Të shtunën, më 26 prill, duke nisur nga ora 10:00, do të zhvillohet ceremonia e lamtumirës për Papa Françeskun në Vatikan. Vetë Selia e shenjtë publikoi pamjet e para të trupit të pontifit në arkivolin e drunjtë, i cili pas qëndrimit një natë në rezidencën “Santa Marta”, do të transferohet të mërkurën në Bazilikën e Shën Pjetrit për t’u ekspozuar për besimtarët.
Ashtu siç është paralajmëruar, pas ceremonisë në Shën Pjetër të shtunën trupi i Papa Françeskut do të dërgohet Bazilikën e Santa Maria Maggiore për t’u varrosur aty, amanet të cilin vetë Ati i Shenjtë e kishte lënë.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe zonja e parë Melanie, konfirmuan ndër të parët liderë botërorë praninë e tyre në homazhet e së shtunës, kur priten që në Vatikan të zbarkojnë drejtues të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota. Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kreu i Elizee Emanuel Macron apo presidenti ukrainas Volodimir Zelensky. Rusia ka konfirmuar se Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë.
Qeveria italiane ka urdhëruar marrjen e të gjitha masave për mbarëvatjen e këtyre ditëve deri në ceremoninë zyrtare, ndërsa ka vendosur edhe 5 ditë zie kombëtare.
Mesazhet e ngushëllimit vijnë nga anekënd globit. Edhe Kina, përmes ministrit të Jashtëm shprehu dhimbjen për humbjen e Papës. Ky ishte reagimi i parë zyrtar i Pekinit 24 orë nga njoftimi i Vatikanit për shuarjen e Papës. Nuk është ende e qartë nëse Kina do të dërgojë një përfaqësues apo një delegacion në funeralin e Papa Françeskut.
Në Shtetet e Bashkuara ish-presidenti Bill Clinton dhe gruaja e tij, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, në një mesazh ngushëllimi e quajtën jetën dhe trashëgiminë e Papa Françeskut të jashtëzakonshme.
E shtuna e varrimit do të shënjojë edhe nisjen e asaj që quhet ‘novediali’, 9 ditët e zisë që do të pasojnë. Vetëm pas këtyre 9 ditëve do të mund të caktohet një datë për mbledhjen e konklavës së re, e cila do të zgjedhë kreun e ri të Kishës Katolike.
Papa Françesku ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare të hënën e 21 prillit 2025. Vatikani tha se Papa vdiq pasi pësoi një goditje në tru dhe arrest kardiak, duke i dhënë fund një sundimi shpesh të turbullt, në të cilin ai vazhdimisht u përplas me tradicionalistët dhe mbrojti të varfërit dhe të margjinalizuarit. Papa kaloi pesë javë në spital në fillim të këtij viti duke vuajtur nga pneumonia e dyfishtë.