E premte, 17 Prill, 2026

Presidenti Begaj liron nga detyra 5 ambasadorë, dy emërime të reja

Share

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar një sërë ndryshimesh në përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë, duke liruar nga detyra pesë ambasadorë dhe duke emëruar dy të tjerë në poste të reja.

Kreu i Shtetit ka firmosur lirimin nga detyra të disa diplomatëve të lartë, përfshirë Z. Riza Poda, i cili mbante detyrën e ambasadorit në Republikën Popullore të Kinës, si dhe ishte i akredituar jo rezident në disa vende të Azisë, përfshirë Bangladeshin, Korenë e Veriut, Vietnamin, Mongolinë dhe Tajlandën.

Po ashtu, nga detyra është liruar edhe Z. Bardhyl Canaj, ambasador në Republikën e Serbisë, si dhe Z. Sami Shiba, ambasador në Egjipt dhe njëkohësisht i akredituar në disa vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, përfshirë Sirinë, Jordaninë, Libinë, Palestinën, Libanin dhe Sudanin.

Në listën e lirimeve përfshihen edhe Znj. Vasilika Hysi, ambasadore pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, si dhe Znj. Albana Dautllari, ambasadore në Mbretërinë e Belgjikës dhe njëkohësisht e akredituar në Luksemburg.

Ndërkohë, Presidenti Begaj ka dekretuar emërimin e Z. Gazmend Barbullushi si ambasador në Mbretërinë e Belgjikës, me akreditim edhe në Luksemburg.

Po ashtu, Znj. Albana Dautllari është emëruar në një detyrë të re si ambasadore e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot lirimin nga detyra të:

Z. Riza Poda, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Bangladeshit, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën Socialiste të Vietnamit, në Mongoli dhe në Mbretërinë e Tajlandës, jo rezident;

Z. Bardhyl Canaj, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë, rezident;

Z. Sami Shiba, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Sirisë, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe në Republikën e Sudanit, jo rezident;

Znj. Vasilika Hysi, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident;

Znj. Albana Dautllari, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës dekretoi emërimin e:

Z. Gazmend Barbullushi në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident;

Znj. Albana Dautllari në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, rezident.

Te tjera

Lajme te tjera