Nevoja që Prokuroria e Posaçme të mos pengohet në hetimin e rasteve të korrupsionit, ishte emëruesi i përbashkët deklaratave të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadave të vendeve anëtare, Gjermanisë, Suedisë dhe Hollandës si dhe asaj të Britanisë së Madhe, që shoqëruan votimin e sotëm në Parlament, ku me votat e shumicës u rrëzua kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut.
Reagimi i Komisionit Evropian (KE)
BE-ja mban shënim rezultatet e votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Reagimi i ambasadës suedeze
Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Udhëheqja politike shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi.
Reagimi i ambasadës holandeze
Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri deklaron: Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta. Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të siguruar këtë proces.
Reagimi i ambasadës gjermane
Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve. Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.
Reagimi i Ambasadës Britanike Tiranë
“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut. Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, shkruhet në postimin e Ambasadës Britanike.
Reagimi i ambasadës amerikane
Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për vazhdimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar. Nuk kemi koment për çështje ligjore që janë në proces.
