Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duket se është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për Rusinë, përfshirë këtu edhe integrimin europian të vendit, si dhe shëndetin e tij. Megjithatë, këto “sakrifica: duket se nuk po marrin shpërblim nga pala tjetër. Të gjithë udhëheqësit botërorë që mbërritën në Moskë për të festuar Ditën e Fitores mbi Fashizmin u pritën nga zëvendëskryeministri rus Alexander Novak. Përjashtimi i vetëm ishte Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, raporton “Nova.rs”. Konkretisht, siç raportohet nga mediat ukrainase, ndërsa liderët e tjerë u pritën në aeroportin e Moskës nga zyrtarë të lartë rusë, Vuçiç u prit nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandar Grushko.
“Dushi i ftohtë”
Vuçiç, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë botërorë, do të marrë pjesë në Paradën e Fitores në Sheshin e Kuq. Midis të mbledhurve do të jenë, ndër të tjerë, Presidenti kinez Xi Jinping, Presidenti venezuelian Nicolás Maduro , Kryeministri sllovak Robert Fico dhe udhëheqës të disa vendeve të tjera.“Çfarëdo që të mendoni për Vuçiçin dhe largimin e tij në Moskë, ne do të duhej të biem dakord për një gjë. Gjesti i një mikpritësi që mirëpret presidentin e një vendi me një zyrtar të rangut të zëvendësministrit është mungesë respekti ndaj vendit nga vjen”, tha avokati i njohur dhe ish-Komisioneri për Informacion me Rëndësi Publike Rodoljub Šabić në rrjetin social X. Pavarësisht fiaskos gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA dhe një paralajmërimi të qartë nga Bashkimi Evropian se pjesëmarrja e tij në këtë festë mund të ketë pasoja, Vuçiç vendosi të udhëtojë për në Moskë, shkruan “Nova.rs”, ndonëse nuk pati pritjen që ai donte.
Konflikti i hapur me Brukselin
Tani pyetja është nëse fluturimi i tij për në Moskë është fillimi i një konflikti të hapur me Brukselin zyrtar. Bashkëbiseduesi i “Nova.rs” thotë se Vuçiç nuk duhet të barazohet me Serbinë dhe se duke shkuar në Moskë, ai ia mbylli dyert e BE-së regjimit dhe qeverisë së tij, jo vendit. Njoftimi i parë se presidenti serb do të shfaqet në festimet e Ditës së Fitores në Moskë u prit negativisht nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Siç deklaruan ata, “BE-ja e sheh atë si pjesë të propagandës ruse për të justifikuar pushtimin e Ukrainës”. Konkretisht, kjo u deklarua nga përfaqësuesit e medias të Komisionit Evropian në Bruksel më 24 prill, duke theksuar se Serbia është kandidate për anëtarësim në BE dhe se për këtë arsye është e nevojshme të ndiqen udhëzimet strategjike të Unionit për sigurinë dhe progresin.
“Mbyllja e derës”
Duke komentuar vizitën e Vuçiçit në Moskë, ish-ambasadorja e Serbisë në Rusi, Jelica Kurjak, thotë se tani po presin reagime nga Evropa, të cilat sigurisht nuk do të jenë të qarta. “Unë prapë nuk do ta quaja këtë një konflikt të hapur midis Vuçiçit dhe Bashkimit Evropian. Siç tha kolegu im Ivan Vujaçiç, ai po ia mbyll derën Serbisë kur bëhet fjalë për BE-në, por unë do të thoja se ai po ia mbyll derën qeverisë dhe regjimit të tij. Mendoj se presidenti nuk është Serbia në fund të fundit. Parlamenti Evropian miratoi një raport për vendin tonë me një shumicë të mirë, dhe kjo është një inkurajim i madh. Dua të them se nëse shumica votoi për raportin, do të thotë se edhe ata që më parë ishin pro tij votuan. Do të ketë një ftohje të Evropës me regjimin, por unë nuk do ta barazoja atë me Serbinë”, përfundoi bashkëbiseduesja e “Nova.rs”.
Pasojat
Disa analistë të tjerë për “Blic” , median pranë qeverisë serbe, vlerësojnë se vendimi i Vuçiçit, pavarësisht kundërshtimit të BE-së, nuk do të sjellë pasoja të reja negative për Serbinë sepse “Kapitulli 3 është bllokuar prej tre vitesh gjithsesi”. Zoran Milivojeviç, një diplomat, i thotë “Blic” se zhbllokimi i Kapitullit 3 varet, mbi të gjitha, nga “interesat gjeostrategjike të BE-së, pasi Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë”.Vetë Vuçiç, gjatë fjalimit të tij nga Moska, tha se pret pasoja, por kryesisht për të personalisht.