Lionel Mesi ka hyrë zyrtarisht në botën e menaxhimit të klubeve, duke u bërë pronari i ri i Kornela, një skuadër katalanase që militon në kategorinë e pestë të futbollit spanjoll. Lajmi është raportuar nga mediat spanjolle dhe është konfirmuar përmes një deklarate zyrtare të klubit.
Sipas gazetës “La Razon”, Mesi ka investuar rreth 2 milionë euro për blerjen e klubit. Projekti i tij fokusohet kryesisht në forcimin e strukturave të brendshme, me theks të veçantë tek akademia e të rinjve. Qëllimi kryesor është zhvillimi i talenteve dhe krijimi i një modeli të qendrueshëm sportiv.
Në reagimin zyrtar, Kornela e cilësoi ardhjen e Mesit si fillimin e një faze të re: klubi synon rritje sportive dhe institucionale, duke ruajtur njëkohësisht lidhjen me komunitetin lokal dhe duke ndërtuar mbi themelet ekzistuese.
Kornela njihet për rolin e saj në formimin e futbollistëve që më pas kanë arritur nivele të larta. Ndër emrat më të njohur janë Xhordi Alba, ish-bashkëlojtar i Mesit, si dhe David Raja, Havi Puado, Keita Balde dhe të tjerë që kanë bërë karrierë në liga të rëndësishme.
Ky profil i klubit pritet të përputhet me vizionin e ri të Mesit për të investuar në zhvillimin afatgjatë të lojtarëve.
Stadiumi i Kornelas ndodhet shumë pranë atij të Espanjolit, një nga rivalët historikë të Barcelonës. Ky fakt i jep klubit një pozicion të veçantë në hartën futbollistike të Katalonjës dhe shton interesin për zhvillimet e ardhshme.
