Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të vendosë reciprocitet për targat dhe dokumentet serbe ka tensionuar situatën në veri të Kosovës.
Përdoruesit në rrjetin social Twitter kanë publikuar pamje të reja nga situata atje ku dëgjohet sirena e alarmit, ndërsa disa thonë se ka edhe gjuajtje me armë.
Ndërkohë, policia e Kosovës ka bërë me dije se janë mbyllur pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak, për shkak të bllokimit të rrugëve dhe ka bërë thirrje për qytetarët që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare.
Serbët në veri kanë bllokuar disa rrugë disa orë para fillimit të masave të reciprocitetit me dokumente.
KFOR-i ka dalë në terren për të vëzhguar situatën ndërsa në komunat në veri është ndezur një alarm që bën thirrje për mbledhje të qytetarëve.
“Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak. Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.” , njofton policia e Kosovës.
Ndërkohë mediat e Kosovës raportojnë se ka pasur të shtëna me armë mbrëmjen e sotme në zonën e Zubin, Potok, aty ku janë vendosur barrikada nga serbët që po protestojnë.
Një polic dhe dy qytetarë raportohet të jenë plagosur nga gjuajtjet me armë zjarri mes policisë dhe barrikaduesve.
Duke filluar nga nesër, 1 gusht do të nisë afati për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Qytetarët në Kosovë, që duan t’i riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës) do të kenë afat që ta bëjnë një gjë të tillë deri më 30 shtator.
Në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, besohet se qarkullojnë 10.000 makina me targa serbe, të tilla si KM (Mitrovicë e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj) e të ngjashme.