Deputetja e PS-së për qarkun e Korçës, Romina Kuko, është deri më tani i vetmi zë nga mazhoranca që ka reaguar publikisht për bllokimin e rrugës Librazhd–Përrenjas, një nga arteriet kryesore që lidh juglindjen me Tiranën.
Në një reagim në Facebook, Kuko e cilëson situatën “të papranueshme” dhe thekson se bllokimi ka cenuar drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, lëvizjen e lirë dhe sigurinë rrugore. Ajo shprehet në mbështetje të hetimeve të nisura nga Prokuroria, duke kërkuar që procesi të zhvillohet me shpejtësi, paanësi dhe transparencë të plotë.
Sipas saj, zbardhja e plotë e shkaqeve dhe përcaktimi i përgjegjësive është detyrim ndaj qytetarëve, ndërsa ligji duhet të veprojë njësoj për të gjithë. Deputetja nënvizon gjithashtu se institucionet kanë detyrimin të japin zgjidhje të menjëhershme dhe të rikthejnë normalitetin, ndërsa autoritetet po punojnë për lehtësimin e situatës.
Reagimi i znj. Kuko në “Facebook”
Bllokimi i rrugës Librazhd–Përrenjas ka cenuar drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, lëvizjen e lirë dhe sigurinë në një nga arteriet më të rëndësishme të juglindjes së vendit. Kjo situatë e papranueshme nuk mund dhe nuk duhet të zgjasë.
Mbështes hetimet e nisura nga Prokuroria dhe inkurajoj që ato të zhvillohen me shpejtësi, paanësi dhe transparencë të plotë. Zbardhja e plotë të shkaqeve dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive eshte detyrim ndaj qytetareve; ligji të veprojë njësoj për të gjithë.
Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë zgjidhje dhe të dëgjohen. Institucionet kanë detyrimin të japin zgjidhje të menjëhershme dhe të rikthejnë normalitetin. Autoritetet po punojnë me ritëm për të lehtësuar zgjidhjen e kësaj situate të paprecedentë. Njerëzit meritojnë qetësi, siguri dhe respekt.
