të ndryshme kohore në SHBA, qendrat e tjera do të mbyllen gradualisht gjatë natës dhe orëve të mëngjesit në Shqipëri.

Numërimi do të nisë pas mbylljes së qendrave përkatëse të votimit. Rezultatet do të publikohen gradualisht, ndërsa në garat e ngushta mund të duhet më shumë kohë për të përcaktuar fituesit.

Çfarë mund të ndodhë pas votimit

Nëse një parti arrin të fitojë shumicën në të dyja dhomat, do të kontrollojë Kongresin për dy vitet e ardhshme. Kjo do t’i japë mundësinë të çojë përpara programin e saj dhe të bllokojë nismat e kundërshtarëve.

Partia fituese do të ushtrojë pushtetin ligjvënës dhe, nëse fitojnë demokratët, do të mund të forcojë mbikëqyrjen parlamentare ndaj veprimtarisë së presidentit Trump.

Nëse Kongresi mbetet në duart e republikanëve, Trump do ta ketë më të lehtë të përmbushë premtimet elektorale dhe të miratojë ligje apo reforma, për të cilat nevojitet vota e të dyja dhomave.

Nëse demokratët marrin kontrollin qoftë edhe të njërës dhomë, do të krijohet ajo që në sistemin amerikan quhet “qeverisje e ndarë”: presidenti dhe të paktën njëra nga dhomat e Kongresit do t’u përkasin partive të ndryshme.

Në një situatë të tillë, miratimi i ligjeve të reja do të bëhej më i vështirë për Trumpin dhe do të kërkonte negociata me kundërshtarët politikë.

Te tjera

Lajme te tjera